Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Mentaliteti antikapitalist

$
0
0

Nga Ludwig von Mises*

Gazeta MAPO vijon botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të njohur austriak Ludwig von Mises, të përkthyer nga profesor Adrian Civici. Në këtë pjesë ai flet për produktivitetin dhe epërsinë e kapitalizmit. Ai shkruan se kooperimi social në kuadrin e ndarjes së punës është i vetmi dhe i fundit burim i suksesit të njeriut në kuadrin e luftës së tij për mbijetesë dhe përpjekjeve për të përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur kushtet materiale të mirëqenies së tij. Por, duke mbajtur në konsideratë defektet dhe specifikat e natyrës njerëzore, shoqëria nuk mund të ekzistojë nëse nuk ka rregulla dhe nuk merren vendime që pengojnë individët e padisiplinuar të kryejnë veprime që nuk përshtaten me jetën në komunitet.

Kapitali nuk është dhuratë bamirësie nga Zoti apo natyra. Ai buron nga ato që njeriu redukton në mënyrë të vullnetshme nga konsumi i tij. Kapitali krijohet dhe shtohet nga kursimet dhe ruhet si i tillë nga abstenimi për të konsumuar kursimet. As kapitali në tërësi dhe as “produktet”, domethënë asetet që e përbëjnë atë, nuk kanë fuqi të shtojnë produktivitetin e burimeve natyrore dhe të fuqisë punëtore. Vetëm nëse frytet e kursimit përdoren apo investohen në mënyrë inteligjente krijohen mundësitë për rritjen e prodhimit për njësi të lëndëve të para apo punës së përdorur. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë kemi të bëjmë me ineficiencë dhe shpërdorim. Akumulimi i kapitaleve të reja, ruajtja e kapitaleve të akumuluara dhe përdorimi i kapitalit me qëllim rritjen e produktivitetit të punës janë fryte të një veprimi njerëzor të mirëmenduar. Nga njëra anë, ato janë rezultat i sjelljes ekonomike të njerëzve që kursejnë dhe arrijnë të shmangin konsumin e kursimeve të tyre, që në këtë rast janë kapitalistët (që përfitojnë interesat); dhe nga ana tjetër, të atyre që arrijnë suksesin duke përdorur kapitalin disponibël për plotësimin e kërkesave të konsumatorëve, domethënë, sipërmarrësit (që marrin fitimin).

As kapitali (apo mallrat kapitalë), as sjellja e kapitalistëve me sipërmarrësit në raport me kapitalin, nuk mund ta përmirësojnë nivelin e jetës së pjesës tjetër të popullsisë, nëse kjo e fundit, e përbërë nga njerëz që nuk janë as kapitalistë dhe as sipërmarrës, nuk reagon në mënyrën e duhur. Nëse të punësuarit, domethënë punonjësit, sillen ashtu si e përshkruan në mënyrë të dyshimtë sjelljen e tyre “ligji i hekurt i pagave” dhe do t’i përdorin të ardhurat e tyre vetëm për ushqim dhe lindje fëmijësh, atëherë, rritja e kapitalit të akumuluar do të çonte në rritjen e popullsisë.

Të gjitha përfitimet që rrjedhin nga akumulimi i kapitaleve suplementare do të absorboheshin nga rritja e popullsisë. Por njerëzit nuk reagojnë kundrejt përmirësimit të kushteve materiale të jetesës në mënyrë instiktive, ashtu si ndodh në botën e kafshëve apo mikrobeve. Ata njohin e shijojnë dhe shumë kënaqësi të tjera veç ushqimit dhe riprodhimit. Për pasojë, në vendet e civilizuara kapitaliste, rritja e kapitalit të akumuluar ecën më shpejt se rritja e popullsisë. Në mënyrë proporcionale rritet dhe produktiviteti margjinal i punës në raport me produktivitetin margjinal të faktorëve të prodhimit. Efekt i kësaj marrëdhënieje është tendenca e rritjes së pagave. Proporcioni i shumës totale të prodhimit që shkon për paga punonjësish rritet më shumë në raport me “interesin” e kapitalistëve dhe “rentën” e pronarëve të tokës.

