Gazeta MAPO vijon botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të njohur austriak Ludwig von Mises, të përkthyer nga profesor Adrian Civici. Në këtë pjesë Von Mises thotë se kapitalizmi është një sistem që iu krijon mundësi shumë njerëzve të dëshmojnë shpirtin e tyre të iniciativës dhe krijimtarisë. Ai shkruan se ndërkohë që ngurtësia dhe status quo-ja e shoqërisë së rendeve kërkonte nga secili të vepronte brenda një kuadri të kufizuar sipas rendit që i përkiste dhe nuk toleronte asnjë devijim nga sjelljet tradicionale, kapitalizmi inkurajon iniciativën dhe inovacionin. Fitimi nuk është gjë tjetër veçse kompensimi i një përpjekjeje të kurorëzuar me sukses në raport me mënyrat tradicionale të sjelljes dhe veprimeve.
- Fronti antikapitalist
Që në fillimet e para të lëvizjeve socialiste dhe tentativave për t’iu rikthyer politikave ndërhyrëse të epokës parakapitaliste, socializmi dhe ndërhyrja e fortë e shtetit në ekonomi ishin totalisht të diskredituara në sytë e njerëzve që kishin njohuri mbi teoritë ekonomike. Por, idetë e revolucionarëve dhe reformatorëve gjetën një përkrahje masive midis njerëzve të paditur, të cilët udhëhiqeshin krejtësisht nga pasionet idetë e pjesës dërrmuese të popullit injorant ndodheshin ekskluzivisht të orientuara nga ndjenjat më të forta njerëzore: zilia dhe urrejtja. Filozofia sociale e Lumières që i kishte hapur rrugën zbatimit të programit liberal – liria ekonomike, e zbatuar në kushtet e ekonomisë së tregut (kapitalizmi), si dhe efektet e saj kushtetuese shprehur në qeverisjen demokratike përfaqësuese – nuk propozoi eliminimin e tri pushteteve të vjetra: monarkinë, aristokracinë dhe kishën. Liberalët europianë dëshironin të zëvendësonin absolutizmin monarkik me parlamentarizmin monarkik, por nuk shkuan deri në konceptimin dhe propozimin e një republike dhe qeverisjeje republikane. Ata dëshironin eliminimin e privilegjeve të aristokracisë, por jo heqjen e të drejtës së titujve, të veshjeve dinjitare simbol të aristokracisë apo të drejtave të pronësisë mbi tokën. Ata dëshironin të drejtën e mendimit të lirë për të gjithë njerëzit dhe dhënien fund të persekutimeve të disidentëve dhe heretikëve, por nga ana tjetër, pranonin që doktrina kishtare dhe pushteti i saj të gëzonte liri të plotë në ushtrimin dhe ndjekjen e objektivave religjiozë shpirtërorë. Tri pushtetet e mëdha të l’ancien régime ruheshin dhe nuk prekeshin. Ishte krejtësisht e pritshme që aristokratët dhe hierarkia kishtare, duke mbrojtur fuqishëm konservatorizmin e tyre tipik, të ishte e gatshme t’i kundërvihej sulmit socialist kundër vlerave fondamentale të civilizimit perëndimor. Për më tepër, që partizanët e doktrinës socialiste nuk e fshihnin faktin se totalitarizmi socialist nuk do të linte asnjë hapësirë për ato që cilësoheshin si sjellje e zakone tiranike, privilegje, opium shpirtëror apo besim i verbër. Megjithatë, edhe brenda këtyre grupeve të privilegjuara, emocionet dhe dëshirat ishin më të forta se arsyetimi i ftohtë. Në fakt, ata iu dhanë një dorë socialistëve duke harruar se socializmi kishte objektiv dhe konfiskimin e pronave dhe pasurive të tyre, dhe si sistem totalitar, nuk pranonte asnjë lloj lirie fetare. Aristokracia mbretërore gjermane e Hohenzollern ndoqi një politikë të cilën një studiues amerikan e quajti me të drejtë si “socializëm monarkik”. Romanovët, aristokratët e Rusisë, flirtuan me sindikalizmin në tentativat e tyre për të luftuar përpjekjet “borgjeze” për vendosjen e një qeverie përfaqësuese të popullit . Në fakt, në gjithë vendet europiane aristokratët bashkëpunuan me armiqtë e kapitalizmit. Kudo, teologë e predikues të shquar tentuan të diskreditojnë sistemin e sipërmarrjes së lirë, duke mbështetur direkt apo indirekt si socializmin ashtu dhe intervencionizmin radikal. Drejtues të lartë me mjaft influencë publike të protestantizmit – Barth dhe Brunner në Zvicër, Niebuhr dhe Tillich në