Kryeministri Edi Rama konsumoi një kafe në një lokal në zonën e ish-Bllokut, ndërsa rrjeti ka nisur të pyesë nëse vetë Rama e ka marrë apo jo kuponin tatimor.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj, dhe drejtorin e komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, e nisën ditën duke konsumuar një kafe në zonën e ish-Bllokut.
Ishte një kafe që zgjati pak minuta, e pirë prej shefit të qeverisë shqiptare për të sensibilizuar qytetarët në kuadër të operacionit kundër informalitetit.
Pasi ka paguar dhe marrë kuponin tatimor, Rama shpjegoi rëndësinë e tërheqjes së tij duke e ilustruar me shifra: “Merrni kuponin tatimor sepse shqiptarët, nga konsumimi i 1 milion kafeve, humbin 61 milionë dollarë”.
Mësohet se ditët në vijim do të jenë sensibilizuese për qytetarët dhe vetë bizneset në luftën kundër informalitetit. Shefi i qeverisë shqiptare e ka cilësuar si “operacioni më i rëndësishëm i mandatit të kësaj qeverie”, duke u vënë vetë në krye të tij.