Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Industria e nxjerrjes së naftës, një pasuri e nëpërkëmbur

$
0
0

auto_nafta1477809098Raporti i KLSH: Me shfrytëzimin e naftës në Shqipëri është bërë masakër. Marrëveshjet koncesionare sjellin të ardhura minimale në buxhet e punësim për shkak se kompanitë shfrytëzuese vijojnë të deklarojnë humbje.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin e performancës për “Procedurat dhe rezultatet e marrëveshjeve hidrokarbure në Shqipëri”. Në një material voluminoz prej 153 faqesh, KLSH konstaton se ndikimi në ekonomi i shfrytëzimit të pasurive nëntokësore ka qenë minimal, si për sa i përket efektit në punësim dhe të ardhurave në buxhet. Grupi i auditimit vëren se, ndonëse ka prirje të rritet përqindja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga viti në vit, kjo përqindje vazhdon të mbetet e ulët prej 2,18% mesatarisht në periudhën 2010-2014, në kushtet që rezervat e provuara dhe të mundshme të naftës në Shqipëri llogariten në 277 milionë fuçi dhe zona naftëmbajtëse Patos-Marinzë-Kolonjë njihet si zona naftëmbajtëse më e madhe në Europën Kontinentale. Nga kjo rezulton se përqindja e të ardhurave nga sektori i naftës dhe gazit ka të ardhura në rritje nga viti 2010 (1,1%) në vitin 2014 (2,7%), pavarësisht se niveli më i lartë është arritur në vitin 2013 prej 3%. KLSH vlerëson gjithashtu se sektori i industrisë nxjerrëse duhet të jetë një nga fushat e punësimit për zona të caktuara, ndonëse në vitin 2014, ato zinin më pak se 1% të punonjësve gjithsej të regjistruar.

Marrëveshjet hidrokarbure

Që nga viti 2004 janë nënshkruar 16 marrëveshje gjithsej për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë 12 (on shore), nga të cilat vetëm pesë prej tyre janë në fazë prodhimi: Bankers, Transatlantic, Transoil, Sherwood dhe Phoenix. Sipas të dhënave të MEI-t, prodhimi i naftës bruto në vitin 2015 nga kompanitë hidrokarbure në masën 92% i përket kompanisë Bankers Petroleum për vendburimin e Patos-Marinzës (degë e së cilës është dhe Sherwood), Transatlantic 5.2%, Transoil 2.2% etj. Marrëveshjet hidrokarbure janë të tipit “me ndarje prodhimi”, e cila parashikon mbulimin e kostove të kontratës nga hidrokarburet e prodhuara dhe ndarjen midis shtetit dhe kontraktorit të sasisë të hidrokarbureve të mbetura pas mbulimit të këtyre kostove, në përputhje me një shkallë ose formulë të përcaktuar në marrëveshjen e hidrokarbureve. Fakti që nxjerrja e naftës nga nëntoka më e pasur në Shqipëri dhe më gjerë, rezulton se akoma edhe pas 12 vitesh nuk ka arritur të mbulojë kostot përkatëse, dhe për pasojë shteti shqiptar përfiton diçka më pak se 2% të vlerës së prodhimit të deritanishëm, në një kohë që prodhimi është rritur ndjeshëm dhe nuk konstatohen prirje për të arritur 50% të fitimit, tregon jo vetëm për mangësi të përgatitjes dhe zbatimit nga ana e kontraktorit të planeve të zhvillimit për periudhën 25-vjeçare të zhvillimit dhe prodhimit (tashmë kanë kaluar më shumë se 10 vjet), të përputhjes së planeve dhe buxheteve vjetore me planet e zhvillimit, por edhe për performancë të dobët inspektuese, monitoruese, kontrolluese dhe audituese të enteve publike përgjegjëse.

 

Paaftësia për shfrytëzim

KLSH thekson se përgjithësisht, zhvillimi i sektorit hidrokarbur nëpërmjet dhënies së vendburimeve nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure është karakteristikë e vendeve ekonomikisht të varfra, me institucione të dobëta dhe me një bazë ligjore të pazhvilluar mirë, duke mundësuar ofrimin e kapitalit të huaj financiar, njerëzor, teknik dhe të përvojës në fushën e kërkimit, zhvillimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit. Në këtë mënyrë, vendet që disponojnë rezerva natyrore të provuara të naftës nëpërmjet këtyre marrëveshjeve synojnë zgjerimin e fushave të kërkimit dhe rritjen e forcës zbuluese, përmirësimin e prodhimit nga puset ekzistuese, si dhe përdorimin e një teknologjie bashkëkohore të industrisë nxjerrëse hidrokarbure për të rritur prodhimin në një shfrytëzim racional të pasurisë nëntokësore, duke ruajtur dhe duke mbrojtur mjedisin. Kontributi i sektorit të naftës dhe gazit në PBB është analizuar së bashku me atë minerar në kuadrin e industrisë nxjerrëse, jo vetëm për shkak se është vështirë të gjenden dhe të llogariten të dhëna të detajuara, por se sektori hidrokarbur në përgjithësi përbën mbi 80% në strukturën e kësaj industrie, duke qenë përcaktues në vlerën e saj në PBB. Sipas të dhënave konstatohet se nafta dhe gazi e kanë rritur me oscilacione të konsiderueshme vlerën në PBB, e rezultuar kjo nga shqyrtimi i periudhës 2008-2014. Niveli më i ulët prej 2% konstatohet në vitin 2009 dhe më i larti prej 5.6% në vitin 2012.

Nafta si pasuri

Shqipëria cilësohet si një nga shtetet më të pasura të Europës në rezerva hidrokarbure. Shfrytëzimi i naftës këtu te ne ka nisur që në fillimet e shekullit të 20-të dhe pika kulminante e shfrytëzimit arriti në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, ku prodhimi i naftës bruto arriti nivelin 2,5 milionë tonë naftë në vit (vetëm vendburimi i Gorisht-Koculit prodhoi mbi 1 milion ton naftë për atë vit). Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar, për shkak të investimeve të larta që kërkohen për kërkim. Sipas AKBN është e njohur se 40 milionë tonë janë të pashfrytëzuar, ndërsa 50 milionë tonë janë tashmë të shfrytëzuar. Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në tokë në Europë, me një sipërfaqe prej rreth 17,8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5,4 miliardë fuçi naftë. Nafta bruto e Patos-Marinzës shitet me një zbritje prej rreth 50-60% ndaj naftës referencë europiane brent, për shkak të natyrës së saj të rëndë. Industria naftënxjerrëse në Shqipëri, pra prodhimi i naftës bruto ose të papërpunuar, zë një vend të rëndësishëm në totalin e energjisë së prodhuar nga burimet primare. Për vitet 2013 dhe 2014, sipas publikimeve të nismës dhe standardit ndërkombëtar EITI, nafta e papërpunuar përbënte burimin kryesor të energjisë së prodhuar në Shqipëri, duke përfaqësuar 67,7% të burimeve primare të energjisë së prodhuar në vitin 2014 dhe 59,1% në vitin 2013, po kështu për vitin 2014 nafta bruto ka vazhduar të eksportohet në masën 92%. Prodhimi i naftës bruto (ose të papërpunuar) në vendin tonë kryhet nga kompanitë me të cilat janë lidhur MH dhe një pjesë e vogël, krahasuar me totalin, nga kompania publike Albpetrol sh.a., ku sipas publikimeve të kësaj të fundit, prodhimi i naftës nga kompanitë paraqitet 1.211.837,7 tonë të prodhuar nga Bankers Petroleum Albania Ltd, 81.227,64 tonë nga Stream Oil, 24.618,8 tonë nga Transoil Group, 188,22 tonë nga Sherwood dhe 5.072 tonë Phoenix. Pra, nga sa më sipër, peshën më të madhe për prodhimin e naftës bruto nga nëntoka shqiptare e zënë kompanitë me të cilat janë lidhur marrëveshjet hidrokarbure dhe kryesisht Bankers Petroleum Albania Ltd.

Rekomandimet

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit të performancës në sektorin e nxjerrjes së naftës ka rekomanduar që “Ministria e Energjisë dhe Industrisë të propozojë miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim sigurimin e një modeli dhe treguesve të tyre me mbështetje sa më të gjerë, si dhe të shmangë mbylljen e ciklit të vendimmarrjes brenda qeverisë, kjo për shkak dhe të kohëzgjatjes me periudha që tejkalojnë mandatin e një qeverie”. Tri rekomandimet e lëna për t’u zbatuar brenda muajve të parë të 2017-s janë: Ministria e Energjisë dhe Industrisë të marrë masat e nevojshme për të hartuar dhe propozuar një Ligj të ri për Hidrokarburet; së dyti, Ministria e Energjisë dhe Industrisë të propozojë miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim sigurimin e një modeli dhe treguesve të tyre me mbështetje sa më të gjerë; dhe së treti, brenda tremujorit të parë të 2017-s, Ministria e Energjisë dhe Industrisë të marrë masat e nevojshme për të përfunduar rregulloren “Për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, për të mbështetur dhe siguruar rolin rregullator dhe kontrollues të shtetit nëpërmjet organeve, strukturave dhe institucioneve, në përputhje me direktivat e BE.

 

 

Historia e shfrytëzimit të naftës në Shqipëri

Shqipëria është një vend i pasur me naftë. Nxjerrja e naftës bruto ka nisur që në kohën e Zogut, por shfrytëzimi më i madh i kësaj pasurie është bërë gjatë viteve të komunizmit. Prodhimi ka njohur luhatje të mëdha, që me nivelin më të lartë prej 2 milionë e 250 mijë tonë në vitin 1974 e deri në 316 mijë tonë që janë nxjerrë gjatë vitit 2000, kur dhe është regjistruar shfrytëzimi më i ulët. Koncesioni i parë për kërkimin e naftës dhe të gazit në Shqipëri i është dhënë një shoqërie italiane (SIMSA- Societa Italiana Miniere di Selenica Albania), prej marsit të vitit 1925 për rajonet e Penkovës dhe Drashovicës në Vlorë. Më pas naftën shqiptare e ka shfrytëzuar një tjetër kompani italiane AIPA, e cila për përpunimin e saj ndërtoi edhe një rafineri në Bari. Në vitet e komunizmit si në të gjithë ekonominë edhe sektori i naftës u shtetëzua. Shfrytëzimi arriti rekorde në mesin e viteve ’70, ndërkohë që në vend ishin ndërtuar edhe tri rafineri, njëra prej të cilave, ajo e Ballshit është ende në shfrytëzim. Pas viteve ‘90, kur dhe nisi liberalizimi i ekonomisë, shumë kompani të huaja shfaqën interes për naftën në Shqipëri. Ata morën me koncesion fushat naftëmbajtëse të administruara në emër të shtetit nga kompania Albpetrol. Kështu marrëveshjet hidrokarbure në vendin tonë fillojnë me marrëveshjen “Për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve”, midis DPNG-së dhe Deminex Albanian Petroleum GMBH e ÖMV, me VKM nr. 152, datë 20.4.1991, e pasuar dhe me katër të tjera po në vitin 1991. Në korrik 1993, nënshkruhet marrëveshja koncesionare me ndarje prodhimi për vendburimin e Patos-Marinzës me kompaninë “Saxon International Energy” Ltd, por marrëveshja ka hyrë në fuqi në vitin 2004 pasi u ble nga kompania “Bankers Petroleum Albania”. Më pas që prej vitit 2004 janë nënshkruar 16 marrëveshje gjithsej për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë, nga të cilat vetëm pesë prej tyre janë në fazë prodhimi: Bankers, Transatlantic, Transoil, Sherwood dhe Phoenix. Që nga ai vit, nxjerrja e naftës bruto ka ardhur në rritje, deri në nivelin më të lartë prej 1.37 milionë tonë të regjistruar në vitin 2014. Dhënia me koncesion e shfrytëzimit të nëntokës për naftë ka bërë që edhe pesha të kalojë nga shfrytëzimi publik tek ai privat. Në 2003, kompania shtetërore Albpetrol nxirrte 90 për qind të naftës bruto. Në 2015 kjo kompani ka nxjerrë vetëm 3 për qind të sasisë së naftës, ndërkohë që sipas të dhënave të MEI-t, nga 97 për qind të naftës së nxjerrë nga koncesionarët privatë 92 për qind i përket kompanisë Bankers Petroleum për vendburimin e Patos-Marinzës, Transatlantic me 5.2 për qind dhe Transoil me vetëm 2.2 për qind.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles