Në fundin e dimrit të këtij viti, gati askush nuk e besonte Albin Kurtin në Tiranë kur thoshte për median se Vetëvendosja do të jetë subjekti i parë politik në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Vota e qershorit tregoi se Vetëvendosja fitoi gati dyfishin e mbështetjes së shqiptarëve atje, duke qenë forca e parë. Megjithëse ligjërisht të mandatuar të parët për të formuar qeverinë e ka të drejtë koalicioni PAN ose ndryshe koalicioni i Luftës (PDK, AAKR dhe NISMAI), ai nuk i ka votat e mjaftueshme për të krijuar shumicën, edhe sikur të bëhet aleat me listën serbe me 20 deputetë. Praktikisht Albin Kurti fitoi mbi të gjithë, në Kosovën e vitit 2017, shumë vite pas pavarësisë.
Por çfarë tha e çfarë bëri Albin Kurti dhe Vetëvendosja që arriti deri këtu.
Në Prishtinë, por dhe në Tiranë, e shikonin si njeriu që kërkonte ta ndërtonte aksionin e tij politik, duke mohuar gjithçka që të tjerët bënin në Kosovë. Por në këto zgjedhje, Albin Kurti u shpall si një politikan i profilit social demokrat, që zhvillimin ekonomik nuk e shikonte të ndarë nga drejtësia sociale, ndaj programi i tij ishte i detajuar dhe përfshinte shumë nisma e projekte konkrete, që lehtësonin jetën e çdo shtrese. Ndërkohë qeverisja lokale e Prishtinës nga Vetëvendosja, u tregoi kosovarëve se Albin Kurti nuk është njeriu që është kundër gjithçkaje, por është për gjithçka që ka qendër të politikës barazinë. Ai vetë është shprehur se nuk ka rëndësi se sa i aftë je të bësh shtet (duke e akuzuar se me protestat po çon ujë në mullirin e Beogradit) por se për çfarë shteti duhet bërë. Në Kosovën e lodhur nga korrupsioni, papunësia dhe varfëria, programi i Albin Kurtit ngjiti me programin qeverisës të njeriut që vepron.
Nga ana tjetër, Vetëvendosja megjithëse agresive, në politikat që nuk i pëlqenin doli profetike në sytë e qytetarëve të Kosovës. Ajo kishte paralajmëruar se privatizimet po bëheshin korruptive, se korrupsioni kishte kapur pushtetin dhe se nga dialogu me Serbinë, Prishtina po jepte koncesione plus. Me ngjarjet që ndodhën më pas, koha i vërtetoi thëniet e Vetëvendosjes dhe shtetasit e Kosovës i thanë votën pro si shenjë revolte ndaj partive tradicionale që qeverisin që pas pavarësisë
Albin Kurti posaçërisht i qëndroi besnik bindjeve. Të tjerët e gjykonin atë dhe Vetëvendosjen si lëvizje që kërkon pushtet, paçka se Albin Kurti thoshte se nuk është pushteti kauza e tyre, por shteti. Kjo u vërtetua kur Vetëvendosja nuk i shkeli vijat e kuqe që lidheshin me demarkacion me Malin e Zi dhe asosacionin e komunave serbe edhe pse mohimi i saj mund ta kishte sjellë në pushtet përmes një koalicioni partish opozitare.
Për këto arsye, shqiptarët e Kosovës e “nderuan” Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen si forcë të parë politike që i takon moralisht dhe politikisht e drejta për të qeverisur.
Koalicioni i mandatuar i parë për të krijuar qeverinë, përpara se të bëjë kalkulime votash për të formuar shumicën duhet më parë t’i drejtohet Albin Kurtit. Së pari, politikisht, se ai është fituesi dhe ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve që do t’i garantonte qeverisë së re stabilitet dhe Kosovës më shumë qetësi sociale dhe së dyti, kanë një detyrim moral, që përpara se të qeverisin me serbët, që siç thotë Vetëvendosja do ta kthenin Kosovën me dy kryeqytete, një Prishtina dhe i dyti Beogradi, më mirë mbështetuni te shqiptari Albin Kurti. Ndoshta ai dhe Vetëvendosja nuk pranojnë të qeverisin me ata që i quan: “hajni”, ndoshta programi i tyre qeverisës nuk përputhet me të tyren, por në Kosovë qytetarët e thanë vendimin e tyre me votë për Albin Kurtin; tani e ka radhën Albin Kurti të shprehet si kryeministër .