Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Mentaliteti antikapitalist

$
0
0

Nga Ludwig von Mises*

Gazeta MAPO vijon botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të njohur austriak Ludwig von Mises, të përkthyer nga profesor Adrian Civici. Në këtë pjesë ai flet për akuzat kundër kapitalizmit. Ai shkruan se kritikët shpalosin dy akuza kundrejt kapitalizmit. Së pari, ata pohojnë se, të zotërosh një automobil, një televizor dhe një frigorifer nuk përkthehet automatikisht në ekzistencën e një njeriu të lumtur. Së dyti, shtojnë konstatimin se ka ende shumë njerëz që nuk zotërojnë asnjë nga këto gjëra. Të dyja këto vlerësime janë korrekte, megjithatë, ato nuk përbëjnë arsye objektive për të justifikuar qëndrimin negativ ndaj sistemit kapitalist dhe ndjeshmërisë së dobët sociale të tij.

Akuzat joekonomike ndaj kapitalizmit

  1. Argumenti i mirëqenies

Kritikët shpalosin dy akuza kundrejt kapitalizmit: së pari, ata pohojnë se të zotërosh një automobil, një televizor dhe një frigorifer nuk përkthehet automatikisht në ekzistencën e një njeriu të lumtur. Së dyti, shtojnë konstatimin se ka akoma shumë njerëz që nuk zotërojnë asnjë nga këto gjëra. Të dyja këto vlerësime janë korrekte, megjithatë, ato nuk përbëjnë arsye objektive për të justifikuar qëndrimin negativ ndaj sistemit kapitalist dhe ndjeshmërisë së dobët sociale të tij.

Me punën dhe përpjekjet e tyre të përditshme, njerëzit nuk synojnë arritjen e mirëqenies totale, por tentojnë të eliminojnë sa më shumë që të jetë e mundur vështirësitë dhe pengesat e nivelit të jetesës për të qenë çdo ditë më të lumtur e më të plotësuar në nevojat e tyre në krahasim me muajt apo vitet e mëparshme. Një njeri që ble një televizor, nëpërmjet këtij veprimi, tregon se ai mendon që zotërimi i këtij aparati inovativ do t’i përmirësojë mirëqenien dhe do ta bëjë më të kënaqur se më parë kur nuk kishte televizor në shtëpinë e tij. Po të ishte ndryshe, natyrisht që ai nuk do shpenzonte para për ta blerë atë. Roli i mjekut nuk është ta bëjë pacientin të lumtur, por t’i shërojë atij dhimbjet dhe ta kthejë në gjendje normale për të vazhduar qëllimin kryesor të çdo qenieje njerëzore: të vazhdojë përpjekjet për të eliminuar sa më shumë të jetë e mundur pengesat për një jetë normale dhe mirëqenie të dëshiruar.

Është fakt i njohur se ekzistojnë lypës shëtitës që jetojnë me lëmosha, në varfëri dhe mizerje, ndërkohë që midis tyre ka mjaft individë që ndihen të lumtur në këtë situatë pa patur dëshirë të jetojnë ndryshe apo të jenë të pasur. Por, është e qartë se për shumicën e njerëzve, të kujtdo vendi qofshin, një stil i tillë jete është i pasuportueshëm.

Dëshira për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve materiale të jetës është veti thelbësore e karakterit njerëzor. Vallë, a ka njeri që mund të pretendojë ta ofrojë lypësin si shembull për t’u ndjekur nga një amerikan i shtresës së mesme? Një nga arritjet më të mëdha të kapitalizmit është ulja e vdekshmërisë foshnjore. Cili guxon ta mohojë se ky fenomen ka kontribuar në eliminimin e njërit nga shkaqeve më fondamentale të dëshpërimit të shumë personave e familjeve?

Edhe akuza e dytë që i bëhet kapitalizmit – se nga inovacionet teknike dhe terapeutike nuk përfitojnë të gjithë njerëzit – është po kaq absurde. Ndryshimet pozitive në kushtet e jetesës vijnë si pasojë e veprimeve dhe iniciativave eficiente të njerëzve më inteligjentë dhe më energjikë. Janë pikërisht këta individë “specialë”, që ecin të parët duke tërhequr pas vetes turmën e madhe që i ndjek nga pas. Fillimisht, inovacionet janë një luks për një numër të vogël njerëzish, deri sa gradualisht arrijnë të bëhen një produkt konsumi masiv.

Nuk ka arsye të fajësojmë përdorimin e këpucëve apo lugëve, nisur nga fakti se ato u përhapën ngadalë apo se akoma sot ka miliona njerëz që jetojnë pa to. Zonjat dhe zotërinjtë e fisëm që ishin të parët që përdorën sapunin, nuk ishin gjë tjetër veçse “lajmëtarët” e prodhimit dhe përdorimit masiv të sapunit nga njerëzit e thjeshtë. Nëse ata që sot kanë mundësi financiare të blenë një televizor, nisur nga fakti se një veprim i tillë ishte i pamundur për mjaft persona të tjerë, do frenoheshin për të bërë një blerje të tillë, ata jo vetëm që nuk do garantonin promocionin e televizorëve por do pengonin dhe popullarizimin e këtij inovacioni.

  1. Materializmi

Ekziston edhe një kategori grindavecësh llafazanë që tentojnë ta përçmojnë kapitalizmin duke i veshur atij petkun e materializmit meskin. Ata nuk e fshehin faktin se kapitalizmi ka si veti kryesore përmirësimin e kushteve materiale të njerëzve, por, përtej kësaj, priren të vënë në dukje se ai i ka zhveshur njerëzit nga vetitë dhe ndjenjat e tyre më të çmuara. Kapitalizmi ushqen trupin, por shkatërron karakterin dhe shpirtin. Ai ka provokuar rrënimin e artit dhe kulturës, duke i dhënë fund plejadës së poetëve të famshëm, skulptorëve dhe arkitektëve të ndritur. Koha jonë prodhon vetëm vepra limonadë.

Gjykimi mbi meritat dhe vlerat e një vepre arti është tërësisht subjektiv. Disa njerëz shkelin me këmbë atë që të tjerët adhurojnë. Nuk ka një etalon absolut që krijon mundësi për matjen e vlerës estetike të një poeme apo ndërtese. Ata që lumturohen nga Katedralja e Chartres apo tabloja Las Meninas e Vélasquezit mund të mendojnë se ata që nuk i vlerësojnë dhe pëlqejnë këto mrekulli janë injorantë të pagdhendur. Shumë studentë mërziten për vdekje kur në shkollë i detyrojnë të lexojnë Hamletin. Vetëm ata që kanë shpirt të ndjeshëm artistik dhe bagazh të lartë kulturor munden t’i vlerësojnë  dhe t’i shijojnë këto vepra artistike.

Ekziston shumë hipokrizi në gjirin e atyre që pretendojnë se bëjnë pjesë te personat e shkolluar dhe kulturuar. Disa marrin pozat e njohësve të thellë dhe entuziastëve të papërmbajtur për artin klasik dhe artistët e shekujve të kaluar. Ata nuk tregojnë asnjë simpati të ngjashme për artistët bashkëkohorë, të cilët përpiqen çdo ditë për të qenë të njohur dhe vlerësuar. Adhurimi i tyre fals për “mjeshtërit e vjetër” nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të denigruar dhe përbuzur “të rinjtë”, të cilët kërkojnë të largohen nga stereotipet tradicionale, në kërkim të formimit të personalitetit të tyre artistik.

Besoj se mund të kujtohemi për John Ruskin  – bashkë me Carlyle, Webb-ët, Bernard Shaw dhe shumë të tjerë – si një nga varrmihësit më të mëdhenj të lirisë, të civilizimit dhe prosperitetit britanik. Personazh mizerabël si në jetën private ashtu dhe atë publike, Ruskin, glorifikonte luftën dhe gjakderdhjen, tallej e mallkonte teorinë e ekonomisë politike, të cilën sigurisht nuk arrinte ta kuptonte. Ishte një nga inkuizitorët e mëdhenj të ekonomisë së tregut dhe një dishepull romantik i shoqatave të tregtarëve në mesjetën e hershme. I thurte lavde vetëm artit dhe artistëve të shekujve të kaluar, aq sa kur u gjend përballë veprës së një artisti bashkëkohor, piktorit amerikan James Whistler, e kritikoi atë me një gjuhë aq fyese e denigruese, sa përfundoi i dënuar rëndë nga gjykata për shpifje.

Ishin pikërisht shkrimet e Ruskinit,  të cilat popullarizuan paragjykimin se kapitalizmi, përveçse është sistemi ekonomik më i keq i mundshëm, është gjithashtu sistemi që ka zëvendësuar bukurinë me shëmtimin, madhështinë me meskinitetin, artin me plehrat. Përderisa njerëzit janë kaq të ndryshëm në vlerësimin e veprave artistike, është pothuajse e pamundur “të zbërthesh” apo destrukturosh arsyetimet mbi inferioritetin artistik të periudhës së kapitalizmit duke përdorur metodat “apodictic-e”  me të cilat provohen gabimet e një arsyetimi logjik apo demonstrimi të fakteve empirike. Megjithatë, asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të tregohej aq i cekët sa të minimizonte arritjet dhe sukseset e jashtëzakonshme artistike në epokën kapitaliste.

Muzika mund të konsiderohet si arti dominues i kësaj epoke të “materializmit meskin dhe parasë”. Wagneri dhe Verdi, Berliozi dhe Bizet, Brahms dhe Bruckner, Hugo Wolf dhe Mahler, Puccini dhe Richard Strauss, çfarë plejade e mrekullueshme! Çfarë kohe sfiduese, në të cilën mjeshtra të famshëm si Schuman apo Donizetti u eklipsuan nga gjeni akoma më të mëdhenj! Krahas tyre romanet e jashtëzakonshme të Balzakut, Flauberit, Maupassanit, Jens Jacobsenit, Proustit, poemat e Victor Hugosë, Walt Whitmanit, Rilkes, Yeatit. Sa të varfra do kishin qenë jetët tona nëse do privoheshim nga veprat e këtyre gjigantëve të artit, muzikës dhe letërsisë, por edhe të mjaft autorëve të tjerë po kaq sublimë. Të mos harrojmë dhe piktorët e skulptorët francezë që na mësuan mënyra e forma të reja për ta vështruar botën, për të ndjerë emocione e kënaqësi nga ngjyrat dhe drita.

Askush nuk ka guxuar të kontestojë faktin se kjo “epokë kapitaliste” ka inkurajuar zhvillimin e gjithë drejtimeve të kërkimit shkencor. Por, kritikët e saj justifikohen duke deklaruar se e gjithë kjo buronte thelbësisht nga puna e specialistëve individualë, ndërkohë që nuk evidentohet dot roli “sintezë” mbështetës dhe themelor i sistemit kapitalist. Vështirë se mund të gjendet një mënyrë më absurde për të interpretuar arritjet e biologjisë, fizikës apo matematikës moderne. Përveç kësaj, çfarë mund të thuhet për veprat e filozofëve si Benedetto Croce, Henri Bergson, Edmund Husserl apo Alfred North Whitehead? Çdo epokë ka karakterin e saj specifik në arritjen dhe evidentimin e sukseseve të saj artistike. Imitimi i veprave të së kaluarës nuk është art: është thjesht rutinë. Ato që i japin vlerë një vepre arti, janë veçoritë dhe tiparet specifike që e dallojnë atë nga të tjerat. Kjo formon atë që cilësohet si stili i çdo epoke.

Në këtë çështje, duket se adhuruesit e të shkuarës kanë të drejtë. Gjeneratat e fundit nuk trashëguan në stilin e tyre të ndërtimit monumente apo ndërtesa të ngjashme të stilit të piramidave, tempujve grekë, katedraleve gotike, kishave dhe pallateve të periudhës baroke të Rilindjes. Shumë kisha, katedrale, ndërtesa qeveritare, shkolla apo biblioteka u ndërtuan gjatë njëqind viteve të fundit. Por, këto ndërtime monumentale nuk dëshmojnë asnjë stil origjinal: ato reflektojnë stilet e vjetra, shpesh edhe përzierje stilesh të ndryshme.

Pallatet, zyrat dhe vilat e banimit janë objektet që ne mund të zhvillojmë në përputhje me atë që mund ta cilësojmë si stili i epokës tonë. Megjithëse mund të dukej si pedantizëm mosvlerësimi i madhështisë dhe emocioneve që të ngjallin pamjet nga qielli i New York-ut, duhet pranuar se arkitektura moderne nuk e ka arritur shkëlqimin dhe imponimin e asaj të shekujve të kaluar. Arsyet janë të shumta

Në rastin e ndërtesave fetare, ka qenë konservatorizmi ekstrem i kishave që ka përjashtuar çdo lloj forme inovative në arkitekturën e tyre. Me zhdukjen e dinastive mbretërore dhe aristokracisë, ka humbur dhe nxitja për ndërtimin e sarajeve dhe pallateve mbretërore. Pasuria e sipërmarrësve dhe kapitalistëve, pavarësisht asaj që trumbetojnë demagogët antikapitalistë, është shumë më e vogël se ajo e mbretërve dhe princërve, duke mos iu dhënë atyre mundësi të ndërtojnë rezidenca luksoze të përmasave të ekzagjeruara.

Askush nuk është sot aq i pasur sa të ketë mundësi të ndërtojë pallate të krahasueshme me Versajën apo Escorialin. Arkitektura dhe ndërtimi i ndërtesave qeveritare nuk vendoset nga despotë të cilët, duke shpërfillur opinionin dhe ndjeshmërinë publike, kishin lirinë të zgjidhnin arkitektët që dëshironin e propozonin vepra madhështore, duke financuar projekte që skandalizonin shumicën dërrmuese të nënshtetasve të tyre të varfër. Këshillat dhe bordet e sotme administruese kanë pak shanse të adaptojnë idetë ekstravagante të paraardhësve të tyre kurajozë. Ata preferojnë më shumë sigurinë dhe funksionalitetin.

Nuk ka patur asnjë epokë tjetër në të cilën të ketë ekzistuar një numër kaq i madh njerëzish të gatshëm që të vlerësojnë artin bashkëkohor. Vëmendja dhe gjykimi ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ka qenë gjithnjë i kufizuar në grupe të vogla. Karakteristika kryesore e kapitalizmit nuk është mungesa e shijes artistike nga ana e turmave të gjera, por fakti se këto turma, të pasuruara gjatë “kohës kapitaliste” janë shndërruar në “konsumatorë” të letërsisë – sigurisht të letërsisë pa vlera. Tregu i librave është përmbytur nga veprat fiction pa vlera, të cilat i destinohen një lexuesi mediokër pa kërkesa për standarde të larta artistike. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar autorët e mëdhenj të krijojnë vepra monumentale.

Kritikët derdhin shumë lot për atë që e cilësojnë si “degjenerimi prej industrializimit të artit”. Ata tentojnë të krahasojnë mobiliet e vjetra të ruajtura në kështjellat e familjeve aristokrate europiane apo koleksionet e muzeve me objektet “e lira” të fabrikuara në emër të konsumit masiv, duke mos arritur të konstatojnë se këto objekte luksoze të koleksionuara janë prodhuar në kohën e tyre vetëm për njerëz shumë të pasur. Në shtresat e varfra as që bëhej fjalë të zotëroheshin e përdoreshin sëndukët me brava të arta apo tavolinat e gdhendura në dru. Ata që pezmatohen për mobiliet e lira të punëtoreve amerikanë duhet të kalojnë lumin Rio Grande dhe të shohin shtëpitë e fshatarëve meksikanë që nuk disponojnë asnjë lloj mobilieje.

Kur industria moderne filloi të furnizojë masat e gjera të popullit me pajisjet shtëpiake që përmirësojnë radikalisht jetën në çdo familje, preokupimi i saj kryesor ishte prodhimi i tyre me një çmim sa më të ulët të mundshëm, pa i kushtuar vëmendje të veçantë vlerës estetike të tyre. Kohë më vonë, kur progresi i kapitalizmit u reflektua në rritjen e nivelit të jetesës të masave të gjera, industria iu rikthye gradualisht fabrikimit të produkteve të bukura e me shije të rafinuar. Vetëm shqetësime me sens “romantik” mund ta detyrojnë një vrojtues serioz të injorojë faktin që qytetarët e vendeve kapitaliste jetojnë çdo ditë e më tepër në mjedise që vetëm të shëmtuara nuk mund të konsiderohen.

  1. Padrejtësia

Është mënyrë e këndshme ta kalosh kohën duke reflektuar se cilat duhet të jenë standardet më të mira dhe më të dëshirueshme në një shoqëri apo realitet të caktuar. Ëndërrime të tilla janë të padëmshme për aq kohë sa mbeten në kuadrin e ëndrrave. Por, kur autorët e tyre fillojnë të injorojnë diferencën ndërmjet imagjinatës dhe realitetit, ata kthehen në një pengesë serioze ndaj tentativave njerëzore për përmirësimin e kushteve materiale të jetesës dhe mirëqenies.

Ilustrimi më i keq i këtyre iluzioneve është ideja sipas së cilës “natyra” i ka dhënë çdo njeriu disa të drejta të pamohueshme. Sipas kësaj doktrine, natyra tregohet bujare me çdo të porsalindur. Ajo ka krijuar bollëk për gjithçka dhe për gjithë njerëzit. Për pasojë, çdo individ ka të drejta të padiskutueshme, të barabarta me individët e tjerë të shoqërisë, dhe për pasojë duhet të gëzojë dhe zotërojë gjithçka që natyra ia ka garantuar. Ligjet e përjetshme të kësaj të drejte natyrore të shenjtë kërkojnë që askush të mos përvetësojë atë që kjo e drejtë e dedikon për të tjerët. Shumë njerëz janë të varfër pikërisht për faktin se janë privuar padrejtësisht nga të drejtat natyrore që i takonin që në momentin e lindjes së tyre. I takon Kishës dhe autoriteteve të tjera laike që ta pengojnë këtë “zhveshje” nga të drejtat natyrore duke i bërë gjithë njerëzit të pasur e të zhvilluar.

Çdo element i kësaj doktrine është i gabuar. Natyra nuk është bujare, përkundrazi është mjaft e kursyer. Ajo e ka kufizuar sasinë e të mirave materiale të domosdoshme për ruajtjen dhe zhvillimin e jetës njerëzore. Natyra e ka populluar botën me kafshë dhe bimë agresive dhe konkurrente me mjedisin jetësor të njeriut. Ajo “shfryn” vazhdimisht forca e goditje të rrezikshme për jetën njerëzore.

Mbijetesa dhe mirëqenia e njeriut janë pasojë e talentit me të cilin ai përdor instrumentin kryesor të dhënë nga natyra: arsyen. Duke bashkëpunuar në kuadrin e sistemit të ndarjes së punës, njerëzit kanë krijuar gjithë këtë pasuri e mirëqenie të cilën ëndërrimtarët e mësipërm e konsiderojnë si një dhuratë falas të natyrës. Kur bëhet fjalë për proceset e  “ndarjes” dhe “shpërndarjes” së kësaj pasurie, është krejtësisht e gabuar që t’i referohesh vetëm parimit të pretenduar të drejtësisë hyjnore apo natyrore. Gjëja më e rëndësishme nuk është ajo se çfarë natyra i ofron njeriut. Problemi themelor qëndron te promovimi i institucioneve sociale që iu krijojnë mundësi individëve të vazhdojnë të shtojnë prodhimin e gjithë gjërave që ata kanë nevojë.

Këshilli igumenik i Kishave, organizatë e kishave protestante, ka deklaruar në vitin 1948 se: “drejtësia kërkon që banorët e Azisë dhe Afrikës të nxjerrin përfitime nga bollëku i prodhimit falë përdorimit të makinerive moderne”. Kjo deklaratë duket absurde. Ajo do të kishte kuptim vetëm nëse supozojmë se Zoti i ka ofruar njerëzimit një sasi të caktuar makinerish dhe ajo që pritet është vetëm shpërndarja e barabartë ndërmjet popujve të ndryshëm e këtij dispozitivi. Ndërkohë, sipas kësaj logjike, rezulton se vendet kapitaliste janë treguar të pandershëm duke përvetësuar një sasi makinerish shumë më të madhe se numri që iu atribuonte “drejtësia”. Në këtë mënyrë, ata privojnë banorët e Azisë dhe Afrikës nga e drejta që iu “takon”. Çfarë padrejtësie e tmerrshme!

Por, është e vërtetë e pamohueshme se akumulimi i kapitalit dhe investimi i tij për prodhimin e makinerive të cilat janë burimi kryesor i pasurisë së shumicës së vendeve perëndimore, janë të lidhura eskluzivisht me kapitalizmin laissez-faire, të cilin, i njëjti dokumenti i prodhuar nga Kisha, e denatyron me shumë pasion duke e hedhur poshtë bazuar vetëm në argumente morale. Nuk është faji i kapitalistëve nëse aziatikët dhe afrikanët nuk kanë adaptuar politika dhe ideologji që mund t’ju kishin krijuar mundësi për zhvillimin e një kapitalizmi autokton. Aq më tepër, nuk mund të fajësohet kapitalizmi nëse politikat e këtyre vendeve kanë frenuar tentativat e investitorëve të huaj për t’ju sjellë atyre “përfitimet nga prodhimi i madh e intensiv që bëhet i mundur vetëm falë përdorimit masiv të makinerive”.

Askush nuk e konteston faktin se varfëria dhe mizëria e qindra-milionë afrikanëve dhe aziatikëve është pasojë e metodave dhe mjeteve primitive të prodhimit, të cilat nuk ofrojnë asnjë nga avantazhet e projekteve teknike e teknologjike moderne. E vetmja mënyrë për të dalë nga mizëria është aftësia e këtyre vendeve për të adaptuar në mënyrë eficiente kapitalizmin e laissez-faire. Ato që ata kanë nevojë quhen: ndërmarrje private, akumulim kapitalesh, kapitalistë dhe sipërmarrës. Është e pakuptimtë të akuzosh kapitalizmin dhe vendet kapitaliste perëndimore për situatën e trishtuar që po përjetojnë mjaft popuj apo vende të pazhvilluara. Receta e duhur nuk është strehimi te “drejtësia” natyrore, por zëvendësimi i politikave të këqija regresive me politika zhvilluese, domethënë me kapitalizmin laissez-faire.

Niveli i lartë i jetesës që gëzojnë sot popujt e vendeve kapitaliste nuk është aspak pasojë e diskutimeve shterpë mbi konceptin e paqartë të drejtësisë natyrore, por është rrjedhojë direkte e përpjekjeve të njerëzve të kualifikuar, e “individualistëve të paepur” dhe “shfrytëzuesve”. Varfëria e vendeve të prapambetura i dedikohet politikave të tyre shpronësuese, taksimit diskriminues, kontrollit mbi monedhat dhe kurset e këmbimit të cilat kanë penguar investimin e kapitaleve të huaja, ndërkohë që politikat e brendshme kanë penguar akumulimin e kapitaleve kombëtare. Të gjithë ata që e kritikojnë apo përbuzin kapitalizmin duke paragjykuar bazat morale të tij si një sistem i padrejtë, bien në këtë arsyetim të gabuar si pasojë e paaftësisë së tyre për të kuptuar thelbin dhe përmbajtjen e kapitalit, rrugët e krijimit dhe zhvillimit të tij, përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i tij në procesin e prodhimit.

Burimi i vetëm i krijimit të kapitaleve të reja është kursimi. Nëse gjithçka që prodhohet konsumohet, krijimi i kapitaleve të reja është i pamundur. Por, nëse konsumi është më i vogël se prodhimi, dhe kjo diferencë pozitive të mirash materiale të krijuara përdoret në procese të reja prodhimi, këto procese bëhen të realizueshme falë kontributit të këtyre të mirave materiale që tashmë bëhen pjesë e kapitalit. Gjithë “pjesët” e kapitalit janë elemente prodhuese të ndërmjetme, janë etapa të procesit prodhues që fillon me përdorimin fillestar të punës dhe lëndëve të para, domethënë burimet natyrore dhe fuqia punëtore, dhe përfundon me produktin final të gatshëm për konsumin final sipas destinacionit apo qëllimit të prodhimit të tyre.

Në procesin e prodhimit, herët apo vonë, gjithçka përdoret në kuadrin e një procesi të vazhdueshëm konsumi. Nëse gjithë produktet konsumohen pa zëvendësuar mallrat kapitalë të përdorur gjatë procesit të prodhimit, atëherë dhe vetë kapitali konsumohet. Një situatë e tillë nënkupton faktin se në prodhimin e ardhshëm do përdoret më pak kapital dhe për pasojë do përftohet një sasi më e vogël produktesh për njësi të burimeve natyrore dhe fuqi punëtore të përdorur. Për evitimin e kësaj kontradikte ndërmjet kursimit dhe investimit, është e nevojshme që një pjesë e procesit prodhues t’i dedikohet mbajtjes dhe shtimit të kapitalit duke zëvendësuar asetet e “përdorura” të kapitalit.

*filozof


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles