Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftoi se sot hyn në fuqi rritja e pagave për ata që punojnë në administratë, arsim apo shëndetësi.
“Sot, rritja 10% e pagës në administratë është një realitet. Është rritur paga me 10% për punonjësit e administratës publike, nëpunësit dhe punonjësit e arsimit parauniversitar, shëndetësi”, tha Ahmetaj.
Ministri theksoi se kjo rritje pagash u bë vetëm në sajë të reformave të qeverisë.
Ahmetaj tha se fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve është më i madhi në 25 vjet.
“Ky është fondi më i madh i rritjes së pagave dhe pensioneve në 25 vjet i akorduar nga buxheti i shtetit. Duke filluar nga sot është jetësuar rritja e pagave mesatarisht 10% për punonjësit e administratës publike dhe nëpunësit civilë, aparatet e ministrive të linjës, administratën e Presidentit, Kuvendit, KQZ, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, disa institucione të pavarura, institucione në varësi të Kryeministrit, Ministrave të linjës dhe administratën e Prefektit”.
Po kështu, Ahmetaj tha se sot është jetësuar dhe rritja e pagave për punonjësit e arsimit parauniversitar me 10%.
Nga ky vendim përfitojnë 31.370 punonjës të sistemit arsimor me efekt 1.3 miliardë lekë për periudhën 12-mujore.
Rritja e pagave në këtë sistem shoqërohet dhe me rritjen e pagave në sistemin e arsimit të lartë 10-12% për 3500 profesorë dhe punonjës akademikë.