Të flasësh për produktivitetin e punës ka kuptim vetëm nëse i referohesh nocionit të “produktivitetit margjinal të punës”, domethënë zvogëlimit të prodhimit neto shkaktuar nga eliminimi i një vendi pune. Në këtë sens, kjo i referohet një “sasie” ekonomike të përkufizuar qartë, një sasie të përcaktuar mallrash ose ekuivalentit të tyre monetar.

Koncepti i produktivitetit të përgjithshëm të punës, në kuptimin e përdorimit të tij në debatet e gjera në lidhje me pretendimet mbi të drejtën natyrore të punëtorëve për të përfituar shumën totale të rritjes së produktivitetit, është i pakuptimtë dhe i papërcaktueshëm. Ai frymëzohet nga iluzioni i ekzistencës së mundësisë të një përcaktimi të qartë të të ardhurave në funksion të kontributit të dhënë nga faktorët e ndryshëm prodhues që kanë marrë pjesë në fabrikimin e tij.

Nëse presim një fletë letre me gërshërë, është e pamundur ta ndajmë rezultatin e këtij procesi ndërmjet kontributit të gërshërës (apo akoma më shumë ndërmjet krahëve të saj) dhe dorës që e përdor atë. Po kështu, për prodhimin e një veture nevojiten shumë makineri e pajisje, lëndë të para të ndryshme, puna e mjaft punonjësve, dhe mbi të gjitha, duhet një projekt i plotë inxhinierik dhe pamor. Por, në fund të fabrikimit të saj, askush nuk ka mundësi të përcaktojë përqindjen e kontributit individual të çdo faktori, aq më tepër që gjithë proceset e prodhimit kërkojnë një shkallë të lartë kooperimi ndërmjet tyre.

Për ta thjeshtuar arsyetimin, mund t’i shmangim përkohësisht konsideratat e gabuara të trajtimeve populiste të këtij problemi dhe ta shtrojmë pyetjen në mënyrë direkte: Cili nga këta dy faktorë, puna e gjallë apo kapitali, ka ndikuar më shumë në rritjen e produktivitetit? Por, në qoftë se e pozojmë në këtë mënyrë, përgjigja e saktë duhet të jetë: kapitali.

Aktualisht, prodhimi i përgjithshëm i SHBA është më i lartë (PBB/frymë) si në raport me vetë SHBA e periudhave të mëparshme, ashtu dhe ndaj mjaft vendeve të tjera me ekonomi të zhvilluara apo në zhvillim – si p.sh., Kina – për faktin se punëtori amerikan ka në dispozicion mjete e makineri nga më të mirat. Nëse pajisja me kapital (për çdo punonjës) nuk do të ishte më e bollshme në raport me tre shekuj më parë, apo në raport me nivelin e saj aktual në Kinë, PBB/frymë e SHBA nuk do të ishte kaq e lartë. Për ta rritur akoma më tepër atë, në mungesë të rritjes së numrit të punonjësve aktivë, është e nevojshme investimi i kapitaleve suplementare, akumulimi i të cilave ka si burim kryesor kursimin. Ata që duhen falënderuar për shumëfishimin e produktivitetit total të punës, janë pikërisht ata që kursejnë dhe investojnë.

Shkaku i rritjes së masës së fitimit që transferohet si pagë për njësinë e punës për punonjësit në kuadrin e rritjes së prodhimit si pasojë e akumulimit të kapitaleve shtesë, buron nga fakti se përqindja e akumulimit të kapitalit e tejkalon përqindjen e rritjes së popullsisë. Doktrina zyrtare e kalon në heshtje këtë fakt, bile akoma më keq, e mohon kategorikisht atë. Por, sjellja dhe politikat e sindikatave dëshmojnë qartë se drejtuesit e tyre janë plotësisht të ndërgjegjshëm se teoria që ata denoncojnë publikisht si apologji e borgjezisë, është korrekte. Nëpërmjet ligjeve antiemigracion, ata dëshirojnë të kufizojnë numrin e punëkërkuesve në degët e ndryshme të ekonomisë në vendet e tyre, duke kërkuar vazhdimisht frenimin e ardhjes së punëtorëve të rinj.

Fakti që rritja e masës së pagës për njësi pune nuk varet nga “produktiviteti” i punëtorit individual, por nga produktiviteti margjinal i punës, demonstrohet qartë nga fakti se masa e pagave për njësi pune është rritur dhe në atë kategori punësh në të cilat “produktiviteti” i individit nuk ka ndryshuar fare. Ekzistojnë aq shumë lloje punësh, ku provohet një konkluzion i tillë. Një berber e qeth apo e rruan sot klientin e tij pothuajse njësoj si paraardhësit e tij përpara dy shekujsh. Një “butler” i shërben sot kryeministrit britanik njësoj si homologët e tij i shërbenin dy shekuj më parë kryeministrave William Pitt dhe Lord Palmerston. Në bujqësi, disa lloj punësh kryhen akoma me të njëjtat mjete si disa shekuj më parë. Dhe megjithatë, madhësia e pagës që përfiton kjo kategori punonjësish është aktualisht shumë më e lartë se në të shkuarën. Kjo ndodh për faktin se pagat përcaktohen nga produktiviteti margjinal i punës. Punëdhënësi i një butleri dëshiron të evitojë largimin e këtij punonjësi drejt uzinave apo vendeve të tjera të punës dhe për këtë arsye e paguan atë me një pagë ekuivalente me atë të uzinës, domethënë, me një pagë që shpreh edhe produktivitetin margjinal të punës në uzinë. Nuk është aspak meritë e butlerit ajo që shkakton rritjen e pagës së tij, por e faktit se rritja e kapitalit të investuar është më e madhe se rritja e numrit të punonjësve.

Të gjithë doktrinat pseudoekonomike që nënvlerësojnë kursimin dhe akumulimin e kapitalit janë absurde. Shkaku përse shoqëritë kapitaliste janë më të pasura se shoqëritë jokapitaliste i dedikohet tërësisht faktit se sasia e mallrave kapitale të disponueshme është më e lartë në shoqëritë kapitaliste se në shoqëritë e tjera. Përmirësimi i nivelit të jetës dhe pagave të punonjësve në shoqërinë kapitaliste buron nga fakti se niveli i kapitalit për çdo individ të punësuar është rritur vazhdimisht.

Kjo është arsyeja e vërtetë përse një pjesë gjithnjë e më e madhe e shumës totale të të mirave materiale të prodhuara shkon në “xhepat” e punonjësve. Asnjë nga deklamimet e zjarrta të Marksit, Keynesit dhe një turme autorësh të tjerë më pak të njohur, nuk ka mundur të tregojë ndonjë pikë të dobët të pohimit sipas së cilit “e vetmja mënyrë për rritjen permanente të pagës për njësinë e punës për gjithë të punësuarit është rritmi i rritjes së kapitalit disponibël në raport me popullsisë”. Nëse kjo është “e padrejtë”, atëherë përgjegjësia i takon natyrës dhe jo njeriut. 

  1. “Paragjykimi borgjez” për lirinë

Historia e civilizimit perëndimor mishërohet më shumë se gjithçka në një luftë të paepur për lirinë.

Kooperimi social në kuadrin e ndarjes së punës është i vetmi dhe i fundit burim i suksesit të njeriut në kuadrin e luftës së tij për mbijetesë dhe përpjekjeve për të përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur kushtet materiale të mirëqenies së tij. Por, duke mbajtur në konsideratë defektet dhe specifikat e natyrës njerëzore, shoqëria nuk mund të ekzistojë nëse nuk ka rregulla dhe nuk merren vendime që pengojnë individët e padisiplinuar të kryejnë veprime që nuk përshtaten me jetën në komunitet. Në mënyrë që të garantohet kooperimi paqësor, duhet të jemi gati dhe të pranojmë kundërshtimin dhe bllokimin me forcë të kujtdo që cenon paqen.

Shoqëria nuk mund të privohet nga institucionet sociale të bashkëpunimit, kontrollit dhe shtrëngimit, domethënë, nga Shteti dhe qeveria. Në këto kushte evidentohet një problem i ri: çfarë duhet bërë që personat e ngarkuar me funksione qeverisëse të mos abuzojnë me pushtetin e tyre dhe mos t’i katandisin të tjerët në vartës të skllavëruar. Qëllimi i gjithë luftërave në emër të lirisë ka në thelb vendosjen e disa kufizimeve ndaj mbrojtësve të armatosur të paqes, qeveritarëve dhe agjentëve të tyre. Koncepti politik i lirisë individuale nënkupton lirinë kundrejt veprimeve imponuese nga ana e pushteteve shtrënguese.

Ideali i lirisë ka qenë dhe mbetet specifikë e civilizimit perëndimor. Ajo që dallon Lindjen nga Perëndimi është para së gjithash fakti se popujt lindorë nuk e kanë “ushqyer” idenë e lirisë. Madhështia monumentale e Greqisë antike qëndron pikërisht në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve që garantonin lirinë. Kërkimet historike moderne kanë zbuluar se mjaft prej realizimeve shkencore që iu atribuoheshin helenëve, në fakt, janë me origjinë më të vjetër orientale. Por asnjëherë dhe askush, nuk e ka kontestuar faktin se ideja e lirisë e ka origjinën te polisi i Greqisë antike. Shkrimet e filozofëve dhe historianëve grekë u transmetuan te romakët, dhe më vonë në Europën moderne dhe Amerikë. Ajo u shndërrua në preokupimin themelor të të gjitha përpjekjeve të perëndimorëve për ndërtimin e një shoqërie të mirë dhe të drejtë. Liria “prodhoi” dhe i dha jetë filozofisë së laissez-faire, të cilës njerëzimi i dedikon arritjet e paprecedent të periudhës së kapitalizmit.

Qëllimi i institucioneve politike dhe juridike moderne është ruajtja e lirisë së individit kundër uzurpimit të saj nga qeveria. Qeveria legjitime dhe përfaqësuese, shteti i së drejtës, pavarësia e gjyqësorit kundrejt ndërhyrjeve administrative e politike, habeas corpus, përmirësimet e vazhdueshme juridike dhe eliminimi i gabimeve të akteve administrative, liria e shtypit dhe shprehjes, ndarja e Kishës nga Shteti, si dhe shumë veprime e reformime institucionale të kësaj natyre, synojnë një objektiv të vetëm: kufizimin e pushtetit imponues të funksionarëve të qeverisë dhe ruajtjen e individit nga arbitrariteti i pushtetit. Epoka kapitaliste zhduku gjithë mbeturinat e skllavërisë dhe robërisë. Ajo iu dha fund ndëshkimeve çnjerëzore dhe zvogëloi dënimet duke i reduktuar ato në minimumin e domosdoshëm për dekurajimin e keqbërësve. Ajo eliminoi torturat dhe presionet fizike e psikologjike shkatërruese kundrejt të dyshuarve dhe të akuzuarve. Kapitalizmi eliminoi tërë privilegjet duke zbatuar parimin e ligjit të barabartë për të gjithë. Kapitalizmi e shndërroi njeriun nga “subjekt të tiranisë” në “qytetar të lirë”.

Fryti kryesor i këtyre reformave dhe inovacioneve në lidhje me organizimin e shoqërisë dhe qeverisjen ishte përmirësimi drastik i kushteve materiale të jetesës. Heqja e privilegjeve, eliminimi i forcave imponuese dhe krijimi i kushteve reale për ushtrimin e lirisë individuale iu la dorë të lirë gjithë atyre që kishin shpirtin krijues dhe talentin e duhur për zhvillimin e industrive të reja, të cilat krijuan mundësinë për kushte gjithnjë e më të kënaqshme materiale për masa të mëdha njerëzish. Megjithëse, në këto 2-3 shekujt e fundit popullsia është shumëfishuar, numri i atyre që kanë përfituar një jetë më të mirë se paraardhësit e tyre, është shumëfishuar me ritëm akoma më të lartë.

Në mjaft vende të civilizimit perëndimor, kanë ekzistuar gjithmonë avokatë të tiranisë – të absolutizmit të monarkisë dhe aristokracisë, nga njëra anë dhe varësisë absolute të të gjithëve kundrejt një pushteti të përqendruar. Por, në epokën e Lumiéres, zëra të tillë u bënë gjithnjë e më të rrallë. Kauza e lirisë filloi të dominonte. Në gjysmën e parë të shek. XIX, avancimi i parimit të lirisë u bë i pandalshëm. Filozofët dhe historianët më të shquar ishin të bindur se zhvillimet historike drejt vendosjes së institucioneve që garantonin lirinë ishte aq i fuqishëm, sa asnjë intrigë apo makinacion nga ana e kampionëve të servilizmit nuk mund ta pengonte këtë tendencë drejt liberalizmit.

Në studimet që trajtojnë problematikën e filozofisë sociale liberale, ka ekzistuar gjithmonë një lloj hezitimi në vlerësimin e fuqisë dhe pushtetit të një faktori të rëndësishëm që ka punuar vazhdimisht në favor të idesë së lirisë, roli i jashtëzakonshëm i luajtur nga letërsia në edukimin e elitave në Greqinë antike. Ndërmjet autorëve grekë, gjenden dhe kampionë të idesë së “gjithëpushtetit” të qeverisë siç ishte Platoni. Por, linja kryesore e ideologjisë greke ishte “vrapimi pas lirisë”.

Sipas kritereve të institucioneve moderne, qytetet greke duhet të konsiderohen si struktura oligarkike. Liria që drejtuesit e lartë të Shtetit, filozofët dhe historianët grekë kanë glorifikuar si gjëja më e çmuar e njeriut, në fakt ishte një privilegj i rezervuar vetëm për një grup të vogël njerëzish. Në fakt, duke privuar nga liria métoikos dhe skllavët, grekët mbronin një ligj despotik në favor të një kaste oligarkike të trashëgueshme. Megjithatë, do të ishte gabim i madh të konsiderohen si të gënjeshtërta himnet dhe ditirambet greke për lirinë. Në mbështetje dhe në kërkim të lirisë, ato nuk ishin më pak të sinqerta se sa qëndrimet, dy mijë vjet më vonë, të pronarëve të skllevërve të cilët nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në Amerikë.

Nuk ka asnjë dyshim se ishte literatura politike e Greqisë antike ajo që iu dha jetë ideve të Monarchomachsve, filozofisë së Whigs, doktrinave të Althusius, Hugo de Grotius dhe John Locke, ideologjisë së baballarëve të Kushtetutave moderne dhe deklaratës së të drejtave të njeriut. Studimi i klasikëve ishte tipari esencial i edukimit liberal, i cili e mbajti në podium shpirtin e lirisë në Anglinë e Stjuartëve, në Francën e Burbonëve dhe Italinë e nënshtruar ndaj despotizmit të një konstelacioni princërish të ndryshëm. Edhe një personalitet si Bismarku, që, bashkë me Metternichun, konsiderohen si politikanët e lartë dhe shtetarët e shek. XIX kundërshtarë kryesorë të lirisë, e pranojnë faktin se në Prusinë e Friedrich Wilhelm III, edukimi bazë në Gymnasium, i cili konsiderohej si një nga bastionet e republikanizmit, mbështetej në literaturën greke e romake. Tentativat pasionante që synonin eliminimin e studimeve klasike të edukimit liberal nga programet shkollore dhe denatyrimin e përmbajtjes së vërtetë të tij, përbëjnë një nga shfaqjet kryesore të ringjalljes së ideologjisë së servilizmit.

Fatkeqësisht, ka vetëm më pak se një shekull, që disa njerëz të iluminuar e kuptuan forcën e parezistueshme të ideve antiliberale dhe penetrimin e rrezikshëm të tyre në shoqëri. Ideali i lirisë dukej aq shumë i rrënjosur në mendjen njerëzore, sa që të gjithë mendonin se nuk mund të ekzistonte asnjë lëvizje reaksionare, sado e fuqishme qoftë, që të kishte forcën të thante rrënjët apo priste degët e lirisë. Natyrisht, do konsiderohej aventurë e pashpresë çdo tentativë për të goditur hapur lirinë apo mbrojtur qëndrimet në favor të rikthimit të skllavërisë dhe bujkrobërisë. Por, antiliberalizmi depërton në shpirtin dhe mendjen e njerëzve i maskuar si superliberalizëm, si realizim dhe kurorëzim i vetë thelbit të lirisë, i veshur me petkun e socializmit, komunizmit dhe planifikimit.

Asnjë njeri inteligjent nuk mund të mos e kuptojë se socialistët, komunistët dhe mbrojtësit e zjarrtë të planifikimit të centralizuar synojnë dënimin më radikal të lirisë individuale dhe vendosjen e një qeverie të gjithëpushtetshme. Megjithatë, një shumicë e madhe intelektualësh socialistë kanë qenë të bindur se duke luftuar në favor të socializmit, luftonin dhe për lirinë. Ata vetëshpalleshin të majtë dhe demokratë, duke vazhduar të rivendikojnë deri në ditët e sotme, se iu takon plotësisht epiteti “liberal”.

Në kapitujt e mëparshëm janë trajtuar faktorët psikologjikë që dobësojnë dhe çorientojnë gjykimin e këtyre intelektualëve si dhe masave popullore që i ndjekin ata. Por, thellë-thellë në ndërgjegjen dhe subkoshiencën e tyre, ata e kuptojnë më së miri faktin se dështimi në arritjen e qëllimeve “të mëdha” që frymëzohen nga ambiciet e zjarrta “socialiste”, burojnë pikërisht nga kufizimet intelektuale dhe dobësitë e tyre. Ata e dinë shumë mirë se nuk janë as aq inteligjentë dhe as aq punëtorë sa duhet. Por, duke mos dashur shfaqjen e injorancës dhe inferioritetit të tyre apo atë të intelektualëve të tjerë të frontit të përbashkët socialist, ata kërkojnë vazhdimisht dhe me dëshpërim një “kokë turku”. Ata qetësojnë ndërgjegjen dhe tentojnë të bindin dhe të tjerët se shkaku i dështimit nuk është inferioriteti i tyre, por janë padrejtësitë e organizimit ekonomik të shoqërisë. Në një sistem kapitalist, deklarojnë ata, realizimi i dëshirave dhe objektivave është i mundur vetëm për një grup të vogël njerëzish. “Në një shoqëri ku sundon modeli laissez-faire, liria ekziston vetëm për ata që janë të pasur apo kanë mundësinë të bëhen të tillë”. Si rrjedhojë e kësaj logjike, arrijnë në konkluzionin se Shteti duhet të ndërhyjë për realizimin e “drejtësisë sociale” – pra, e thënë ndryshe dhe në mënyrë më të hapur: Shteti duhet të ndërhyjë për të shpërblyer dhe “plotësuar nevojat” e mediokritetit dhe frustrimit të tyre intelektual e social.

*filozof


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles


Femij i vogel ne enderr


Kaçak - EjaShiko.com pj.34


Sipas: Femina


Duaja pas ngrënjes së ushqimit


Urime Ditelindjen Shoqe


bileta autobusi per kosove


Ja kush ka memorie më të fortë


Një video e qenit më të shpejtë në botë, ja me çfarë shpejtësie vrapon


Seriale Turke me Titra Shqip - SERIALEON


Apartament per shitje ne Plazh