Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Zgjedhjet 2017, ekonomia në garën e partive politike

$
0
0

Taksa më të ulëta, paga më të larta, më shumë vende pune dhe mbështetje për sektorët prioritarë të ekonomisë. Çfarë i bashkon dhe ndan programet e partive politike për mandatin katërvjeçar 2017-2021

Marrëveshja mes Ramës dhe Bashës përveçse ka krijuar një klimë më të relaksuar politike në këtë fushatë zgjedhore, ka krijuar edhe mundësinë që subjektet politike ta zhvendosin vëmendjen te programet dhe premtimet e tyre për ekonominë. Opozita e cila synon të sjellë një “Republikë të re” e ka në krye të fushatës ekonominë. Kjo është e dukshme edhe vizualisht pasi edhe slogani i saj për këtë fushatë ka si kryefjalë ekonominë. Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurt. Por nuk është vetëm opozita e përqendruar tek ekonomia. Shumica e majtë në kërkim të një mandati të dytë po ashtu garon si me të djathtën edhe në mes vetes po me ekonominë. Edhe socialistët nëpërmjet dy ministrave më kryesorë të linjës, ajo e ekonomisë Milva Ekonomi dhe ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj kanë folur këto ditë për taksa më të ulëta, ndonëse nuk janë aq radikalë sa planet opozitare për taksat. Po ashtu, pjesë e fushatës janë edhe rritja e planifikuar për ekonominë, ulja e borxhit publik, shtimi i investimeve buxhetore, rritja e pagave e deri te mbështetjet e programuara për sektorët prioritarë të ekonomisë si bujqësia e turizmi. Pjesë e garës me premtime ekonomike janë edhe LSI e PDIU, të cilat po ashtu fokusin e kanë te këto tema dhe një gur të fortë të fushatës kanë premtimet për më shumë vende pune. Madje kryetari i LSI, Petrit Vasili, tha dy ditë më parë se forca e tij politike nuk ka garë me askënd pasi gara e saj e vërtetë është lufta për punësim dhe uljen e varfërisë.

Taksa më të ulëta

Partia Demokratike ka programin me radikal sa i takon uljes së taksave. Mbi bazën e projektit të hartuar nga ekspertët e djathtë me asistencën e homologëve të tyre gjermanë sistemi fiskal i vendit planifikohet të ketë ndryshime radikale. Rikthimi i taksës së sheshtë por edhe një ulje e TVSH me 5 pikë përqindjeje janë dy ndryshimet themelore që synojnë të sjellin demokratët me programin e tyre i cili tashmë po shpaloset në të gjitha takimet elektorale që kryetari Basha ka në bashkitë e vendit. Basha dhe ekipi i tij shprehen se do të ulen taksat, duke shtuar paratë në xhepat e qytetarëve. “Me uljen e taksave, me uljen e TVSH-së e cila do të gjenerojë çdo vit 400 milionë euro më shumë në xhepat e shqiptarëve me rritje konsumi, rritje të fuqisë blerëse, me taksën e sheshtë 9%, do të sigurojmë qindra milionë euro kapitale dhe kreditime të ekonomisë. Këto do të kthehen në vende pune, në punësim, në pozitivitet dhe rritje ekonomike”, është shprehur Basha. Kreu i demokratëve është shumë i vendosur në programin e tij ekonomik që jo rastësisht e ka kalin më të fortë të kësaj fushate. Ai nuk ka rendur së përsërituri: “Unë do të jem kryeministri i ekonomisë dhe do të punojmë për rritjen ekonomike të vendit. Ulja e taksave, ulja e TVSH-së në 15 për qind, që u kthejmë shqiptarëve 400 mln euro në vit, taksën e sheshtë 9 për qind, qindra-miliona euro, që biznesi ose i paguan dhe i merr Rama i bën palma, ose është në informalitet ose është i falimentuar”, thotë Basha.

Duke qenë përballë një kundërshtari kaq agresiv sa i takon uljes së taksave edhe Partia Socialiste ka folur publikisht për taksa më të ulëta, ndonëse ajo vijon të qëndrojë fort në filozofinë e saj fiskale për taksën progresive që e vendosi sapo erdhi në pushtet katër vjet më parë. Megjithatë ndryshime priten. “Do të vijojmë të kemi tatimfitimin në nivelin aktual, por do të ulim në 6 për qind dividentin”, ka deklaruar pak ditë më parë ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Po ashtu ai ka deklaruar se taksa mbi pagat e larta do të ulet në 18 për qind, ndërsa tatimfitimi për kompanitë e softwareve do të bëhet 5 për qind. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe ministrja aktuale e ekonomisë. “Ne do të vazhdojmë të mendojmë për tatim progresiv. Tatim progresiv do të thotë që ai që merr më shumë, duhet të paguajë më shumë dhe ai që merr më pak, të paguajë më pak. Por, tatimi progresiv mbi të ardhurat personale që shkon përtej 23% tani, do të zbresë në 18%”, ka deklaruar ministrja Milva Ekonomi. Socialistët thonë se janë shumë më të moderuar në uljen e taksave pasi sipas tyre vetëm kështu mund të garantohet një objektiv tjetër që ata kanë: ulja e borxhit publik. “E gjitha do të ndodhë ndërsa ne ulim borxhin. Po të shikoni propozimet e partive të tjera, ato nuk e marrin parasysh borxhin. Të rrisësh borxhin sot është të ngarkosh qytetarët me fatkeqësi”, shprehet ish-ministri Ahmetaj.
Mjaft i fokusuar në uljen e taksave është edhe programi i LSI, i cili ndonëse nuk flet për ndërhyrje radikale ka ulje të pjesshme taksash shumë domethënëse. “Ne bëjmë zero TVSH për produktet bujqësore dhe bëjmë zero për qind edhe tatimin mbi fitimin në bujqësi”, ka deklaruar kreu i LSI, Petrit Vasili. Duke cituar programin ekonomik të LSI-së Vasili thotë se parashikohet ulje e taksave, ku për kategorinë e punonjësve të cilët marrin një pagë deri në 35 mijë lekë, tatimi mbi fitimin do të jetë 0. Për kategorinë e punonjësve që paguhen nga 35 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, tatimi mbi të ardhurat do të jetë 8% nga 15% që është aktualisht. Ndërsa për punonjësit që marrin një pagë mbi 200 mijë lekë, tatimi mbi fitimin do të jetë 10%. Për sa i përket taksimit të bizneseve, LSI premton që për biznese të cilat kanë një xhiro vjetore deri në 20 milionë lekë, taksimi do të jetë 5% nga 15% që është aktualisht. Për bizneset me xhiro vjetor nga 20 milionë në 100 milionë lekë, tatimi i tyre do të jetë 8% nga 15% që është aktualisht ndërsa për bizneset me xhiro vjetore mbi 100 milionë lekë, tatimi do të jetë 10% nga 15%. “Për ta kuptuar edhe shqiptari më i fundit, do të jetë 3 herë më pak nga ai që është aktualisht në masën 15%. Bizneset me xhiro vjetore nga 20 milionë lekë deri në 100 milionë lekë do të kenë një tatim fitimi 8% nga 15% që është aktualisht. Pra, thuajse një përgjysmim të menjëhershëm. Dhe biznes me xhiro vjetore mbi 100 milionë lekë do të kenë një tatimfitimi 10% nga 15% që është aktualisht”, thotë kryetari i LSI-së, teksa flet për taksimin e biznesit.

Më shumë punësim

Gara më e fortë e partive politike është e përqendruar te hapja e vendeve të punës. Kjo bëhet edhe më e prekshme sepse secili nga subjektet politike flet dhe argumenton mbi shifra konkrete, të cilat janë në të njëjtën kohë edhe një argument për të sulmuar kundërshtarin për mungesë realizmi. Në krye të premtimeve mund të renditen socialistët, të cilët kanë ardhur me premtimin për 220 mijë vende të reja pune. “Përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike, zbatimi i Reformës në Drejtësi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve shtetërore, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, aplikimi i politikave nxitëse në sektorët prioritarë, si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës, do të jenë faktorët kryesorë që do të mundësojnë krijimin e 220 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e dytë. Ne e konsiderojmë punësimin si një e drejtë e patjetërsueshme e çdo qytetari të aftë për punë”, thuhet në programin e PS. Në prezantimin e programit socialist ish-ministri i Financave
Arben Ahmetaj deklaronte: “Ne garantojmë 220 mijë vende të reja pune dhe do të ulim për herë të parë papunësinë në nivelin një shifror”. Ndërsa Olta Xhaçka, ministre e Mirëqenies Sociale ka deklaruar se “Prioriteti ynë për 4 vitet e ardhshme do jenë të rinjtë, do nxisim punësimin e tyre”.