SHBA, dhe Arqipeshkvi i Canterbury në Angli, William Temple – e dënuan hapur kapitalizmin, duke shkuar deri atje sa të pretendonin se shkaku i ekseseve të bolshevizmit rus ishin dështimet e kapitalizmit. Është e natyrshme të shtrohet pyetja nëse z. William Harcourt, jurist dhe politikan liberal britanik i shek. XIX, kishte të drejtë, kur gjashtëdhjetë e ca vite më parë pohonte: tashmë ne jemi të gjithë socialistë. Aktualisht, në shumicën dërrmuese të rasteve, qeveritë, partitë politike, mësuesit dhe shkrimtarët, militantët ateistë dhe teologët kristianë janë pothuajse unanimë në kritikat pasionante për ekonominë e tregut dhe lavdërimet për përfitimet e pretenduara nga Shteti i plotfuqishëm. Gjeneratat e reja u rritën në një mjedis të përmbytur nga idetë socialiste. Influenca e ideologjisë prosocialiste kuptohet nga mënyra se si opinioni publik, pothuajse pa përjashtim, shpjegon arsyet që i shtyjnë njerëzit të anëtarësohen në partitë socialiste apo komuniste. Në rastet e politikave të brendshme, supozohet se “natyralisht apo domosdoshmërisht”, ata që nuk janë të pasur preferojnë programet radikale – planifikimin, centralizimin, socializmin, komunizmin – ndërsa vetëm të pasurit kanë arsye të votojnë në favor të ruajtjes së ekonomisë së tregut. Kjo hipotezë e supozuar e pranon apriori idenë socialiste, sipas së cilës sistemi kapitalist dëmton interesat ekonomikë të popullit, se qëllimi i tij është vetëm pasurimi i “shfrytëzuesve”, ndërkohë që socializmi preokupohet vetëm për përmirësimin e nivelit të jetesës së njerëzve të thjeshtë. Megjithatë, njerëzit nuk e preferojnë socializmin ngaqë e dinë se ky i fundit do të përmirësojë situatën e tyre; ashtu siç nuk e urrejnë kapitalizmin ngaqë nuk kanë njohuritë e duhura që iu tregojnë se ky sistem është kundër interesave të tyre. Ata janë socialistë thjesht për faktin se besojnë se socializmi përmirëson nivelin e tyre të jetesës, dhe kundërshtojnë kapitalizmin sepse besojnë që kapitalizmi është shkaktar fatkeqësish për ta. Ata janë socialistë sepse me vetëdije preferojnë të jenë të verbër dhe injorantë. Refuzojnë me kokëfortësi të studiojnë ekonominë duke mos njohur e pranuar kritikat shkatërruese që ekonomistët i kanë bërë sistemit të planifikimit të centralizuar socialist, sepse në sytë e tyre, ekonomia, duke qenë një shkencë abstrakte, është një shkencë pa kuptim. Ata pretendojnë që t’i besojnë vetëm eksperiencës, por nga ana tjetër, refuzojnë me këmbëngulje të njohin faktet flagrante të eksperiencës, domethënë realitetin se niveli i jetesës së një njeriu të zakonshëm është pakrahasimisht më i lartë në Amerikën kapitaliste se sa në parajsën socialiste sovjetike. Edhe kur bëhet fjalë për situatën ekonomiko-sociale të vendeve të varfra, njerëzit dëshmojnë të njëjtin gabim në arsyetim. Ata mendojnë se popujt duhet “natyralisht” të kenë simpati për komunizmin sepse ata janë të varfër. Është evidente që popujt e varfër dëshirojnë më shumë se gjithçka të dalin nga varfëria. Për përmirësimin e kësaj gjendjeje dëshpëruese, këta popuj duhet të adaptojnë një sistem të organizimit ekonomik të shoqërisë, i cili iu garanton më bindshëm realizimin e këtij objektivi: ata duhet të rreshtohen në favor të kapitalizmit. Por, të ndikuar në mënyrë të gabuar nga idetë antikapitaliste, ata shprehen në favor të komunizmit. Është tërësisht paradoksale që udhëheqësit e këtyre popujve lindorë, edhe pse shohin e njohin mirëqenien e kombeve perëndimore, refuzojnë metodat që i kanë bërë këta popuj të pasur, duke e lidhur fatin dhe të ardhmen e tyre me komunizmin sovjetik, i cili vazhdon t’i mbajë rusët dhe satelitët e tyre në varfëri evidente. Është akoma dhe më paradoksale që amerikanët, të cilët gëzojnë produktet e industrisë së madhe kapitaliste, ekzaltojnë sistemin sovjetik duke e konsideruar si “natyrore” që kombet e varfra të Azisë dhe Afrikës duhet të preferojnë komunizmin në vend të kapitalizmit.
Njerëzit mund të mos bien dakord me mendimin se çdo njeri duhet ta studiojë seriozisht ekonominë, por një gjë është e qartë dhe e nevojshme. Cilido që flet në publik apo shkruan publikisht në lidhje me diferencat ndërmjet socializmit dhe kapitalizmit, pa qenë tërësisht i familjarizuar me gjithçka që ekonomia thotë për këtë temë, ai është thjesht një llafazan i papërgjegjshëm.
III. Literatura në një sistem kapitalist
- Tregu i veprave letrare
Kapitalizmi është një sistem që iu krijon mundësi shumë njerëzve të dëshmojnë shpirtin e tyre të iniciativës dhe krijimtarisë. Ndërkohë që ngurtësia dhe status quo-ja e shoqërisë së rendeve kërkonte nga secili të vepronte brenda një kuadri të kufizuar sipas rendit që i përkiste dhe nuk toleronte asnjë devijim nga sjelljet tradicionale, kapitalizmi inkurajon iniciativën dhe inovacionin. Fitimi nuk është gjë tjetër veçse kompensimi i një përpjekjeje të kurorëzuar me sukses në raport me mënyrat tradicionale të sjelljes dhe veprimeve; ndërsa humbja është ndëshkimi për ata që janë dembelë apo që mbështeten vetëm në metoda e mënyra të vjetruara dhe jo eficiente veprimi. Në kapitalizëm individi është i lirë të demonstrojë se çfarë mund të bëjë më mirë se të tjerët duke marrë dhe frytet e saj. Megjithatë, kjo liri e individit është e kufizuar. Ajo është në funksion të demokracisë së tregut dhe varet nga vlerësimi që i bëjnë konsumatorët sovranë realizimeve të individit. Ajo që ka rëndësi dhe që shpërblehet në treg nuk është performanca apo qëllimi i mirë si i tillë, por performanca e njohur dhe pranuar si e tillë nga një numër i rëndësishëm konsumatorësh. Nëse konsumatorët “blerës” nuk e vlerësojnë një produkt në treg, sado të mirë e të vlefshëm që ta konsiderojë atë prodhuesi apo ofruesi i tij, atëherë të gjitha shpenzimet dhe përpjekjet për ta prodhuar atë kanë qenë të kota dhe të pavlefshme. Në thelbin e tij, kapitalizmi është një sistem i prodhimit masiv, që synon plotësimin e nevojave të masave të gjera. Ai ka krijuar një mirëqenie të kënaqshme për njerëzit e thjeshtë, duke e rritur nivelin mesatar të jetesës në një shkallë që nuk ishte ëndërruar kurrë në epokat e mëparshme. Kapitalizmi iu ka krijuar mundësi jete më cilësore dhe argëtimi miliona njerëzve, gjë që, për disa gjenerata më parë ishte privilegj vetëm i një grushti të vogël elitar të shoqërisë. Shembulli më domethënës na vjen nga zhvillimi i një tregu të gjerë për gjithë llojet e botimeve apo literaturës. Literatura – në kuptimin e gjerë të fjalës – është sot një produkt i kërkuar nga miliona njerëz, të cilët lexojnë gazetat, revistat, librat, dëgjojnë transmetime e ritransmetime, mbushin sallat e teatrit etj. Autorët, regjisorët, producentët dhe aktorët që iu përgjigjen shijeve dhe dëshirave të publikut fitojnë shuma