Leku ka ndjekur ecuri mbiçmuese gjatë vitit 2016. Monedha vendase ka shfaqur ecuri mbiçmuese kundrejt monedhave të vendeve partnere gjatë vitit 2016.
Kursi Euro/Lek rezultoi mesatarisht 137.4 gjatë këtij viti, me një mbiçmim vjetor prej 1.7%. Ky mbiçmim u diktua nga rritja e ofertës së valutës, analizoi Banka e Shqipërisë për zhvillimet në kursin e këmbimit meë 2016.
Përveç kësaj, kursi euro/lek në tregun vendas ka pasqyruar gjithashtu një pjesë të dinamikës së kursit Eur/USD në tregun ndërkombëtar, vlerëson Banka.
Kështu, forcimi i dollarit amerikan në tregun ndërkombëtar, është reflektuar vetëm pjesërisht në kursin USD/Lek, duke ndikuar në nënçmimin e monedhës evropiane kundrejt lekut.
Sipas Bankës së Shqipërisë përgjithësisht, ecuria e kursit USD/Eur në tregjet ndërkombëtare reflektohet kryesisht në kursin Dollar/Lek në vend.
Ndryshimet vjetore të vlerës së USD në lekë në tregun vendas janë pranë atyre të vlerës së USD në Euro në tregun ndërkombëtar. Në vitet 2013-2015, diferenca mes tyre është 0.1pp. Në vitin 2016, kjo diferencë është rritur në 1.7 pikë përqindje.
Kursi USD/Lek rezultoi mesatarisht 124.1 gjatë vitit 2016, me një mbiçmim të lekut prej 1.4%. Në tregun ndërkombëtar, monedha e gjelbër u mbiçmua mesatarisht me 0.3% kundrejt monedhës europiane.
Leku është mbiçmuar gjithashtu edhe kundrejt monedhave të dy vendeve të tjera partnere tregtare, renminbisë kineze dhe lirës turke. Kjo ecuri ka reflektuar më së shumti nënçmimin e fortë të këtyre dy monedhave kundrejt Dollarit Amerikan.
Sipas matjeve efektive, leku shënoi një mbiçmim mesatar vjetor prej 3.2% në terma nominalë dhe prej 3.7% në terma realë./Monitor