Nga Dr. Orkida Ilollari (Findiku)
Drejtore e programeve Master, UET
Me politikë makroprudenciale kuptojmë përpjekjet e bëra nga politikëbërësit makroprudencialë, të cilët tentojnë të kufizojnë riskun sistemik, pra riskun e prishjes së ofertës për shërbime financiare, të shkaktuara nga dëmtimi i sistemit financiar. Kriza e fundit globale nënvizoi se politikat tradicionale për të arritur stabilitet makroekonomik, nuk mjaftonin që të siguronin edhe stabilitet financiar ose dhe më gjerë. Argumenti bazë që lindi nevojën e politikës makroprudenciale, qëndron në tre faktorë: prirja e sistemit financiar në tërësi, për të amplifikuar tronditjet e forta; instrumentet ndihmëse mund të ekspozohen ndaj tronditjeve; lidhjet financiare që rrisin cenueshmërinë e sistemit ndaj tronditjeve të forta. Megjithëse shumë prej këtyre lidhjeve mund të shfaqen në formën e ekspozimeve direkte, ato mund të “kapen” nga rregullatorët dhe të shfaqen si garanci të nënkuptuara në derivate dhe tregje financiare.
Mundësitë
Cilat janë mundësitë e politikës makroprudenciale? Politika makroprudenciale kryesoi axhendën politike financiare ndërkombëtare në vazhdën e krizës së fundit dhe si fushë politikash ekonomike është relativisht e paprovuar. Nuk ka akoma një konsensus të gjerë për praktikat më të mira të provuara në këtë fushë. Së pari, politikëbërësi makroprudencial duhet të ushtrojë një ose shumë instrumente politike për të adresuar një rrezik sistemik të caktuar. Shfrytëzimi i instrumenteve të shumëfishta është i dobishëm se lejon atë të ndjekë aspekte të ndryshme të të njëjtit rrezik sistemik. Nga kërkimet e fundit thuhet se bankat “e rregulluara” e ulin kreditimin, siç edhe pritet në përgjigje të kërkesave makroprudenciale më të shtrënguara për kapital që synojnë të zbusin ciklin e kreditimit. Ndërsa bankat e “parregulluara” e rrisin kreditimin në përgjigje të kërkesave më të shtrënguara për kapital ndaj një grupi përkatës bankash të rregulluara. Së dyti, ata duhet të zgjedhin mes objektivave ndaj rrezikut sistemik. Së treti, duhet të baraspeshojnë konfidencialitetin dhe rregullat. Instrumentet që bazohen në rregulla funksionojnë me anë të një parimi për treguesit e rrezikut sistemik. Këta rregulla veprojnë si mbrojtës kundër paaftësisë për të parashikuar kohën dhe madhësinë e efekteve të politikës. Së katërti, politikat duhet të kalibrohen me kohën. Një politikë makroprudenciale efektive i gërsheton të dyja: rregullat e pandryshueshme në kohë që vështirësojnë formimin e rrezikut sistemik, si dhe politikat që shtrëngohen, kur rreziku sistemik perceptohet të jetë rritur në nivele të konsiderueshme rrezikshmërie.
Zgjidhjet
Përse shërben politika makroprudenciale? – Argumenti që krijoi nevojën e përdorimit të politikës makroprudenciale, qëndron në tre faktorë: Së pari: prirja e sistemit financiar në tërësi, për të amplifikuar tronditjet e forta. P.sh., bankat mund të reagojnë ndaj një ekonomie në rënie duke ndërprerë kreditimin. Së dyti: instrumentet ndihmëse mund të ekspozohen shumë ndaj tronditjeve të pafavorshme. Për shembull, ndërvarësia mes çmimit të kredisë dhe të aktiveve mund të çojë në një situatë ku kredia e bankave rrit çmimin e aktiveve, pra edhe vlerën e kolateraleve. Së treti, lidhjet financiare që rrisin cenueshmërinë e sistemit ndaj tronditjeve të forta. Politikat makroprudenciale përkundrejt paqëndrueshmërisë financiare. – Kriza e fundit tregoi se stabiliteti i çmimeve nuk mjafton për të siguruar stabilitetin financiar. Mbikëqyrja financiare dhe autokontrolli i tregut që dominojnë, nuk mjaftojnë që të parandalojnë euforinë sistemike në të cilën degradimi i disa operacioneve financiare do të kishte pasoja të rëndësishme, jo vetëm mbi tërësinë e sistemit financiar, por edhe mbi vetë ekonominë reale. Propozimet e bëra më parë për rregullimin financiar ishin të orientuara drejt të ashtuquajturës politikë e kujdesit maksimal. Objektivi ishte mbajtja e stabilitetit financiar global, ku pretendohej parandalimi i rreziqeve që lidheshin me sistemin financiar dhe në zbutjen e impaktit të tyre mbi ekonominë në rast krize. Evolucioni i regjimeve ekonomike financiare dhe monetare ka përforcuar ndërvarësinë e tyre, duke bërë një ripërcaktim të zonave të shtrirjes së veprimit respektiv të tyre, pra të vetë regjimeve ekonomike, financiare dhe monetare.
Mbikëqyrja
Ka për qëllim identifikimin/vlerësimin në kohë të zhvillimeve në lidhje me sistemin financiar, si dhe të paralajmërojë e të japë rekomandime. Sipas Bundesbank stabiliteti financiar është: “aftësia e stabilitetit financiar që të përmbushë funksionet e veta kyçe në çdo kohë, në mënyrë të veçantë shpërndarjen e burimeve financiare dhe rreziqeve, si dhe të sigurojë një infrastrukturë financiare efikase”. Mbikëqyrja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar kërkon adaptimin e strukturave të referimeve makroprudenciale, të përcaktuara si një element ndihmës në përshtatje dhe përmirësimin e metodave të politikës monetare që funksionojnë edhe në ditët e sotme. Rregullimi makroprudencial ka si objektiv kryesor: garantimin e stabilitetit të sistemit financiar në tërësinë e tij, ju imponon autoriteteve rregulluese përmirësimin dhe kompletimin e analizës së rrezikut të riskut sistemik dhe ju kërkon atyre që të kenë në dispozicion instrumentet e nevojshme për trajtimin e këtij risku. Politika makroprudenciale iu drejtohet institucioneve individuale financiare, tregjeve, si dhe ekspozimit të tyre të përbashkët ndaj faktorëve ekonomikë e rrezikut. Ajo fokusohet në sjelljen prociklike të sistemit financiar, në përpjekje për të nxitur stabilitetin në tërësi. Roli i politikës mikroprudenciale dhe asaj monetare ndërthuren me njëra-tjetrën, ndërsa roli i politikës makroprudenciale është i ndarë nga dy të parat. Politika makroprudenciale ka si qëllim të stabilizojë çmimin e kombinuar të shërbimeve dhe mallrave në një ekonomi. Një tjetër objektiv kryesor i kësaj politike është edhe sigurimi i stabilitetit financiar, i cili ofron në mënyrë konstante shërbimet e ndërmjetësve financiarë gjatë gjithë ciklit të kredisë.
Baza për implementimin e suksesshëm të instrumenteve makroprudenciale është një strukturë e mirë si dhe mbikëqyrje e fortë. Sipas FMN kur aplikohen instrumentet makroprudenciale duhet patur parasysh që të njëjtat masa nuk janë të efektshme njësoj në të gjitha vendet ku janë aplikuar.
Përshtatja
Një politikë makroprudenciale nuk është gjë tjetër veçse një orientim makroprudencial i rregullimit financiar. Ai përqendrohet mbi riskun sistemik dhe paqëndrueshmërinë e variablave të sistemit financiar, tashmë të njohur dhe në karakterin transversal dhe dinamik të këtyre risqeve. Ekzistojnë tre faktorë të jashtëm, nga mund të krijohet risku sistemik: që lidhen me likuidimin e aktiveve në rast katastrofe gjatë fazës së tkurrjes të ciklit financiar dhe rënies së çmimeve të aktiveve, duke ndikuar në bilancin e bankave; që lidhen me strategji imituese d.m.th. që krijojnë dobësi të ngjashme me krizat bankare; që lidhen me ndërveprimin, që çon në shtrirjen e stresit financiar nëpërmjet ndërvartësive kontraktuale të bankave. Politika makroprudenciale fokusohet në frenimin e vatrave të riskut gjatë fazave të zgjerimit, si dhe korrigjon presionet e ndërhyrjes së transferuar nga jashtë. Për të realizuar këta objektiva, janë të nevojshme tri etapa: etapa e analizës makroprudenciale, nëpërmjet mbikëqyrjes së krijimit të risqeve; kontrolli i zbatimit të politikës makroprudenciale, nëpërmjet seleksionimit të indikatorëve, të cilët zbulojnë drejtpërdrejt materializimin e këtyre risqeve; rregullimi makroprudencial, nëpërmjet krijimit dhe shfrytëzimit të instrumenteve korrigjuese dhe parandaluese.