Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Detyrimet e prapambetura/ Entet shtetërore 230 mln euro borxhe

$
0
0

Në fund të vitit 2016, entet publike numërojnë 230 milionë euro detyrime, sipas statistikave zyrtare, nga të cilat 58 milionë euro nga vendimet e gjykatave të brendshme, 58 mln euro të tjera fatura të papaguara ndaj CEZ, 20 milionë euro fatura të papaguara ndaj punimeve në rrugë, 65 milionë euro borxhe të bashkive, etj.

Detyrimet e reja të akumuluara të institucioneve shtetërore ndaj njëra-tjetrës, bizneseve dhe çështjeve të humbura gjyqësore dhe pagesat ndaj punonjësve të larguar, tashmë kanë arritur vlerën e rreth 32 miliardë lekëve, ose 230 milionë eurove. Nga kjo shumë vetëm ndaj bizneseve (rimbursim TVSH-je dhe punimet e papaguara të rrugëve) janë 5.8 miliardë lekë.

Rikthimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë për punë dhe shërbime, është krijuar gati për të njëjtat arsye si edhe në ish-qeverinë “Berisha” dhe sipas zyrtarëve, ky borxh ka shumë gjasa të akumulohet më tej në këtë vit elektoral. Nga detyrimet e reja, 8 miliardë lekë, apo 25%, janë fatura të papaguara të energjinë nga entet publike, kryesisht njësitë e pushtetit vendor me ndërmarrjet e ujësjellësit.

Një pjesë tjetër prej 3.3 miliardë lekësh është akumuluar si detyrim i pashlyer për rimbursimin e TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka njohur këtë shumë për t’u paguar ndaj biznesit gjatë vitit të kaluar, por vlera nuk është dhënë.

Detyrimet e tjera me vlerë 8,9 miliardë lekë (65 mln euro) rezultojnë si detyrim që pushteti lokal ka ndaj të tretëve për mallra dhe shërbime. Borxhi si i tillë u zbardh nga një kontroll që u ushtrua në njësitë e reja vendore nga njësia ndërkombëtare e auditit, Grant Thornton.

Mbi 8 miliardë lekë detyrime të tjera janë fatura që vijnë nga humbja e gjyqeve të shtetit shqiptar me të tretët. Avokati i Shtetit, në bilancin e punës që ka bërë për vitin 2016, njoftoi se çështjet e humbura në gjykatat shqiptare në dëm të shtetit janë mbi 8 miliardë lekë, ose 58 milionë euro.

Një borxh tjetër prej 3.3 miliardë lekësh është identifikuar nga një monitorim i Ministrisë Financave deri më 1 tetor 2016. Në këtë shumë, 70% e detyrimit u takon punimeve në rrugë me rreth 2.5 miliardë lekë dhe pjesa tjetër janë detyrime që institucione të tjera nuk kanë mundur të shlyejnë ndaj punonjësve të shkarkuar nga puna, të cilat kanë fituar gjyqet për dëmshpërblim. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Gjika, që administron një pjesë të këtij detyrimi pohon se, punimet në rrugë kanë një specifikë.

Proceset e punës, në disa raste, nuk mund të lihen përgjysmë, nëse financimi buxhetor nuk është i plotë. Fjala bie, nëse rruga shtrohet me çakëll nuk mund të lihet pa u hedhur asfalti, pasi reshjet e radhës mund të çojnë dëm të gjithë investimin. Gjika tha se nevojat për financimin e fronteve të hapura të punimeve janë shumë më të mëdha në krahasim me fondet buxhetore në dispozicion. Ai pohoi se fondet e këtij viti janë konsumuar në 80% të tyre, edhe pse buxheti i 2017-s është në fazën e parë të implementimit.

Qeveria shqiptare e ka krijuar borxhin i ri, i cili nuk është kontabilizuar në treguesin zyrtar të borxhit, edhe pse ishte nën një monitorim të rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Marrëveshja e fundit që përfundoi në fund të shkurtit të këtij viti, pati në fokus shlyerjen e të gjitha faturave të ish- qeverisë “Berisha”. Në shërbim të këtij qëllimi, FMN shoqëroi marrëveshjen me një mbështetje buxhetore prej 300 milionë eurosh. Mirëpo edhe pse qeveria shqiptare është angazhuar fort të mos mbartë fatura, nuk ka mundur të parandalojë krijimin e tyre.

Por, mjetet me të cilat mund të shlyhet ky detyrim i ri kanë shterur. Mundësia për të marrë borxh, siç bëri qeveria “Rama” në vitin 2014 për të shlyer detyrimet e qeverisë “Berisha” nuk është më. Aktualisht totali i detyrimeve publike, edhe pa borxhet e reja, është 71% e PBB-së. Ky nivel është më i larti në rajon dhe shumë më i lartë se kufiri prej 60% që duhet të kenë vendet me kushte zhvillimi si Shqipëria. Gjithashtu burimet e brendshme kanë shteruar, pasi qeveria ka konsumuar rritjen e taksave. Vendi ka barrën fiskale më të lartë në rajon dhe një rritje e mëtejshme e taksave nuk mund të aplikohet në vijim.

Faturat e papaguara në thesarin e financave në fund të 2016-s kanë arritur së paku në 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto./Monitor/


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663