Rreth 250 mijë persona të punësuar, të cilët paguhen me pagë minimale, tashmë 24 000 lekë do të përfitojnë nga vendimi i qeverisë edhe në masën e kontributeve shoqërore.
Efektet, të cilat janë bërë aktive në fillim të këtij muaji, i sqaron për “Shekulli”-n, nëndrejtori i Institutit të sigurimeve shoqërore Ali Emini, i cili thotë se ndikim përfitues në masën e pensionit do të edhe ata persona që marrin rrogë maksimale.
Kjo e fundit, është rritur me 8800 lekë. “Duke filluar nga 5 maji, edhe paga minimale për efekt të pagimit për kontribute nga 22 mijë lekë që ishte bëhet 24 mijë lekë. Po kështu rritje do të ketë edhe paga maksimale. Nga 97 mijë lekë që ishte shkon në 105 800. Kontributi minimal shoqëror plus shëndetësor është 6 690 lekë”,- sqaron Emini.
Por, kontributi mbi bazën e pagës nuk është i vetmi që ka ndryshuar. Tashmë edhe ata që duan të blejnë kontribute vullnetare paguajnë në bazë të vendimit të ndryshuar të këshillit të ministrave dhe në disa raste përfitojnë zbritje.
“Për shkak të rritjes së pagës minimale në shkallë vendi ka pësuar rritje natyrisht edhe ajo që ne e quajmë tarifa e pagesës për të blerë një vit sigurim vjetor vullnetar. Kontributi mujor për sigurim vullnetar 5 181 lekë. Kurse kontributi vjetor llogaritur mbi këtë kontribut mujor rezulton të jetë 62208 lekë.
Në qoftë se ky kontribut paguhet menjëherë, pra vjetor ka zbritje 6 për qind. Në qoftë se paguhet për periudhë 6-mujore, ka zbritje 3 për qind”.
Me VKM-në e fundit të qeverisë kontributet mbi pagën mund të paguhen deri në datën 20 të muajit pasardhës.
Si përfitohet zbritja
Përpos kategorisë së punonjësve që paguhen me pagë minimale, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka vënë në zbatim edhe një formë tjetër aplikimi për të vetëpunësuarit, si dhe emigrantët që jetojnë jashtë vendit. Të vetëpunësuarit të cilët duan të blejnë kontributet vullnetare mund të përfitojnë në rast se bëjnë pagesa të menjëhershme dhe të plota për periudhë 6-mujore ose 12-mujore.
Pagesat për 6 muaj ose një vit njëherësh sipas nëndrejtorit të ISSH, Ali Emini bëhen me uljen prej 3-6për qind të shumës vjetore. “Për shkak të rritjes së pagës minimale në shkallë vendi ka pësuar rritje dhe ajo që ne e quajmë tarifa e pagesës për të blerë një vit sigurim vullnetar.
Kontributi mujor për sigurim vullnetar është 5184 lekë. Kurse kontributi vjetor llogaritet mbi këtë kontribut mujor rezulton të jetë 62 208 lekë. Nëse ky kontribut paguhet menjëherë ka një zbritje 6për qind, nëse paguhet në 6 muaj ka zbritje 3 për qind”, tregon Emini, duke bërë thirrje në këtë mënyrë për të gjithë personat që interesohen që pensioni i tyre të jetë i plotë dhe pa probleme në momentin e aktivizimit kur ata mbushin moshën.
Kontributi vullnetar mund të paguhet nga kushdo që ka mundësinë të blejë vitet e punës për të cilat nuk ka një limit. Tarifa e pagesës për sigurimin vullnetar llogaritet në bazë të pagës minimale të vitit korrent.
Pensionet e reduktuara
Kuota mujore e sigurimit vullnetar ishte deri në 5 maj 4752 lekë në muaj ose 57.024 lekë në vit, që i korrespondonte pagës minimale mujore: 22 000 lekë x 21.6 për qind. Sipas ISSH-së, për 9-mujorin e vitit që lamë pas, rezultojnë të jenë siguruar vullnetarisht 7358 persona, nga 7892 që janë siguruar në vitin 2015.
Rreth 3430 kontribuues vullnetarë janë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ndërkohë, kategoritë që për arsye të ndryshme nuk mund të presin mbushjen e moshës së kërkuar për të dalë në pension, kanë të drejtë që të aplikojnë për përfitime të reduktuara.
Konkretisht, këta persona kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, vetëm kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.
Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj./Shekulli/