marramendëse. Në kuadrin e ndarjes sociale të punës evidentohet një nënndarje specifike: kategoria e njerëzve të letrave, domethënë e njerëzve që e fitojnë jetën duke shkruar. Këta autorë i shesin shërbimet apo produktet e punës së tyre në treg, njësoj si gjithë prodhuesit apo specialistët e tjerë që shesin prodhimet dhe shërbimet e tyre. Në cilësinë e tyre të shkrimtarit ata janë pjesë integrale e korpusit social të shoqërisë së tregut. Në epokat parakapitaliste, të shkruarit ishte një art që nuk sillte fitime. Këpucarët apo kovaçët mund ta përballonin jetën falë profesionit të tyre, ndërsa për shkrimtarët kjo ishte e pamundur. Të shkruarit ishte një art i lirë, një mënyrë për të kaluar kohën dhe reflektuar intelektualisht, dhe jo një profesion i mirëfilltë. Ishte një angazhim për kënaqësi e njerëzve të pasur, e mbretërve apo princërve, e aristokratëve dhe personaliteteve shtetërore. Dinjitarët e kishës, murgjit, profesorët e universiteteve dhe ushtarët shkruanin gjatë kohës së tyre të lirë. Njerëzit e talentuar dhe të frymëzuar për të shkruar duhet në radhë të parë të kishin një burim të ardhurash të sigurta. Filozofi holandez Baruch Spinoza prodhonte lente syzesh. James dhe John Stuart Mill, babai dhe djali, punonin në zyrat londineze të Kompanisë së Indive orientale. Ndërkohë, shumë autorë të varfër jetonin falë shpirtmirësisë dhe donacioneve të njerëzve të pasur miq dhe dashamirës të artit dhe shkencës. Mbretërit dhe princat rivalizonin ndërmjet tyre për të marrë në patronazh poetë dhe shkrimtarë të shquar. Oborret mbretërore ishin strehimi i “prodhuesve” të literaturës. Është fakt i pamohueshëm historik që ky sistem patronazhi iu jepte autorëve liri të pakufizuar shprehje e qëndrimesh. Padronët nuk tentonin t’ju impononin filozofinë apo normat e tyre të shijes dhe etikës autorëve që ishin në kujdesin dhe mbrojtjen e tyre, përkundrazi, në mjaft raste përpiqeshin t’i ruanin ata nga sulmet, sidomos ato të autoriteteve kishtare. Për autorët ekzistonte mundësia që të ndryshonin oborrin mbretëror apo sallonet e fisnikërisë kur nuk trajtoheshin mirë duke zgjedhur një oborr tjetër rival. Ndërkohë, imazhi i filozofëve, historianëve dhe poetëve që ndodheshin në mes të kurtizanëve të çdo lloji në oborret mbretërore, dhe që varej nga kapriçot dhe tekat e një despoti, shpesh i paditur, nuk ishte për t’u marrë si shembull pozitiv. Liberalët e hershëm përshëndetën lindjen dhe zhvillimin e një tregu specifik të veprave letrare si një element esencial i procesit të emancipimit njerëzor kundrejt tutelës së mbretërve dhe aristokratëve. Ata mendonin, se që nga ky moment, gjykimi dhe vlerësimet për klasat e ditura dhe shkolluara të shoqërisë do të ishte dominues. Çfarë perspektivë e mrekullueshme! Një dritë e re po lindte.
