Eksportet vijuan tendencën rënëse edhe për 7-mujorin, me një tkurrje prej 2.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 149.7 miliardë lekë, sipas statistikave të INSTAT-it.
Performanca e dobët e “minerale, lëndë djegëse, energji” vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në këtë prirje rënëse të eksporteve, ndërsa “tekstilet dhe këpucët” e kanë marrë veten lehtë.
Grupet e tjera janë në përmirësim të ndjeshëm, sidomos “pijet, ushqimet e duhani” dhe “makineri e pajisje”, por pesha e tyre e vogël në raport me totalin bën që ato të mos kenë ndikim në trendin e përgjithshëm të eksporteve.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 21%, në 42.7 miliardë lekë. Konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare, sidomos për naftën, është arsyeja kryesore e rënies, teksa operatorët nuk kanë interes të prodhojnë e eksportojnë, kur çmimet kanë prekur fundin. Edhe importet e energjisë janë në rënie, për shkak të rritjes së prodhimit vendas.
Eksportet e “tekstile dhe këpucëve” u rritën me 2.25%, në gati 53 miliardë lekë. Për të dytin muaj radhazi eksportet e këtij grupi po shënojnë rritje, që u përshpejtua në 9.2% në korrik, pas tkurrjes së muajve të parë të vitit. Edhe tendenca e importeve të këtij grupi, që punon kryesisht me material porositësi, tregon se pritshmëritë janë në rritje në gjysmën e dytë të vitit.
Materialet e ndërtimit dhe metalet u rritën me 7.2%, në 23 miliardë lekë. Kompania “Kurum” bëri të ditur se ka rritur eksportet e metaleve, për të kompensuar rënien e kërkesës në tregun e brendshëm si rrjedhojë e krizës së ndërtimit.
Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute për 7-mujorin, duke u zgjeruar me 2.6 miliardë lekë, apo 31%, për të arritur në 11 miliardë lekë, apo 7.4% të totalit, nga 5.6% që ishte pesha e tyre në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe grupi i makinerive e pajisjeve të këmbimit vijoi rritjen, duke u zgjeruar me 47%, në 7.2 miliardë lekë, si rrjedhojë e rritjes së aktivitetit të fasonit industrial.
Eksportet e “prodhime druri dhe letre” ranë me 7.3%, ndryshe nga viti i kaluar, kur ky grup kishte një performancë mjaft pozitive.
Për 7-mujorin, grupi më i eksportuar ishin tekstilet e këpucët, me 35% të totalit, ndërsa “mineralet, lëndët djegëse e energjia” kanë zbritur në vendin e dytë me 29% të totalit, nga 36% që zinin për të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor.al