Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, ka takuar Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) Ardit Çollaku në lidhje me gjetjen e një mundësie bashkëpunimi midis dy vendeve për zhvillimin e turizmit.
Çollaku tregoi për ecurinë e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm turistik dhe për masat që po ndërmerren nga AKT-ja për tërheqjen e pushuesve rusë në Shqipëri.
Ai njoftoi ndër të tjera për gatishmërinë e tij për të vizituar bashkë me një delegacion operatorësh turistikë shqiptarë Panairin e XXIV-të Ndërkombëtar të Turizmit “MITT 2017” në Moskë (14-16 mars), ku potenciali turistik i Shqipërisë do të prezantohet në një stend të veçantë.
Kreu i AKT-së informoi gjithashtu rreth bisedimeve në vazhdim me përfaqësues të sektorit turistik në Rusi mbi vendosjen që sivjet të një linje direkte ajrore charter midis Moskës dhe Tiranës. Veç kësaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, sikurse edhe në vitet e mëparshme, ka ndërmend t’ia propozojë Këshillit të Ministrave heqjen e vizave për qytetarët rusë për periudhën e pushimeve verore (maj-tetor).
Çollaku falënderoi Ambasadorin Karpushin për bashkëpunimin e frytshëm dhe i dorëzoi disa materiale promocionale, si broshura, harta dhe fletëpalosje me atraksionet kryesore turistike të Shqipërisë, të botuara në gjuhën ruse posaçërisht për turistët nga Rusia.
Ambasadori Karpushin i vlerësoi përpjekjet e AKT-së për promovimin e Shqipërisë në tregun turistik rus, duke rikonfirmuar interesin për rritjen e fluksit turistik nga Rusia drejt destinacioneve shqiptare si një ndër parakushtet më të rëndësishme për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh edhe në fusha të tjera, para së gjithash në atë të investimeve.