- Suksesi i tregut të librave
Megjithatë, në tablonë e mësipërme ekzistojnë disa pika të errëta. Letërsia nuk është konformizëm, por disidencë. Autorët që kënaqen duke përsëritur atë që njerëzit bëjnë apo dëshirojnë të dëgjojnë nuk janë të rëndësishëm, dhe aq më pak në qendër të vëmendjes. Ajo që vlen dhe vlerësohet është shpirti krijues inovator, disidenti, shkrimtari që shkruan gjëra të padëgjuara më parë, që neglizhon normat tradicionale dhe kërkon të zëvendësojë vlerat e vjetra me vlera dhe ide të reja. Ky tip shkrimtari është par exellence kundra autoritarizmit, është opozitar i qeverisë dhe shumicës së bashkëkohësve të tij. Ai është ekzaktësisht autori të cilit pjesa dërrmuese e publikut nuk ia preferon dhe ble librat. Çfarëdo që të mendohet për Marksin apo Niçen, askush nuk mund ta mohojë faktin se suksesin më të madh ata e patën pas vdekjes. Ata rrezikonin të vdisnin nga uria nëse nuk do të kishin patur të ardhura të tjera veç të drejtave të autorit. Disidentët dhe inovatorët kanë pak shpresë te shitja e librave të tyre në tregjet e zakonshme. Në tregun e librave, kampion është autori i veprave fiction, që shkruan për masën e gjerë të popullit. Por, do të ishte e gabuar të besohet se blerësit preferojnë gjithmonë librat e dobët kundrejt atyre të mirë e me vlera. Mungesa e aftësisë dhe njohurive në vlerësimin e librave bën që publiku të jetë po kaq i hapur dhe për absorbimin dhe vlerësimin e librave të mirë. Çfarë mund të pritet në këtë aspekt kur çdo vit në tregun e librave shkruhen e qarkullojnë me mijëra vëllime nga më të ndryshmet. Ndoshta një ditë, epoka jonë do të cilësohet si koha e lulëzimit të literaturës, në të cilën vetëm një libër në një mijë mund të ketë vlerat e librave të shkruar në të kaluarën. Shumë kritikë i japin vetes kënaqësinë të akuzojnë kapitalizmin si shkaktari kryesor i asaj që mund të cilësohet si degradim i letërsisë. Por, përpara se të akuzojnë kapitalizmin ata duhet të fajësojnë paaftësinë e tyre për të ndarë qartë kokrrat e grurit nga fijet e kashtës. A janë ata më të informuar dhe më të qartë se paraardhësit e tyre një shekull më parë? T’i referohemi një shembulli. Aktualisht, të gjithë këta kritikë i bëjnë elozhe Stendalit, por kur ai vdiq në vitin 1842, ishte një shkrimtar pak i njohur dhe pak i kuptuar nga publiku. Kapitalizmi iu ka krijuar mundësi masave të gjera me një nivel të mirë jetese që të blejnë masivisht libra e revista. Por, kapitalizmi nuk mund t’iu japë atyre dhe aftësinë e kritikës apo intuitën e oborreve mbretërore për të preferuar dhe përzgjedhur më të mirët. Nuk është aspak faji i kapitalizmit nëse njeriu modern nuk vlerëson dot librat e veçantë që ndryshojnë nga letërsia rutinë konformiste apo letërsia e rrugës.
- Disa shënime mbi romanet policore
Epoka në të cilën lëvizja antikapitaliste radikale fitoi një pushtet qartësisht të parezistueshëm, prodhoi dhe një lloj të ri letërsie, romanin policor. Gjenerata e anglezëve që militonin në Labour Party në pushtet në atë periudhë, u josh nga autorë si Edgar Wallace. Një nga autorët socialistë britanikë nga më të shquarit, G. D. H. Cole, është po kaq i shquar edhe si autor i romaneve policore. Një marksist koherent është gjithnjë i gatshëm të pohojë se romani policor – bashkë me filmat e Hollywood-it, komeditë dhe “artin” e striptease-ve – përbënte superstrukturën artistike të epokës së sindikalizmit dhe socializimit.
Një numër i madh historianësh, sociologësh dhe psikologësh kanë tentuar vazhdimisht të shpjegojnë popullaritetin e kësaj gjinie letrare të çuditshme. Kërkimet më të thelluara në këtë fushë janë bërë nga profesor W. O. Aydelotte, i cili më te drejtë pohon se merita historike e romaneve policore qëndron në përshkrimin e fantazive dhe ideve të mjegullta, si dhe, në krijimin e profilit të njerëzve që i lexojnë ato. Ai ka tërësisht të drejtë kur nënvizon se lexuesi identifikohet me detektivin, gjë që e shndërron këtë detektiv në një zgjatim të egos së tij. Në realitet, ky lloj lexuesi është një njeri i frustruar që nuk ka mundur të arrijë pozicionin që synonin ambiciet e tij. Ashtu siç e kemi theksuar më lart, ai është i predispozuar ta qetësojë shpirtin dhe egon e tij duke vënë në bankën e të akuzuarve padrejtësinë e sistemit kapitalist. Ai ka dështuar sepse është i ndershëm dhe respekton ligjin. Konkurrentët e tij më të pasur e më të lumtur e kanë arritur këtë falë dredhisë dhe pandëshkueshmërisë së tyre: ata kanë bërë veprime të pandershme dhe antiligjore, të cilat ai si njeri i ndershëm dhe korrekt as që i kishte menduar ndonjëherë. Ah, sikur njerëzit ta dinin se sa të pandershëm janë këta arrogantë pa karakter. Por fatkeqësisht, krimet e tyre mbeten të fshehura dhe ata gëzojnë një reputacion të pamerituar. Megjithatë, dita e gjykimit të fundit nuk është larg. Ai vetë do t’i demaskojë dhe do t’i zhveshë lakuriq këta maskarenj. Skenari tipik i ngjarjeve në një roman policor është pothuajse standard: një njeri të cilin shoqëria e vlerëson dhe nderon me respekt duke besuar në ndershmërinë dhe korrektesën e tij ka kryer një krim të llahtarshëm. Asnjeri nuk ka dyshime për të. Por detektivi i stërvitur dhe inteligjent nuk mund të mashtrohet kollaj. Ai di gjithçka mbi këta hipokritë moralizues, duke qenë i aftë të zbulojë dhe mbledhë provat që provojnë fajësinë e tyre. Falë tij, e mira më në fund triumfon. Demaskimi i mashtruesve nga qytetarët e respektuar ka qenë, me një tendencë të maskuar kundër borgjezisë, një subjekt i trajtuar shpesh në nivelet më të larta të letërsisë, si p.sh., nga Henrik Ibsen-i në dramën e tij “Themelet e shoqërisë”. Romani policor e zbret në nivelet më të ulëta intrigën e tij, duke futur aty një personazh “interesant”, detektivin e vetëkënaqur që e gjen kënaqësinë te poshtërimi i një njeriu të cilin gjithë bota e konsideron si një qytetar model për ndershmërinë e tij. Motivi i detektivit është urrejtja e brendshme ndaj “borgjezisë” që ka arritur të pasurohet dhe të ketë pushtet. Homologët e tij janë inspektorë të stacioneve policore qeveritare. Ata janë mjaft aktivë dhe të paduruar për zgjidhjen e enigmës. Bile, shpesh përhapet dhe opinioni se ata, pa e ditur apo kuptuar, janë në krah të fajtorëve, pasi impresionohen ndjeshëm nga pozicioni i tyre social. Detektivi i kalon lehtësisht pengesat me të cilat “viktima” e tij përpiqet të mbrohet. Triumfi i tij është një disfatë për autoritetet dhe institucionet e Shtetit borgjez, që kanë zgjedhur oficerë të tillë policie.
Ja përse romani policor është kaq popullor në shtresat e njerëzve që vuajnë iluzionet e parealizuara dhe poshtërimin e ambicieve të tyre, (natyrisht që ka edhe kategori të tjerë lexuesish të romaneve policore). Ata ëndërrojnë ditë e natë kënaqjen e urrejtjes së tyre mbi të tjerët, domethënë, konkurrentët e tyre të suksesshëm. Ata ëndërrojnë çastin kur rivalit të tyre “do t’i vendosen prangat dhe do ta çojnë në polici”. Kjo kënaqësi e tyre sigurohet indirekt në pikën kulminante të historisë së romanit policor, në të cilën ata identifikohen me detektivin, duke e identifikuar vrasësin e arrestuar me rivalin e tyre të suksesshëm, dhe për këtë fakt të urryer.
*filozof