Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Mentaliteti antikapitalist

$
0
0

Nga Ludwig von Mises*

Gazeta MAPO vijon botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të njohur austriak Ludwig von Mises, të përkthyer nga profesor Adrian Civici. Në këtë pjesë Von Mises thotë se në një treg të pandikuar dhe të pakushtëzuar nga ndërhyrjet dhe kufizimet e forcave të jashtme, procesi që synon vendosjen e kontrollit të faktorëve të prodhimit në duart e individëve më eficientë nuk ndalet asnjëherë. Ai e shtjellon këtë ide me elegancë të rrallë dhe njohuri të veçanta.

(vijon nga numri i kaluar)

Ishte pikërisht eksperienca e tyre – eksperienca e të punësuarve në zyra ku mbusheshin formularë e kopjoheshin shkresa, ku shkruheshin letra, mbusheshin regjistra dhe klasifikoheshin dosje të ndryshme – ajo që i dha Leninit gjithë informacionin që ai dispononte mbi aktivitetet sipërmarrëse.

Lenini bënte qartësisht ndarjen ndërmjet punës së sipërmarrësve nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, atë të “personelit që zotëron formim shkencor”, ku përfshiheshin inxhinierët, agronomët etj. Ekspertët dhe teknicienët janë ekzekutuesit kryesorë të urdhrave. Në sistemin kapitalist, ata punojnë nën urdhrat e kapitalistëve; në socializëm ata do të punojnë nën urdhrat e “punëtorëve të armatosur”. Funksioni i kapitalistëve dhe sipërmarrësve është i ndryshëm; sipas Leninit ky ishte “kontrolli i prodhimit dhe shpërndarja, regjistrimi i punës dhe produkteve”.

Por, në kapitalizëm, roli i sipërmarrësve dhe kapitalistëve është krejt i ndryshëm: ata duhet të përcaktojnë objektivat dhe qëllimet për të cilat duhet të mobilizojnë faktorët e prodhimit, në mënyrë që të kënaqin në masën më të mirë të mundshme kërkesat e konsumatorëve, domethënë të përcaktojnë atë që duhet prodhuar, sasitë dhe cilësinë e saj. Kjo nuk korrespondon me atë që Lenini thoshte kur përdorte termin “kontroll”. Duke qenë marksist, ai nuk ishte i ndërgjegjshëm për problemet me të cilat përballej drejtimi i aktivitetit të ndërmarrjeve në sisteme të ndryshme organizimi social: rrallësia e paevitueshme e faktorëve prodhues, paqartësitë për të ardhmen në raport me tregjet dhe dëshirat e blerësve, dilemat dhe vendimet që duheshin marrë në zgjedhjen e metodave dhe teknikave që garantonin realizimin e objektivave, teknologjive që siguronin kosto më të ulëta e konkurruese etj. Në shkrimet e Marksit dhe Engelsit nuk gjenden aludime për këto pikëpyetje.

Gjithçka që Lenini mësoi mbi mjedisin e biznesit nëpërmjet shkrimeve e tregimeve të bashkëpunëtorëve të tij që kishin pasur rastin të punonin në zyra, ishte se ky mjedis kërkonte shumë letra, shkresa, regjistra e shifra. Nisur nga kjo, ai deklaronte se “regjistrimi dhe kontrolli” janë elementet kryesore të domosdoshme për organizimin dhe funksionimin korrekt të shoqërisë. Por, ai shtonte se “regjistrimi dhe kontrolli” ishin thjeshtëzuar në ekstrem nga kapitalizmi, i cili i kishte reduktuar ato në operacione të thjeshta mbikëqyrjeje dhe regjistrimi, zbatimi i të cilave mund të kryhej lehtësisht nga gjithkush që dinte të shkruante e të lexonte apo që njihte katër veprimet bazë matematikore.

Ky këndvështrim është ekzaktësisht filozofia e një regjistruesi, e një dokumentuesi në kulmin e lavdisë së tij.

 

  1. Xhelozia e “kushërinjve”

 

Në një treg të pandikuar dhe pakushtëzuar nga ndërhyrjet dhe kufizimet e forcave të jashtme, procesi që synon vendosjen e kontrollit të faktorëve të prodhimit në duart e individëve më eficientë nuk ndalet asnjëherë. Sapo një individ (apo sipërmarrje) fillon të dobësojë përpjekjet për të plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme nevojat më urgjente të cilat nuk ndikojnë në mënyrë thelbësore në kënaqësinë e konsumatorëve, fillon të shfaqet efekti i shpërdorimit të pasurisë së akumuluar gjatë viteve të kaluara. Në të shumtën e rasteve, ky shpërdorim i pasurisë fillon në momentet kur në jetën e një biznesmeni shfaqen shenjat e mungesës së entuziazmit, rënie të energjive dhe aftësive krijuese si pasojë e moshës, lodhjes, sëmundjeve dhe stresit, periudhë në të cilën kapaciteti i tij për të përshtatur dhe koordinuar ecurinë e strukturave të biznesit me kërkesat moderne të tregut fillon e zbehet.

Shfaqja më e dukshme e kësaj gjendjeje është apatia e trashëgimtarëve të tij, të cilët fillojnë të shpërdorojnë pasurinë dhe trashëgiminë. Nëse këta pasardhës janë të dobët, jokompetentë apo të pafuqishëm për të qenë po aq eficientë, ata kanë tendencë t’ia dedikojnë këtë mirëqenie e pasuri institucioneve dhe veprimeve politike të diktuara nga tendencat antikapitaliste. Ata tërhiqen nga tregu, në të cilin, përballë konkurrencës së ashpër, duhen përpjekje të përditshme për ta ruajtur dhe shtuar këtë pasuri, aq më tepër duke përballuar bizneset e tjera sfiduese që dinë të rinovohen dhe “shtrëngojnë rripin” në emër të eficiencës. Duke blerë bono thesari të emetuara nga qeveria, këta trashëgimtarë strehohen nën çadrën e qeverisë, e cila ju premton mbrojtje kundër rreziqeve të tregut apo humbjeve që ndëshkojnë ineficiencën dhe shpërdorimin.

Megjithatë, ka familje në të cilat kapacitetet pozitive menaxheriale trashëgohen nga njëri brez në tjetrin. Njëri apo dy nga fëmijët apo nipërit, në mjaft raste dhe stërnipërit, arrijnë të ruajnë apo dhe ta shtojnë pasurinë e paraardhësve të tyre. Pasuria e gjyshit nuk humbet, por përkundrazi, shtohet akoma më shumë.

Natyrisht, që këto raste nuk janë të shumta. Ato tërheqin vëmendjen jo vetëm për shkak të rrallësisë së tyre, por për faktin se njerëzit duke u treguar të aftë të zhvillojnë një biznes të trashëguar gëzojnë një prestigj të dyfishtë: vlerësimin për prindërit apo paraardhësit e tyre, si dhe respektin për vetveten. “Patricë” të tillë, ashtu siç quhen shpesh njerëzit që injorojnë diferencën ndërmjet një “shoqërie rendesh” dhe shoqërisë kapitaliste, në shumicën dërrmuese të rasteve kombinojnë në personalitetin e tyre edukimin e mirë, shijet delikate dhe sjelljet e rafinuara me talentin dhe vendosmërinë e një biznesmeni shumë punëtor e të palodhur. Shumë prej tyre bëjnë pjesë në elitën e sipërmarrësve më të pasur të një vendi, dhe pse jo, edhe të botës.

Kjo është situata e disa prej familjeve më të pasura në grupin e të ashtuquajturave “familje patricësh”, që ne do të studiojmë nga afër në mënyrë që të shpjegojmë një fenomen, i cili luan një rol të rëndësishëm në propagandën dhe lëvizjet antikapitaliste moderne.

Por, edhe në gjirin e këtyre familjeve të lumtura, cilësitë e nevojshme për menaxhimin cilësor të sipërmarrjeve të rëndësishme industriale nuk trashëgohen automatikisht nga babai te djali apo nipi. Si rregull i përgjithshëm, vetëm njëri, ose e shumta vetëm dy nga individët e çdo gjenerate zotërojnë cilësi të tilla. Në këto rrethana, për ruajtjen dhe shtimin e pasurisë së familjes, është thelbësore që drejtimi i biznesit t’i besohet këtij apo këtyre personave, ndërkohë që anëtarët e tjerë të adaptohen në pozicione më të thjeshta me të ardhura më të vogla.

Metodat e zgjedhura për një “rregullim” apo përshtatje të tillë janë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin sipas klauzolave specifike ligjore kombëtare apo lokale në këto vende. Por efekti i tyre, është gjithnjë i njëjti. Ato e ndajnë familjen në dy kategori – ata që drejtojnë biznesin dhe ata që thjesht marrin pjesë në këtë biznes si pjesë të segmentuara apo plotësuese të tij. Përgjithësisht, kjo kategori e dytë, përfshin individë të lidhur ngushtë me kategorinë e parë që ne propozojmë të quhet “zotëruesit” ose pronarët. Këtu bëhet fjalë për vëllezërit, kushërinjtë, nipat e pronarëve, shumë shpesh motrat e tyre, kunatat, bashkëshortët e motrave dhe fëmijët e tyre etj. Propozojmë që këtë kategori anëtarësh familje ta quajmë “kushërinjtë”.

Kushërinjtë i përfitojnë të ardhurat e tyre nga firma apo kompania e familjes. Por ata janë jashtë jetës dhe përpjekjeve të biznesit dhe nuk i njohin problemet me të cilat përballet çdo ditë sipërmarrësi që drejton këtë biznes. Ata janë rritur dhe shkolluar në lice dhe kolegje prestigjioze, atmosfera e të cilave është krejt e kundërt, bile në mjaft raste përçmuese, kundrejt atyre që fitojnë para. Shumica dërrmuese e tyre e kalojnë kohën në klube nate apo vende të ngjashme dëfrimi, vënë baste dhe luajnë me paranë, festojnë e argëtohen, duke bërë një jetë të kushtueshme. Të tjerë e kalojnë kohën si piktorë amatorë, si shkrimtarë apo adhurues të arteve të ndryshme. E thënë ndryshe, shumica e tyre janë njerëz të pazotë dhe pa kontribute të vërteta.

Është e vërtetë se midis tyre ka patur dhe mund të vazhdojë të ketë përjashtime, që arritjet dhe rezultatet e këtyre kushërinjve të jashtëzakonshëm të familjeve të tentojnë të kompensojnë skandalet e njëpasnjëshme të shkaktuara nga kushërinjtë e tjerë të shndërruar në play boys apo kumarxhinj të regjur. Shumë nga autorët e veprave të ndryshme artistike, eruditët apo qeveritarë të shquar rrjedhin nga këta “xhentëlmenë pa profesion”.

Të çliruar nga nevoja për ta fituar jetën nëpërmjet një zanati të paguar kundrejt punës apo shërbimit të kryer, dhe të pavarur nga dishepujt e sektarizmit, ata u bënë pionierët e ideve të reja. Të tjerë, me mungesa të theksuara frymëzimi apo shpirti krijues, u bënë donatorë apo financues artistësh të ndryshëm, të cilët, pa këtë mbështetje financiare, nuk do të kishin mundur të realizonin veprat e tyre krijuese. Roli që shumë njerëz të pasur kanë luajtur në zhvillimet intelektuale dhe politike të Britanisë së Madhe është theksuar nga shumë historianë. Mjedisi në të cilin jetonin e krijonin autorët dhe artistët në Francën e shek. XIX, ambienti ku ata gjetën frymëzimin dhe kurajën për të krijuar ishte “shoqëria e lartë”.

Megjithatë, ne nuk kemi ndërmend të trajtojmë këtu as veset e play boys dhe as bamirësitë e njerëzve të pasur. Tema që do analizohet është roli që ka luajtur një grup i veçantë “kushërinjsh” në përhapjen e doktrinave që synonin shkatërrimin e ekonomisë së tregut.

Shumë nga “kushërinjtë” besojnë se kanë qenë të anashkaluar si pasojë e ligjeve dhe udhëzimeve që rregullonin marrëdhëniet e tyre financiare me “zotëruesit”, d.m.th. pronarët e sipërmarrjeve familjare; se shumë nga këto rregullime ishin kryer sipas vullnetit të babait apo gjyshit të tyre; se marrëveshjet apo kontratat që rezultonin nga këto ligje të cilat dhe ata vetë i kishin firmosur, krijonin situata në të cilat ata fitonin shumë pak ndërkohë që “zotëruesit” fitonin shumë duke u bërë të pasur.

Të pafamiljarizuar me natyrën e biznesit dhe mënyrat e funksionimit të tregut, ata ishin të bindur – ashtu si edhe Karl Marksi – se kapitali ishte në mënyrë automatike, burimi i prodhimit të fitimit. Ata nuk gjenin asnjë shpjegim apo justifikim përse anëtarët e familjes që drejtonin biznesin duhej të fitonin më shumë se ata.

Mjaft të kufizuar në formimin e tyre për të kuptuar dhe vlerësuar në mënyrë korrekte domethënien dhe përmbajtjen e bilanceve, llogarive apo rezultateve të sipërmarrjes, ata fantazonin se mbas çdo veprimi të pronarëve fshihej një tentativë e poshtër për t’i përjashtuar dhe privuar nga të drejtat e tyre të pasurisë dhe fitimit. Grindjet me “zotëruesit” apo menaxherët e biznesit ishin të vazhdueshme.

Nuk është aspak surprizuese që pronarët të humbin durimin. Ata ndihen krenarë për sukseset e tyre përballë kufizimeve e pengesave të qeverisë, përballë rezistencës dhe kaosit të sindikatave kundrejt sektorit industrial. Ata janë plotësisht të ndërgjegjshëm për faktin se, pa sakrificat dhe përkushtimin e tyre, firma do të kishte falimentuar, do ishte zhdukur nga tregu, apo familja do ishte detyruar ta shiste. Ata besojnë se “kushërinjtë” duhet t’i kuptojnë dhe njohin meritat dhe sakrificat e tyre, duke i konsideruar ato si shumë më të vlefshme se skandalet dhe shthurjen e tyre.

Grindjet familjare midis “zotëruesve” dhe “kushërinjve” janë çështje e brendshme e anëtarëve të një klani të caktuar. Por, ato marrin një rëndësi globale kur kushërinjtë, në emër të demaskimit të pronarëve, bëhen pjesë e frontit antikapitalist dhe furnizojnë me fonde çdo lloj aventure “progresiste”. Kushërinjtë mbështesin me entuziazëm grevat, përfshirë këtu dhe ato që ndodhin në uzinat apo fabrikat që janë pronë e familjes së tyre dhe ku ata sigurojnë të ardhurat.

Tashmë është fakt mjaft i njohur se shumica e revistave dhe gazetave “progresiste” varen tërësisht nga ndihmat dhe donacionet që atyre iu dhurohet bujarisht nga “kushërinjtë”. Këta kushërinj iu japin para universiteteve, kolegjeve dhe instituteve progresiste për “kërkime sociale” dhe mbështesin në të gjitha format aktivitetet e partisë komuniste.

Me statusin e “socialistëve të salloneve” dhe “ndjeshmërisë bolshevike”, ata luajnë një rol të rëndësishëm në kuadrin e “ushtrisë proletare”, në luftë me “sistemin e poshtër kapitalist”.

 

  1. Komunizmi i Broadway dhe Hollywood-it

 

Shumë nga njerëzit të cilëve kapitalizmi iu ka krijuar mundësi të kenë të ardhura të larta dhe kohë të lirë, dëshirojnë të argëtohen. Turma të mëdha mësyjnë dyert e teatrove dhe kinemave. Në botën e spektaklit ka shumë para. Disa aktorë dhe autorë popullorë fitojnë të ardhura marramendëse me gjashtë shifra. Ata jetojnë në shtëpi që janë rezidenca fantastike, me punonjës të shumtë shërbimi, me pemë, kopshte e pishina të mrekullueshme. As që mund të imagjinohet që ata mund të konsiderohen si “të burgosur të uritur”. Megjithatë, Hollywood-i dhe Broadway, qendrat më të famshme botërore të industrisë së argëtimit, janë vatra të komunizmit. Mjaft nga autorët, skenaristët apo aktorët e tyre bëjnë pjesë në mbështetësit më fanatikë të sovjetizmit.

Ka shumë përpjekje e analiza që kanë synuar të shpjegojnë këtë fenomen. Në mjaft nga këto interpretime gjendet një pjesë e të vërtetës. Megjithatë, askush nuk arrin ta sintetizojë në mënyrë të plotë motivin kryesor që i shtyn kampionët e skenës dhe ekranit që të mbushin radhët e revolucionarëve.

Në një regjim kapitalist, suksesi material varet nga vlerësimi i kontributeve të çdo individi nga konsumatori sovran. Nga ky këndvështrim, nuk ka diferencime në shërbimet e ofruara nga një fabrikues industrial nga ato të një producenti, aktori apo autori. Ndërgjegjësimi për këtë ndërvarësi i bën personazhet e spektaklit të ndihen keq përballë atyre që i furnizojnë klientët me produkte të prekshme materiale.

Fabrikuesit e të mirave materiale janë të ndërgjegjshëm që produktet e tyre blihen për arsye të disa cilësive specifike fizike. Në mënyrë të arsyeshme, duke e ditur se është e pamundur që nevojat që plotësojnë këto të mira materiale të ndryshojnë shpejt në një periudhë afatshkurtër, ata janë të bindur dhe presin që publiku t’i kërkojë këta artikuj përderisa ata nuk ofrohen nga dikush tjetër me çmim më të lirë apo me cilësi më të lartë. Në një farë mase, situata e tregut për këto mallra mund të parashikohet lehtësisht nga ana e sipërmarrësve inteligjentë. Me një shkallë të lartë sigurie, ata mund ta shohin të qetë e të bindur të ardhmen e tyre.

Krejt ndryshe ndodh në mjediset e argëtimit. Njerëzit kërkojnë kënaqësinë sepse nuk duan të ndihen të mërzitur. Por, asgjë nuk i lodh dhe shqetëson ata më shumë se sa argëtimet e njohura dhe provuar shumë herë më parë. Thelbi i industrisë së argëtimit është variacioni dhe ndryshueshmëria. Spektatorët duartrokisnin veçanërisht gjërat e reja, të papritura dhe surprizuese. Ata janë kapriçozë dhe të paparashikueshëm. Ata e kanë të lehtë të injorojnë sot të adhuruarin e djeshëm. VIP-at e skenës apo ekranit i tremben gjithmonë kapriçove të publikut. Një mëngjes ata mund të zgjohen të pasur e të famshëm, por mund të ndodhë që të harrohen lehtësisht të nesërmen. Ata e dinë mirë se suksesi dhe fama e tyre varet tërësisht nga humori dhe fantazitë e një turme të zhurmshme e amorfe. Hollywood-i dhe Broadway janë çdo moment të pushtuar nga ankthi. Ashtu si “arkitekti Solness” në dramën e Henrik Ibsenit, regjisorët dhe aktorët e skenës dhe ekranit iu tremben prurjeve të reja të panjohura, talenteve të reja energjike që mund të bëjnë për vete zemrat e publikut.

Tashmë është e qartë se nuk ka asnjë recetë që mund ta eliminojë këtë shqetësim të njerëzve të skenës. Ata duhet të gjejnë patjetër një degë ku të mbahen. Disa prej tyre mendojnë, se është pikërisht komunizmi dega e lirisë së tyre. A nuk është ai një sistem që synon t’i bëjë të gjithë të lumtur e të barabartë? Mos vallë është e rastësishme që mjaft njerëz të shquar kanë deklaruar se gjithë të këqijat e njerëzimit që shkaktohen nga kapitalizmi mund të shërohen apo zhduken nga komunizmi? A nuk janë dhe ata vetë njerëz që punojnë shumë, të ngjashëm me gjithë punëtorët e tjerë?

Përktheu: Adrian Civici. (Vijon në numrin tjetër)

*filozof, themelues i shkollës së Vjenës.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663