Edhe LSI ka një premtim të saj për punësimin. “Nga 170 mijë vende të reja pune të programuara me saktësi në plan, 100 mijë vende të reja pune të mirëpaguara janë menduar vetëm për të rinjtë”. Ky plan i bën të rinjtë që të gjejnë arsye të mëdha për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu pasi po e them të parë dhe mbi të gjitha, një premtim thellësisht të bazuar dhe të menduar, që ka të bëj me punësimin e tyre, e ku nga 170 mijë vende të reja të pune të planifikuar dhe të programuar me shumë saktësi në planin tonë, 100 mijë vende të reja pune të mirëpaguara janë menduar dhe orientuar vetëm për të rinjtë”, ka thënë kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Ndërkohë nga opozita ende nuk ka një shifër të përcaktuar se sa vende pune do të hapen. Megjithatë edhe për demokratët punësimi është një çështje e ndjeshme dhe e përfshirë në premtimet elektorale, por edhe e ndërlidhur me masat e tjera vecanërisht me uljen e taksave. “Ne do të hapim vende pune, do të hapen fabrika për shkak të taksës më të ulët në Ballkan”, ka deklaruar kreu i PD, Lulzim Basha.

Jashtë garës së shifrave të punësimit nuk kanë mbetur as partitë e tjera. PDIU duke luftuar që të paraqesë programin e një partie me ndjeshmëri kombëtare e shikon burimin e më shumë vendeve të punës në zgjerimin e tregjeve shqiptare në vendet fqinje, atje ku ka shqiptarë. Duke kundërshtuar premtimet e partive të tjera, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaron “300 mijë vende pune nuk përputhet me realitetin. Në programin tonë parashikohet hapja e100 mijë vende pune. Është një mundësi e jashtëzakonshme, për biznesin shqiptar, për biznesin e Kosovës dhe Maqedonisë që të kemi një treg të përbashkët për 7 milionë shqiptarë. Kjo do të bëjë që biznesi të zhvillohet, të ketë më shumë produkte, do sjellë konsum më të madh dhe normalisht do të rritet edhe punësimi”.

Rritja e pagave e pensioneve

Me përgjigjen se ulja e taksave sjell më shumë të ardhura duke luftuar informalitetin e lartë në ekonomi, gjë e cila është vërtetuar edhe gjatë mandatit qeverisë së PD tetë vjet më parë, tashmë partitë politike e kanë të lehtë të flasin njëkohësisht edhe për taksa të ulëta por edhe për rritjen e pagave dhe të investimeve buxhetore. Në këtë drejtim të gjitha partitë e mëdha nuk janë “kursyer” me premtimet e tyre, ndonëse rritjet e pagave dhe të pensioneve gjatë mandatit të parë të socialistëve kanë qenë shumë më modeste se në qeverisjen e të djathtëve para tyre. Megjithatë sipas programit që kanë publikuar pak javë më parë socialistët premtojnë se do të rrisin rrogat në shtet me 40 për qind. Por nuk është vetëm rritja e pagave për punonjësit e administratës premtimi i vetëm socialist. Një ndërhyrje tjetër që premtohet është edhe rritja e pagës minimale. “Brenda mandatit të dytë, paga minimale do të arrijë 30 mijë lekë”, thuhet në programin e PS. Socialistët parashikojnë në të njëjtën kohë që të japin ndihmë e mbështetje sociale si për familjet e reja, ashtu edhe më shumë shpërblime për pensionistët. “Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliardë lekë dhe 7-10 mijë lekë çdo fundvit për çdo pensionist! Kujdesi ndaj moshës së tretë gjatë mandatit të parë do të vazhdojë të theksohet edhe në mandatin e dytë”, thuhet në programin socialist.

Ndërkohë demokratët vijnë edhe më bujarë sidomos me pensionistët. “E nesërme e sigurt do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për pensionistët, ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë pa diskriminim dhe jo lëmoshë. Fatura e energjisë për konsumin familjar dhe fatura e ujit për konsumin familjar do të paguhet si shtesë në të gjitha familjet në nevojë ekonomike. Kjo është Republika e Re”, ka deklaruar Lulzim Basha. Ndërkohë në programin e LSI edhe nuk ka shifra konkrete për rritjen e pagave e të pensioneve ka një integrim të këtij drejtimi me mbështetjen sociale dhe mundësitë e ndërhyrjes në sistemin fiskal apo edhe në subvencionimet buxhetore janë parë si një mundësi për më shumë të ardhura për qytetarët. 

Mbështetja për bujqësinë e turizmin

Një ndër pikat që i bashkon programet e partive politike është edhe mbështetja që shteti duhet të japë në formë subvencioni për ekonominë. Nuk ka ndonjë hezitim që dy degët më kryesore të cilat duhen nxitur dhe mbështetur janë bujqësia dhe turizmi. “Bujqësia, një sektor prioritar! Ne do të konfirmojmë mbështetjen e bujqësisë ku përveç vazhdimit të politikave të aplikuara gjatë mandatit të parë, do të synohet zhvillimi cilësor i sektorit duke arritur një raport më të drejtë midis kontributit të bujqësisë në PBB, në punësim si dhe shtimin e vlerës së produkteve bujqësore (përmes përpunimit apo varieteteve të përmirësuara). Do të përfundojmë procesin e shpërndarjes së certifikatave të pronësisë së pronës bujqësore brenda mandatit të dytë qeverisës. Një paketë financimi 232 milionë dollarë socialistët e premtojnë vetëm për Bujqësinë”, thuhet shprehimisht në programin e Partisë Socialiste. Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj thotë se së bashku me projektet europiane plani i financimit për bujqësinë përbën një paketë 300 milionë eurosh investime të parashikuara për 4 vitet e ardhshme nëpërmjet programit me BE, IPARD. “Programi ynë për bujqësinë ka në themel mbështetjen për fermën dhe fermerin, duke nxitur fermat në njësi më të madhe se 5 hektarë, për të promovuar një ekonomi shkalle më produktive”, deklaron Arben Ahmetaj.
Ndërkohë në qendër të programit e ka vënë bujqësinë edhe PD. “Fermerë shqiptarë, Republika e Re do të garantojë që prodhimet tuaja kurrë më të mos kalben e të mbeten pa shitur. Taksa të ulëta, stazhe për 10 mijë lekë të rinj, subvencione për fermerët, mbështetje për ata që hapin vende pune, hapje fabrikash, do të kenë mbështetje direkte financiare. Ky është plani ekonomik. Kjo është e vërteta e kryeministrit të ekonomisë, kryeministrit që do jem unë me votën tuaj. Nuk do të merremi me barsoleta e fasada. Koha e palmave do të mbarojë. Do të zgjidhim problemet e shqiptarëve”, thotë Lulzim Basha. Partia Demokratike thotë se ka një projekt plotësisht të realizueshëm, edhe pse ambicioz, që do të transformojë bujqësinë duke nxjerrë nga varfëria ku janë zhytur zonat rurale. 150 milionë euro do të investohen nga buxheti i shtetit çdo vit për këtë sektor. 100 milionë euro parashikohen të lëvrojnë në formën e subvencioneve direkte për çdo familje fermere, bazuar vetëm mbi prodhimin e tyre. 50 milionë euro të tjera do të vijnë në formë investimesh në infrastrukture, vaditje, kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore. “Fermerët e mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se në Republikën e Re kanë 100 milionë euro subvencione çdo vit për ta. 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto do destinohet për të financuar fermerët, pa sekserë, pa burokraci, pa NIPT. Ne do të hapim vende pune, do të hapen fabrika për shkak të taksës më të ulët në Ballkan”, ka deklaruar kreu i opozitës Basha. ​

Një qasje të përafërt për subvencionet në ekonomi ka edhe LSI. “Nga 2 miliardë euro që realizon prodhim bujqësor në vit në Shqipëri, të kalojë në 4 miliardë euro. Ju e kuptoni që ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe me një impakt të menjëhershëm ekonomik i cili preket nga mijëra dhe mijëra fermerë dhe familje që jetojnë në zonat rurale, ide të cilat përbëjnë realisht 50% të popullsisë shqiptare. Kjo do të realizohet duke patur parasysh shifra të cilat janë konsistente, të realizueshme dhe realiste. Pra, vendosja e 250 milionë dollarëve në vit vetëm për bujqësinë të shpërndarë në të gjitha segmentet që përbëjnë prodhimin bujqësor”, thuhet në programin e LSI-së. Po kaq e përqendruar është kjo forcë politike edhe te turizmi. “Heqja e të gjitha tatimeve dhe të gjitha ngarkesave fiskale për 5 vjet për këdo që zhvillon turizmin në zona të thella malore, në zona të thella rurale, është një stimul për të aktivizuar potenciale dhe resurse aspak të zhvilluara deri tani”, ka deklaruar kreu i LSI, Vasili. Sipas tij bujqësia ka një potencial për 50 mijë vende të reja pune, ndërkohë që mbështetja e turizmit mund të sjellë sipas tij edhe po aq, pra 50 mijë vende të tjera pune. Ndërkohë i përfshirë në këtë debat, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi kërkon një pakt kombëtar për të mbështetur këta sektorë të ekonomisë. “Në kërkojmë nisjen e një diskutimi të madh publik për të caktuar cili është profili i ekonomisë shqiptare. Specialistët dhe biznesi duhet të mblidhen dhe të përcaktojnë se kush është profili i ekonomisë shqiptare. Turizmi dhe bujqësia janë avantazh konkurrues i Shqipërisë, të gjithë investimet, të gjitha iniciativat fiskale duhet të përqendrohen në këtë drejtim”, ka deklaruar Idrizi.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles