Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Mentaliteti antikapitalist, një libër i rrallë i Ludwig von Mises

$
0
0

Ardian-CiviciNga Adrian Civici

Gazeta MAPO nis botimin e librit “Mentaliteti antikapitalist” të mendimtarit të madh austriak Von Mises, një nga themeluesit e mendimit liberal dhe të shkollës së famshme të Vjenës. Libri është përkthyer nga profesor Adrian Civici, i cili ka shkruar edhe një parathënie për këtë libër. Gazeta sot boton të plotë parathënien e profesor Civicit

Në grupin e “ekonomistëve të shkollës austriake të ekonomisë” Ludwig von Mises (1881-1973) konsiderohet si një nga personazhet më të rëndësishëm e influentë, sidomos për ndikimin e tij në mendimin liberal modern. Me origjinë nga një familje hebrenjsh nga Ukraina, ai e kaloi jetën dhe zhvilloi veprimtarinë e tij në Vjenë, Gjenevë dhe së fundi në SHBA, në universitetin e New York-ut.

I cilësuar shpesh si një nga mbrojtësit më të zjarrtë të kapitalizmit dhe liberalizmit klasik, Ludwig von Mises vlerësohet veçanërisht për traktatin e tij mbi ekonominë “Human Action: A Treatise on Economics” (1949), një vepër monumentale prej 1000 faqesh, në të cilin ekspozohen në mënyrë të plotë pozicionet epistemologjike dhe metodologjike të shkollës austriake mbi “konceptimin subjektiv të vlerës”, “individualizmin metodologjik”, “teoria e këmbimeve indirekte”, “teoria e parasë dhe kapitalit”, “teoria e tregut”, “teoria e cikleve ekonomike”, e deri te problemet etike, politike e sociale që përmban ekonomia si shkencë.

Mises shkruan se “ekonomia nuk duhet lënë që të çmontohet në segmente të shkëputura apo degë të specializuara të saj. Ajo i trajton si një tërësi e pandashme të gjitha fenomenet dhe aksionet ekonomike. Çdo dukuri ekonomike është e lidhur dhe kondicionon gjithë të tjerat. Çdo problem ekonomik duhet të trajtohet në kuadrin e një sistemi kompleks që i jep vendin dhe peshën e duhur çdo aspekti të nevojave dhe dëshirave humane. Trajtimet monografike mbeten fragmentare nëse ato nuk integrohen në një trajtim sistematik të gjithë trupit që përbëjnë marrëdhëniet ekonomike e sociale. Dhënia e një analize të tillë komplete e komplekse është objekti i librit tim “Human Action: A Treatise on Economics”, është gjysmë shekulli eksperiencë. Unë kam parë veprimin e forcave destruktive ndaj civilizimit dhe prosperitetit të lartë të Europës. Duke shkruar këtë libër shpresoj t’iu kontribuoj përpjekjeve të autorëve më të shquar bashkëkohorë, që për të penguar që ky vend (SHBA) të ndjekë rrugën e gabuar që mund ta çojë buzë greminës”.

Emri i Mises ka një vend kryesor ndër ekonomistët kritikë të socializmit dhe teorisë marksiste e leniniste të tij, të nazizmit e komunizmit, ndërkohë që ekonomistë liberalë nga më me reputacion në botë, si: Friedrich Hayek, Murray Rothbard, Israel Kirzner e përmendin me shumë konsideratë faktin se kanë qenë nxënës dhe dishepuj të tij.

Në mënyrë të veçantë ai refuzon çdo lloj matematizimi të ekonomisë, duke qenë kështu dhe një kundërshtar i hapur me shkollën neoklasike të ekonomisë. Mises mendonte se metodat matematike nuk duhen përdorur, se ato janë sterile dhe nisen nga hipoteza të gabuara që të çojnë në konkluzione po kaq të gabuara. Është vetëm “dualizmi metodologjik” ai që duhet të mbizotërojë: metoda e arsyetimit e aplikuar në ekonomi duhet të niset nga njohja jonë për vetveten si qenie njerëzore vepruese për të derivuar pastaj në deduksionin e thjeshtë logjik të ligjeve që drejtojnë fenomenet e ndryshme njerëzore.

Teoria e veprimit njerëzor e quajtur ndryshe dhe “prakseologjia”, përbën thelbin e mendimit dhe arsyetimit të Mises. Ajo përbën sintezën e “shkencës në tërësinë dhe thelbin e saj”, që Mises kërkonte ta precizonte. Në qendër të këtij koncepti qëndron “catallaxia”, e cilësuar nga Mises si “degë e njohurive që studion fenomenet e tregut”, d.m.th., përcaktimin e raporteve të shkëmbimeve reciproke të mallrave të shërbimeve që negociohen në treg, dhe origjinën e tyre si veprim njerëzor. Sipas Mises, gjithçka që ne kërkojmë të studiojmë në ekonomi buron nga zgjedhja individuale, çelësi i kuptimit të së cilës është ekonomia subjektiviste. Në këtë kuptim, zgjedhja përcaktohet nga vendimi njerëzor. Duke bërë një zgjedhje, njeriu nuk zgjedh vetëm të mirat materiale dhe shërbimet, por vë njëkohësisht në funksion të gjithë vlerat e tij njerëzore që disponon. Pikërisht për këtë arsye, thekson Mises, “veprimi njerëzor” është gjithnjë racional dhe nuk ekziston asnjë bazë objektive që të lejon të pohosh që zgjedhjet dhe marrëdhëniet e lira në treg mund të jenë irracionale.

Në moshën 60-vjeçare, si pasojë e origjinës së tij çifute, detyrohet nga nazistët që të emigrojë në SHBA, por kjo nuk e pengoi që vetëm disa vite më vonë e deri në ditët tona të konsiderohet si truri i liberalizmit amerikan dhe atij botëror. Vepra e tij ka qenë e shpërndarë dhe vështirësisht e konsultueshme në tërësinë e saj, por në vitin 1997 ndodhi një surprizë e vërtetë: i gjithë arkivi i Mises u gjet në gjendje shumë të mirë në arkivat ruse, të cilat e kishin marrë nga arkivat gjermane në vitin 1945 kur pushtuan Berlinin. Për këtë arsye, biografitë dhe analizat më të plota për veprën e Ludwig von Mises datojnë mbas vitit 1998. Një kopje e plotë e tyre gjendet në universitetin Auburn në Alabama të SHBA ku, që në vitin 1982 është ngritur dhe “Instituti Ludwig von Mises”, i dedikuar për kërkime në fushën e filozofisë dhe ekonomisë politike. Ai i mbetet besnik koncepteve metodologjike të shkollës austriake, dhe veçanërisht mendimit e ideve të Ludwig von Mises dhe dishepullit të tij më të afërt, Murray Rothbard.

Ludwig von Mises është një ekonomist shumë i vlerësuar ndërkombëtarisht në komunitetin e ekonomistëve. Idetë e tij frymëzuan “mrekullinë ekonomike gjermane” të pasluftës II Botërore. Në vitin 1956 nderohet me çmimin “William Volker Distinguished Service Award”, ndërsa tri vite më vonë, revista amerikane “Fortune”, duke iu referuar shkrimeve dhe analizave të tij, shkruante se “në planin e ideve, komunizmi nuk ka kundërshtar më të fortë se Von Mises”. Në 1962, merr medaljen e nderit austriake për artet dhe shkencat me motivacionin “për punën e tij të vlerësuar ndërkombëtarisht në shkencat politike dhe ekonomike”. Një vit më vonë, në 1963, shpallet “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të New Jorkut “për paraqitjen e filozofisë së tregut të lirë dhe përpjekjet për një shoqëri të lirë”, ndërsa një vit më vonë shpallet “Doctor rerum politicarum” nga Universiteti i Fribourg-en-Brisgau në Gjermani. Po në të njëjtin vit shpallet si “Distinguished fellow” nga American Economic Association. Sipas Jorg-Guido Hulsmann, autorit të njërit prej librave më të mirë të shkruar për Mises “Mises: The Last Knight of Liberalism”, “Veprat e Mises meritojnë të jenë programe themelore në kurrikulumet e çdo universiteti, jo vetëm në departamentet e ekonomisë, por dhe në ato të filozofisë, historisë, politikave dhe administrimit publik, sociologjisë, jurisprudencës, tregtisë, gazetarisë dhe humaniteteve. Mises meriton nderimet dhe mirënjohjen maksimale që shoqëria jonë mund të japë”.

Teoria ekonomike e përpunuar dhe mbrojtur nga Mises bazohet në themelet e “realizmit”. Duke u nisur nga premisa empirike të përgjithshme, ajo procedon me një analizë të natyrës njerëzore dhe konceptit të veprimit human që rrjedh prej saj. Ndryshe nga makroekonomia që analizon të dhënat statistikore, agregatet ekonomike e financiare, modelimet ekonometrike etj., Von Mises mbështetet tërësisht te roli dominant i “subjektivitetit në ekonomi”, duke insistuar te rëndësia e opinioneve subjektive të individëve në formimin e fenomeneve sociale, në ekuilibrat ekonomiko-socialë, në rolin dhe funksionimin e biznesit etj. Në përputhje me teorinë e utilitetit margjinal zbritës, ai e përcakton vlerën si “shkalla e rëndësisë që i jepet nga njeriu një malli të caktuar” duke iu referuar për këtë “paradoksit të ujit dhe diamantit”: një gotë ujë në shkretëtirë nuk ka të njëjtën vlerë si në një rajon me ujë të bollshëm, por nëse shtojmë edhe një gotë të dytë apo të tretë, atëherë vlera e gotës së ujit do jetë më e ulët në krahasim me gotën e parë. Pra, vlera nuk është një veti apo përmbajtje e brendshme e mallrave, por ajo është te ne, në mendjen tonë, qëndron te rëndësia dhe utiliteti që ne iu japim mallrave në një moment dhe vend të caktuar.

Sipas Mises, tregu nuk rregullohet apo bëhet më efektiv si pasojë e ndërhyrjeve shtetërore, përkundrazi, duke e lënë të lirë, ai prodhon një eficiencë optimale që asnjë organizatë apo institucion planifikues nuk mund ta arrijë. “Planifikimi individual është superior në krahasim me çdo planifikim kolektiv”. Në gjithë veprën dhe aktivitetin e tij, Ludwig von Mises refuzon çdo lloj forme kolektivizmi apo etatizmi, qoftë ky në formën e socializmit, fashizmit, nazizmit, apo dhe në formë të moderuar si keynesianizmi. Baza dhe themelet e çdo civilizimi sipas tij janë: prona private, liria individuale, tregu i lirë, ndarja e punës, tregtia e lirë etj. Mises, në veprën e tij monumentale “Human Action: A Treatise on Economics” thekson se “ekonomia e tregut nuk ka nevojë për militantë e propagandistë…nëse ju kërkoni monumentin e saj, shikoni rreth e rrotull jush”. Sistemi kapitalist i prodhimit është një demokraci ekonomike në të cilën çdo qindarkë të jep të drejtën e një zgjedhje, e një vote. Konsumatorët përbëjnë popullin sovran”.

Në vitin 1920, vetëm 3 vjet mbas revolucionit të tetorit në Rusi, ai predikon fundin e afërt të komunizmit leninist dhe shpjegon me detaje përse çdo sistem me planifikim të centralizuar, jo vetëm që është shumë më pak eficient se tregu i lirë, por mbi të gjitha një sistem i tillë nuk mund të mbijetojë gjatë, sepse një ekonomi normale nuk mund të funksionojë pa çmimet e lira të tregut që janë informacioni kryesor për aktorët e tij.

Në librin e tij “Socializmi” të botuar në vitin 1922, Mises shkruan se “pikërisht si pasojë e shkatërrimit të çmimeve të tregut, planifikimi i centralizuar kthehet në një paradoks, pasi e ka të pamundur të bëjë kalkulime ekonomike reale… ajo që ne quajmë ekonomi e planifikuar nuk është aspak ekonomi e vërtetë…është thjesht si të tentosh të ngulësh gozhdë në errësirë…pa treg nuk ka llogaritje ekonomike…dhe për pasojë, as ekonomi të vërtetë”. “Një vend socialist është si një shoqatë e madhe autoritare në të cilën jepen dhe zbatohen urdhra. Ekonomia e planifikuar dhe centralizimi e kontrolli total i prodhimit përbëjnë një strukturë që mund të krahasohet lehtësisht me sjelljen ushtarake”.

Mises cilësohet si një nga “mbrojtësit dhe mbështetësit më intelektualë të kapitalizmit” dhe civilizimit perëndimor, si ekonomisti me kontribut origjinal që argumentoi se socializmi duke shkatërruar konceptet e eficiencës, rentabilitetit, konkurrencës së lirë, pronës private, tregut, çmimeve etj., jo vetëm që e bënte të pamundur koordinimin dhe planifikimin ekonomik, por e çonte ekonominë dhe shoqërinë në kaos. Planifikimi i centralizuar socialist i sistemeve ekonomike është i pamundur, është përtej mundësisë dhe aftësisë së një njeriu apo institucioni. Mises tregoi se koordinimi ekonomik më eficient kërkon pjesëmarrjen e gjithë aktorëve të sistemit ekonomik. Kjo ndodh vetëm në kapitalizëm, ku çdo ditë, biznesmenët bëjnë plane bazuar në llogaritjen e fitimit dhe humbjes, punonjësit mbi bazën e pagës dhe të ardhurave, konsumatorët mbi bazën e çmimeve.

Sipas Mises, kapitalizmi është një sistem ekonomik që planifikon në mënyrë racionale nëpërmjet kombinimit të interesave të të gjithë aktorëve të tij. Më shumë se sa antisocialist, Mises cilësohet si një “pro-kapitalist”. Kundërshtimi i socializmit dhe çdo forme tjetër ndërhyrje dhe kontrolli qeveritar buron nga vlerësimi maksimal që ai i bënte lirisë individuale, harmonisë së interesave të njerëzve të lirë, konkurrencës së pastër etj.

Në vitin 1922, Mises boton punimin e tij “The Theory of Money and Credit”, i konsideruar si një nga kontributet kryesore të tij në teorinë ekonomike, në të cilën synohet konceptimi i ekonomisë si “analizë e veprimtarisë njerëzore” dhe jo thjesht si një ndarje e problemeve ndërmjet makro e mikroekonomisë. Ai e ri-integroi paranë në teorinë margjinaliste, duke treguar se ajo është një produkt si gjithë të tjerat dhe jo thjesht një “velë” që nuk ka ndikim në sistemin e prodhimit siç thoshte David Ricardo. Në fund të fundit, të gjitha specifikat e monedhës janë në funksion të qëllimit primar e unik të saj, atë të mjetit të këmbimit.

Mises propozon një ndarje apo tipologji origjinale të monedhave, duke i diferencuar ato si “monedha në sensing strikt”, dhe “monedha në sens të gjerë”. Ai tregon se rritja e masës monetare nuk shoqërohet uniformisht me rritjen e çmimeve, por përkundrazi i devijon ato nga trendi normal i tyre në treg, pasi ligji i kërkesës dhe ofertës i aplikuar në rastin e monedhës, përcakton çmimin e saj, që nuk është gjë tjetër veçse fuqia e saj blerëse. Mises mban një qëndrim të qartë kundër “proceseve inflacioniste”, të cilat i konsideron si “burim rishpërndarës” dhe pa asnjë ndikim në krijimin e pasurisë së një vendi, ndërkohë që evidenton rrezikun nga manipulimet e masës monetare, të cilat përfundojnë me kriza të rënda financiare, si p.sh., ajo e depresionit të madh në SHBA në vitin 1929. Sipas tij, sistemi i etalonit-ar është i vetmi sistem monetar i qëndrueshëm.

Libri “Mentaliteti antikapitalist”, megjithëse u shkrua në mesin e viteve ’50 të shek. XX, thelbi i analizës dhe konkluzioneve të tij mbeten aktuale. Mises shpjegon në mënyrë lakonike arsyet e urrejtjes dhe kundërshtive ndaj kapitalizmit të një kategorie njerëzish apo shtresash sociale. Sipas tyre, “disa gjëra ecin mirë pavarësisht nga kapitalizmi”, ndërkohë që gjithçka që shkon keq “është pasojë direkte e kapitalizmit”. Ndërkohë, sipas nënvizimit të shpeshtë të Mises në libër, kombet më të pasura dhe më të zhvilluara të botës janë ato që kanë eliminuar në maksimum pengesat për lirinë e sipërmarrjes dhe kapitalizmit.

Libri fillon me sqarimin e lexuesit me konceptin e “konsumatorit sovran”. Në një sistem ekonomik e social të tregut të lirë, janë vetëm konsumatorët ata që nëpërmjet blerjeve të tyre përcaktojnë se çfarë duhet prodhuar, në çfarë cilësie dhe sasie. Nëse duan të fitojnë dhe të mbeten në treg, bizneset duhet t’iu shërbejnë konsumatorëve në mënyrën më eficiente të mundshme, pasi në rast të kundërt mund të falimentojnë.

Në një ekonomi të lirë asgjë nuk është e garantuar apo e arritur një herë e përgjithmonë. Nëse një sipërmarrës nuk investon në përputhje me kërkesat e tregut, pra të masës së gjerë të konsumatorëve, dhe mbi të gjitha, nëse kostot e produkteve të tij nuk janë konkurruese, atëherë kapitali i tij dobësohet e zvogëlohet deri në zhdukje të plotë nga tregu. Në një ekonomi kapitaliste janë konsumatorët sovranë ata që kontrollojnë mjetet e prodhimit. Vetëm konsumatorët janë “të aftë të përcaktojnë preferencat e tyre”. Ata nuk kanë nevojë për “gardianë”, domethënë për qeverinë, për t’iu imponuar atyre zgjedhje apo kufizime të caktuara. Ata nuk kanë nevojë të orientohen apo mbrohen nga burokratët e planifikimit të centralizuar.

Ndryshe nga aristokratët e dikurshëm, sipërmarrësit kapitalistë pasurohen duke plotësuar dhe i shërbyer kërkesës së konsumatorëve. Kapitalizmi është një formë meritokracie, e cila shpërblen dhe privilegjon më të mirët, më eficientët dhe më të suksesshmit. Por kjo shkakton një ndjenjë urrejtjeje dhe poshtërimi nga ata që dështojnë të jenë të suksesshëm dhe eficientë. Por, në vend që të kuptojnë dhe analizojnë, apo qoftë dhe “justifikojnë” inferioritetin e tyre, kjo kategori individësh është gjithmonë në kërkim të një “koke turku” fajtore: sistemi kapitalist. Ata i aktivizojnë energjitë dhe përpjekjet në përçmimin dhe kritikat e rrepta për kapitalizmin si fajtori i vetëm që nuk iu krijon mundësi të fitojnë e pasurohen në përputhje me potencialet dhe kapacitetet që kanë, ose që pretendojnë se i kanë. Kjo kategori individësh fillon të promovojë me zell të jashtëzakonshëm “një sistem ekonomik e social më të barabartë” në gjirin e të cilit inferioriteti dhe ineficienca e tyre do të “tretej” në kuadrin e një “mesatareje të përgjithshme”, dhe në këtë mënyrë do t’iu krijonte mundësi këtyre njerëzve që të arrinin në sferat më të larta të pasurisë, administrimit dhe shoqërisë në tërësi. Kjo është mënyra më e zakonshme e instalimit të mentalitetit antikapitalist në masat e gjera popullore në shumë vende të botës, të zhvilluara apo të pazhvilluara qofshin.

Sipas Mises, pjesa kryesore e përmirësimit të produktivitetit të fuqisë punëtore në dekadat e fundit ka ardhur si rezultat i akumulimit dhe përmirësimit cilësor të kapitalit prodhues në ekonomi. Për Mises, e vetmja mënyrë për përmirësimin e kushteve të jetesës së një shoqërie është përshpejtimi i rritjes së kapitalit të akumuluar me një shpejtësi më të lartë se sa rritja e popullsisë. Sa më e madhe të jetë sasia e kapitalit për banor, aq më i lartë do të jetë produktiviteti i punës dhe prodhimit, dhe për pasojë aq më i lartë do jetë niveli i jetesës së popullsisë. Kapitalizmi është i vetmi sistem që krijon mundësi dhe stimulon akumulimin e kapitalit produktiv.

Ludwig von Mises, nënvizon se “vetëm inovacionet teknike e teknologjike nuk janë të mjaftueshme” për të përmirësuar nivelin e jetesës së masave të gjera të popullit. Duhet investuar sa më shumë kapital në mënyrë që këto inovacione të jenë funksionale dhe të prodhojnë mirëqenie për sa më shumë njerëz. Për realizimin e kësaj recete eficiente është e domosdoshme të kursehet, dhe në mënyrë që të sigurohet një masë sa më e madhe kursimesh, duhet që sistemi ekonomik dhe politik të mbrojë të drejtat e pronës të çdo individi kundrejt konfiskimit shtetëror të tyre.

Në këtë kuadër, Mises thekson se progresi varet nga tri kategori individësh: ata që kursejnë, pra që prodhojnë kapitalin; ata që investojnë, pra që orientojnë përdorimin e kapitalit; dhe sipërmarrësit, ata që përpunojnë dhe vënë në zbatim metodat më eficiente të përdorimit të kapitalit. Veprimet e këtyre tre klasave individësh “lindin” apo prodhojnë të mirat materiale nga të cilat përfitojnë gjithë individët e tjerë të shoqërisë.

Në libër, Mises evidenton dhe një konkluzion interesant: rritja e pagave nuk varet vetëm nga produktiviteti i punonjësve të sektorit apo aktivitetit specifik në një proces të caktuar prodhimi, por varet gjithashtu nga rritja e produktivitetit margjinal të punës në tërësinë e ekonomisë kombëtare. Çfarë nënkupton kjo sipas Mises? Duke iu referuar shembullit të “punës dhe pagës së berberit”, Mises konstaton se gjatë dekadave të fundit, produktiviteti i punës së berberit nuk ka ndonjë përmirësim të dukshëm, megjithatë, pagat reale të berberëve janë rritur ndjeshëm. Përse ka ndodhur një fenomen i tillë?

Mises e shpjegon këtë me faktin se produktiviteti i punës në sektorë të tjerë, të ndryshëm nga shërbimet e berberit, është rritur më shpejt, si është shembulli i punonjësve të uzinave ku prodhohen makina apo avionë, ku si rezultat i teknologjive moderne apo robotikës, produktiviteti i punës së çdo punonjësi është shumëfishuar. Por, punëdhënësi i berberit, e ka të qartë se punonjësit e këtij sektori shërbimesh janë të dyzuar ndërmjet ofertës së pagës në uzinën e prodhimit të avionëve apo makinave dhe ofertës së pagës në profesionin e berberit, dhe për pasojë, nëse do t’i mbajë apo shtojë punonjësit e tij, duhet t’iu ofrojë atyre një pagë të ngjashme me atë që përftohet në uzinë. Në këtë mënyrë, paga e berberit reflekton produktivitetin margjinal të sektorëve të tjerë të punësimit që punonjësi mund të zgjedhë. Sipas Mises, ky është mekanizmi që krijon mundësinë që përfitimet dhe produktiviteti i kapitalizmit të shpërndahet në gjithë shtresat sociale. Efekti pozitiv te pagat e punonjësve i rritjes së produktivitetit shkaktuar nga investimet në kapital në kuadrin e një ekonomie në tërësinë e saj, i tejkalon ndjeshëm limitet apo kufizimet që kanë biznese apo sektorë të ndryshëm në periudha të caktuara për të rritur pagat e punonjësve të tyre.

Mises analizon gjerësisht “arsyet e urrejtjes ndaj kapitalizmit” duke i atribuuar atij gjithë fajet dhe përgjegjësitë për krizat ekonomike, papunësinë, depresionet dhe recesionet ekonomike etj. Sipas Mises, gjithë këto fenomene janë më shumë rezultat i veprimeve dhe ndërhyrjeve centralizuese shtetërore e qeveritare të cilat, nëpërmjet politikave të tyre shkatërruese tërësisht subjektive asfiksojnë energjitë dhe eficiencën e kapitalizmit. Në libër i kushtohet një vëmendje specifike konkluzionit se “nuk ekzistojnë sistemet mikse ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit”. Një sistem i tillë, i imagjinuar shpesh si “rruga e tretë” është thjesht një tentativë e dështuar pa të ardhme. Për Mises, e ashtuquajtura rrugë e tretë që pretendon se kombinon anët më pozitive të dy sistemeve, kapitalizmit dhe socializmit, nuk është gjë tjetër veçse një formë e fshehur e ndërhyrjes shtetërore, një maskim i planifikimit të centralizuar dhe autoritetit të qeverisë në ekonomi.

Përballë pyetjes dhe debateve të mëdha mbi ekzistencën e varfërisë në shumë vende të botës në Afrikë, Azi, Amerikën Latine apo Europën Lindore, Mises nënvizon faktin se këto vende nuk janë udhëhequr asnjëherë nga flamuri dhe parimet e lirisë, nuk kanë mbrojtur kurrë ashtu siç duhet të drejtat e individit kundër fuqisë dhe pushtetit të planifikimit të centralizuar, nuk janë ngritur apo kanë vënë në dyshim veprimet arbitrare të qeverisjeve despotike. Për pasojë, këto vende nuk kanë mundur të ndërtojnë një kuadër ligjor që mbron pronën dhe lirinë ekonomike nga konfiskimet dhe përvetësimet e tiranëve.

Në të kundërt, të verbuar nga ideja se pasuria e të pasurve është shkaku kryesor i varfërisë së të varfërve, ata kanë aprovuar shpronësimin e sipërmarrësve nga qeveritarët. Në këtë mënyrë, akumulimi i kapitalit është kufizuar duke bërë që këto vende të privohen nga përfitimet që vijnë nga investimet kapitale; këto vende kanë pranuar ekzistencën e një burokracie oligarkike, e një klase të privilegjuar parazite që vret dinamizmin dhe lirinë ekonomike.

Sipas Mises, ndryshimi dhe adaptimi përbëjnë forcën themelore dhe esenciale të vetë jetës. Falë këtyre dy forcave shoqëria dhe individët evoluojnë dhe përmirësohen, falë tyre avantazhet dhe supremacia në treg është thjesht një moment i përkohshëm statu quo-je, e cila ndodhet vazhdimisht nën presionin e ndryshimit dhe përmirësimit. Ndryshimi dhe adaptimi shqetëson vetëm ata që nuk dalin dot përtej ideve të vjetra dhe qëndrimeve të ngurta. Në këtë këndvështrim, Mises nënvizon në mënyrë të përsëritur në libër se antikapitalizmi është një formë rezistence kundrejt ndryshimeve të domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles