Ulja e TVSH-së nga 20% në 15% në bazë të fakteve nga vendet që e kanë aplikuar, ka rezultuar me një konsum të shtuar me 12%. E njëjta përvojë mund të vlejë dhe për Shqipërinë.
Pavarësisht keqkuptimeve të zakonshme, Bashkimi Evropian në të vërtetë i lejon shtetet anëtare për të vendosur normat e tyre të TVSH-së për një numër të caktuar të kategorive të mallrave dhe shërbimeve. Në vitin 2009, BE e ndryshoi Direktivën për TVSH, me qëllimin për të lejuar të gjitha shtetet anëtare të ulin TVSH-në me 5% për rikonstruksionin e banesave private, me përjashtim të materialeve për ndërtim, si dhe një sërë ndryshimesh për reduktimin e TVSH për mallrat ushqimore bazë, librat dhe revistat, shërbimin turistik, si dhe përjashtime të natyrës individuale dhe të kufizuara në shtete të caktuara.
Pasi ligji i ri TVSH u fut në Shqipëri në vitin 2015, diskutimi në këtë drejtim filloi të jetë efektiv dhe më intensiv, veçanërisht prej operatorëve ekonomikë të sektorit të turizmit, si dhe të shërbimeve të tjera që përdoren nga baza e gjerë e konsumatorëve janë duke kërkuar uljen e normës standarde TVSH. Por a është e mundur për qeverinë shqiptare që të menaxhojë një ulje të normës së TVSH-së për disa nga nevojat më të rëndësishme themelore të qytetarëve dhe ekonomisë? Në këtë drejtim ne duhet të shqyrtojmë efektet e një uljeje të përkohshme të TVSH, duke identifikuar tri efekte të mundshme:
– një efekt në të ardhurat e njerëzve që përfitojnë nga një kosto më e ulët e jetesës gjatë periudhës së reduktimit të TVSH;
– një efekt që zëvendëson humbjen e buxhetit për të ardhurat e TVSH së reduktuar me të ardhura nga tatimet mbi kapitalin dhe taksa të tjera konsumi;
– një efekt mbi konsumin dhe prodhimin ekonomik, pasi njerëzit blejnë mallra gjithnjë e më shumë gjatë periudhës që ka ulje të përkohshme të TVSH, pasi me rritjen e normës së TVSH edhe çmimet do të jenë ngritur.
Nisur nga përvoja ndërkombëtare, mundet të shikojmë sugjerimin mbi një ndikim të qartë në konsumin e përgjithshëm në rastin e reduktimit të TVSH për produktet bazë, edhe pse natyra e modelit varet nga mënyra me të cilën janë analizuar të dhënat. Megjithatë, çështja kryesore e politikës është ndikimi i ndryshimit të TVSH-së në prodhimin ekonomik dhe shqyrtimi i një modeli simulimi mbi tërë ekonominë është më se i nevojshëm për këtë politikë. Ulja e TVSH-së nga 20% në 15% në bazë të fakteve nga vendet që e kanë aplikuar këtë politikë ka rezultuar me një konsum të shtuar nga 12 %. E njëjta përvojë mund të thuhet se vlen edhe për Shqipërinë. Edhe pse konsumi mund të rritet me të njëjtat nivele apo edhe më pak, pasi ekzistenca e tregut informal shërben si një ndikues që përthith bashkë me uljen dhe efektet e saj, nuk mund të flitet me siguri për ndikimin direkt të saj në çmimet e konsumit. Një përvojë që duhet të vlejë është rasti i Kosovës. Qytetarët konsumatorë, nuk kanë vërejtur ulje të çmimeve, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji tatimor në Kosovë – duket se është konkluzioni nga konsumatorët kosovarë. Megjithatë GDP ka të ngjarë të jetë rritur nga më pak se 1 për qind në krahasim me atë që do të kishte ndodhur pa rritjen e TVSH-së. Ulja e përkohshme është me ndikim në dy drejtime, si duke ndikuar konsumi, po ashtu edhe GDP pasi të dy treguesit janë të ndërvarur dhe rrjedhojë e politikës.
Por, a është ky vendim politik i dëmshëm për buxhetin dhe stabilitetin e tij? Le të shikojmë disa fakte nga tendencat e konsumit nga vendet e BE-së dhe pas kësaj të bëjmë disa komente logjike. Konsumatori familjar mban një peshë prej 60% të gjithë TVSH-së në vendet e BE-së. Familjet e vendeve të BE-së përballen me një kosto TVSH prej 11% të gjithë totalit të shpenzimeve të tyre. Raporti është më i madh në Rumani dhe Hungari (17.8 % dhe 17.5 %), pasuar nga Letonia (15.3 %), Lituania (14.7 %) dhe Sllovakia (13.7 %). Ndërsa në vendet e tjera të BE-së ky raport në Luksemburg është 6.2 %, në Qipro 6.8 %, në Spanjë 7.2 %, në Holandë 7.7 % dhe në Britaninë e Madhe është 8.0 %. Në shumicën e këtyre vendeve, fatura e TVSH është e rënduar nga zëri i shpenzimeve për transportin duke patur një ndryshim me bazën e konsumit në Shqipëri, e cila kryesisht është për ushqime dhe veshje duke arritur deri në gjysmën e faturës së TVSH. Shpenzimet për strehim dhe energji në vendet e BE-së është zakonisht poshtë normës standarde të TVSH-së. Edhe ky zë shpenzimi është dallueshëm ndryshe në Shqipëri ku norma standarde e TVSH-së është një nga zërat buxhetorë që arrin deri në 23% të TVSH gjithsej të buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër, në vendet me të ardhura të larta për frymë pjesa më e madhe e faturës së TVSH paguhet nga qytetarët me të ardhura të ulëta, nisur nga vlera absolute. E njëjta dukuri ndodh edhe në vendet me të ardhura të mesme, por me një ulje relative të peshës për qytetarët me të ardhura të ulëta. Familjet me të ardhura të ulëta shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për mallra dhe shërbime konsumi, në dallim nga familjet me të ardhura më të larta, të cilat kanë një normë më të madhe kursimi të të ardhurave të tyre në raport me shpenzimet për konsum. Si rezultat, pagesat e TVSH në mënyrë disproporcionale rëndojnë familjet që ndodhen në zonën e poshtme të shpërndarjes së të ardhurave. Nisur nga ky fakt, ulja e TVSH synon që të shërbejë për rishpërndarjen e të ardhurave nga të pasurit te të varfrit nëpërmjet rishpërndarjes së fuqisë blerëse, edhe pse nuk është ky i vetmi instrument i politikës që ndikon në këtë kontekst.
Duke e sjellë përsëri diskutimin në versionin shqiptar, bazuar në faktet dhe përvojën e vendeve të BE-së mundet që të themi se konsumi nuk do të ketë efekte kaq të ndjeshme te të ardhurat familjare në periudha afatshkurtra, pasi shumë konsumatorë do të kërkojnë të marrin masat e tyre për t’u mbrojtur nga efekte inflacioniste të të ardhmes. Pasi me rritjen e konsumit rriten edhe tendencat që çmimet të fillojnë të pësojnë ndryshime jo gjithnjë në kahun e uljes, por edhe në atë të status quo-s apo të rritjes në raste të caktuara, kur malli apo shërbimi është pjesë e tregut monopol. Efekti i çmimeve në ulje, në rastin kur ka ulje të TVSH-së do të ishte i menjëhershëm, në rast se do të kishim një ekonomi tregu perfekte dhe me zero informalitet. Por, në rastin kur lëvizja për të ulur normën e TVSH-së nuk shoqërohet edhe me reformimin e sistemit tatimor, si dhe me ruajtjen e palëkundur të vullnetit për të luftuar informalitetin atëherë nuk ka shumë rëndësi se për kë dhe ku e bën uljen e TVSH-së. Në kontekstin e një zhvillimi të mëtejshëm nga qeveria të luftës së vështirë anti-informalitet, si dhe duke marrë parasysh edhe faktin se reformimi fiskal është duke ndodhur, pavarësisht shumë rezistencave dhe ngecjeve të tij, sugjerimi më i mirë është që ulja e TVSH-së për disa mallra bazë, përfshirë edhe energjinë elektrike, si dhe për disa sektorë ekonomikë që kanë nevojë të nxiten nëpërmjet normave fiskale duhet të fillojë tani.
ALTAX