Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Energjia, beteja mes rritjes së prodhimit dhe borxheve marramendëse

$
0
0

Për herë të parë që nga viti 2010, Shqipëria rezultoi eksportuese neto e energjisë. Arsyet lidhen me reshjet e bollshme, rënien e konsumit në vend dhe me rritjen e prodhimit nga objektet prej investitorëve privatë.

Viti i kaluar mund të cilësohet si një ndër vitet më të mbara për sektorin e prodhimit të energjisë elektrike. Reshjet e shumta që u përkthyen në miliona euro të ardhura për sektorin nuk sollën përfitime të njëllojta për operatorët e tregut. Në një kohë që privatët panë të dyfishojnë xhiron e biznesit brenda një viti, në një mënyrë krejt tjetër është përjetuar situata në sektorin publik. Borxhet e larta mbeten aty edhe pse të ardhurat shkuan në miliona euro, çka solli që konsumatorët të mos përfitonin nga situata e mbarë hidrike. Megjithatë prapëseprapë ka vend për pak optimizëm. Së paku nuk patëm një rritje të re të çmimit.

Reshjet rritën prodhimin

Për herë të parë që nga viti 2010, Shqipëria rezultoi eksportuese neto e energjisë. Arsyet lidhen me reshjet e bollshme, rënien e konsumit në vend dhe me rritjen e prodhimit nga objektet prej investitorëve privatë. KESH ka njoftuar se vitin e kaluar ka eksportuar 700 milionë kilovat/orë energji. Eficienca në eksport lidhet edhe me uljen e nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes në 28% nga më shumë se 31% që kanë qenë në 2015. Konsumi i energjisë elektrike u ul me 2.3% në vitin 2016 sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë. Por nga të dhënat krahasuese shihet se është ulur në mënyrë të ndjeshme konsumi në konsumatorët e tensionit të lartë. Këto kategori janë kryesisht biznese, konsumi i të cilave ra me 17% më 2017. Nga 610,2017 MW/h që konsumoi kjo kategori në vitin 2015, vitin e kaluar ka konsumuar 502,895 MW/h. Treguesit e tjerë të konsumit nuk kanë pësuar luhatje, pasi ndryshimet janë afër zeros.
Shitjet për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore janë rritur me respektivisht 0,02 dhe 0,04%. Konsumi i energjisë shënoi ulje për të tretin vit radhazi. Arsyetimi më i hershëm i OSHEE-së për këtë çështje lidhet me tendencën për të mos shpërdoruar energjinë elektrike nga konsumatorët. Shtrëngimi i politikave dhe mjeteve për grumbullimin e faturave të energjisë i ka bërë më racionalë konsumatorët. Por të dhënat e vitit të fundit tregojnë se rënia erdhi nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë (bizneset e mëdha).

Fitimi kompanive publike 104 mln euro

Ministria e Energjetikës raportoi zyrtarisht se OSHEE e mbylli 2016 me fitim 11.5 miliardë lekë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare rezultoi me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliardë lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lekë. Gjithsej fitimi i kompanive këtë vit arriti në 14,2 miliardë lekë, ose 104 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës. “Hapat e ndërmarrë kanë krijuar efekt pozitiv në financat publike, duke e çliruar buxhetin e shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm në tri vitet e fundit janë paguar 23 miliardë lekë në tatim-taksa, si kontribut direkt në buxhetin e shtetit. Ndërsa 135 milionë euro është efekti pozitiv indirekt në buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane në 2013-2017”, është shprehur ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Mali i borxheve që mbyt

Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, rikuperimi i gjendjes së debisë përfshirë kamatat, ka ardhur në rënie, po megjithatë borxhet e saj janë në nivele tepër të larta. Nëse në vitin 2013, ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin 2016 mbeten për t’u paguar plot 105.2 miliardë lekë. Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treta nga 99.9 miliardë lekë që ishte në vitin 2013 është ulur në 93.6 miliardë lekë. Sipas një raporti të KLSH, detyrimi total i KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, është 80.6 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për huat afatgjata është 11.3 mld lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 mld lekë. Detyrimi i OST ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi, është 10.2 mld lekë. Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ a.s., deri më datë 20 shtator 2016, është 5.8 mld lekë – konstaton KLSH.
Në përfundim të procesit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon se OSHEE, OST dhe KESH, të respektojnë masën e pagesës për detyrimet e ndërsjella, sipas përcaktimit ligjor. KLSH ka vërejtur se nuk ka një studim të saktë, mbi prognozën e ecurisë së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella, veçanërisht në skedulin e pagesave dhe objektivave të vendosur ndaj OSHEE.

Privatët, energjia biznes që ia vlejti

Tregu i prodhuesve privatë të energjisë pa ekspansion vitin e kaluar, duke dyfishuar vlerën në treg dhe numri i operatorëve u zgjerua me 30%. Reshjet e bollshme rritën xhirot e kompanive me ritme dyshifrore. Privatët e energjisë dyfishuan xhiron vjetore të biznesit duke arritur një qarkullim prej 15,2 miliardë lekësh ose 111 milionë euro, duke u zgjeruar me 94% në krahasim me vitin 2015, sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë për prodhimin nga këto HEC-e. Tregut iu shtuan edhe 38 operatorë të rinj vetëm në sektorin e prodhimit. Klima e rëndë e biznesit që dominon sektorin nga ndryshimi i kontratave të njëanshme nga qeveria, e cila ka ulur çmimin fiks të shitjes së energjisë nga 9 lekë për kilovat/orë në 7.4 lekë në vitin 2015, nuk e ka penguar sektorin të zgjerohet. Ekspansioni iu dedikohet dy faktorëve kryesorë, të cilët lidhen me reshjet e bollshme gjatë vitit të kaluar dhe hyrjen në tregun e prodhimit të kompanive të reja me kapacitet të lartë prodhimi. Në mes të vitit 2016, nisi punën HEC i Banjës në lumin e Devollit, një investim i madh i kompanisë norvegjeze të Statkraft, që po vijon punën për ndërtimin e dy HEC-ve të tjera. Devoll Hydropower, vitin e kaluar, ndikoi në 1% totalin e prodhimit të energjisë, duke realizuar një qarkullim të përafërt rreth 4 milionë euro.

HEC-et me koncesion, shtohen operatorët

38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike nga uji nisën prodhimin gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-ve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015. Shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit, pas përfundimit të investimit, janë të lira. Bashkë me shtimin e numrit të HEC-ve të vogla është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendës, vitin e kaluar, shënoi 7,136,351 MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 28% të totalit të prodhimit vendës të energjisë. Më 22 shtator të vitit të kaluar, kompania norvegjeze Statkraft përuroi nisjen e prodhimit të energjisë elektrike në hidrocentralin e Banjës në lumin Devoll, ndërkohë kompania është në kulmin e punimeve për ndërtimin e HEC-it tjetër të Moglicës po mbi këtë lum. Banja është hidrocentrali i parë i kompletuar në kaskadën e Devollit në respektim të Marrëveshjes së Koncesionit, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2009 për ndërtimin e 3 HEC-ve. Sipas kësaj marrëveshje, Statkraft do ta shesë energjinë në tregun e lirë me çmime të parregulluara. Vetëm në tre muaj aktivitet, Banja ka siguruar të ardhura mbi 519 milionë lekë.
Kapaciteti i instaluar i HEC Banja është 73 MW, duke ndikuar në rreth 5% në shtimin e prodhimit vendës të energjisë.

Tregu pret bursën e energjisë

Qeveria shqiptare ka në objektivin e saj të bëjë funksionale një bursë të tregtimit të energjisë brenda këtij viti. Planet fillestare për ngritjen e saj kanë qenë për në mars të këtij viti, mungesa e ekspertizës së thellë teknike dhe përvojës e kanë shtyrë funksionimin e saj për më tej. Me funksionimin e saj, energjia do të tregtohet me çmime reale, teksa prodhuesit publikë dhe privatë të energjisë dhe tregtarët, nga ana tjetër, do të jenë më të qetë, nga ky fakt. Krijimi i Albania Power Exchange (APEX) do të jetë në përputhje me zbatimin e politikave të energjisë dhe me standardet e Bashkimit Europian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. “Tregu shqiptar do të bëhet platforma kryesore për tregtimin e energjisë, duke iu dhënë mundësi të gjithë aktorëve vendës të blenë dhe të shesin energji elektrike shpejt dhe lehtësisht, duke përfshirë edhe tregtimin me vendet e tjera. Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit elektrik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Europës, duke përfshirë edhe vendet fqinje në rajon. APEX gjithashtu do të rrisë transparencën e çmimeve dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projektet e reja të energjisë”, – është shprehur ministri Gjiknuri. Ndërkohë, Bordi i Entit Rregullator, në fund të janarit ka miratuar specifikat se si do të funksionojë Bursa e Energjisë. Do të specifikohen produktet dhe do të miratohen rregullat e Tregut Shqiptar të Ditës në Avancë dhe rregullat e tregtimit brenda ditës. Enti ka nisur shqyrtimin e rregullores së “Administrimit të tregut” dhe Rregullat për Pagesat dhe Faturimin.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663