Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Koncesioni i Rrugës së Kombit, tarifat sipas llojit të mjetit, nga 2.5-23 euro

$
0
0

rruga-e-kombit-1-850x487Sipas kontratës, fillimi i koncesionit kërkon një periudhë përgatitore nga 6 muaj deri në 1 vit, periudhë e cila do të përdoret për të vendosur sistemet dhe pikat e pagesave, që do certifikohen nga Ministria e Transportit.

Pas publikimit në Fletoren Zyrtare ka hyrë zyrtarisht në fuqi koncesioni për Rrugën e Kombit, i cili vendos për herë të parë në Shqipëri një tarifë për çdo automjet që përdor një aks kombëtar. Në Fletoren Zyrtare është botuar e plotë edhe kontrata ndërmjet koncesionarit fitues dhe Ministrisë së Transporteve, që në këtë rast është në rolin e Autoritetit Rrugor. Në dokument veç shumë specifikimeve teknike jepen me detaje tarifat që do të paguhen të ndara për çdo lloj automjeti, si edhe përmirësimet që koncesionari do të bëjë në aksin e dhënë në përdorim. Afati i koncesionit është i përcaktuar për 30 vjet.

Koncesionari

Kompanitë që formojnë konsorciumin fitues janë pesë nga të cilat 3 të huaja dhe 2 kompani shqiptare. Pjesë e kompanive koncesionare janë: Catalyst Viva Das General Contracting, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe; Violiap Ateve, me seli në Athinë, Bee Tech edhe kjo e regjistruar në Greqi, si edhe kompanitë Salillari dhe Kastrati që janë dy subjektet shqiptare të konsorciumit. Ndërkohë, janë përcaktuar që në kontratë edhe nënkontraktorët.

Këta janë: Salillari Security, Albsig dhe Auto Star Albania, që do të mbulojnë sektorë të caktuar të mbarëvajtjes së punimeve, të tilla si siguria monetare apo fizike, makineritë etj. Sipas kontratës, koncesionarët nuk mund të marrin asnjë nënkontraktor tjetër, pa miratimin paraprak të autoriteteve shtetërore. Sipas kontratës fillimi i koncesionit kërkon një periudhë përgatitore nga 6 muaj deri në 1 vit, periudhë e cila do të përdoret për të vendosur sistemet dhe pikat e pagesave, që më parë do të duhet të marrin certifikimin nga Ministria e Transportit.

Tarifat për automjetet

Pagesa bazë mbi të cilën përllogariten të gjithë tarifat e tjera është përcaktuar 4.15 euro pa TVSH. Duke i shtuar edhe taksën tarifa plotësohet në 5 euro. Mbi këtë bazë nisin përllogaritjet e tjera sipas koeficientëve të përcaktuar për lloj mjeti. Kështu për automjetet me tre rrota koeficienti është 0.50 dhe taksa llogaritet në 2.5 euro. Për automjetet me katër rrota, të kategorisë B, C dhe D, koeficienti është 1dhe taksa llogaritet 5 euro bashkë me TVSH-në. Pikërisht këtu futen edhe autoveturat të cilat janë edhe mjetet më të shumta në numër që qarkullojnë në këtë aks kombëtar.

Për autobusët, dhe mjetet e tjera me gjashtë rrota, që hyjnë në kategorinë E dhe F, koeficienti është 2.25. Pra taksa për ta do të jetë rreth 11 euro. Koeficienti për automjetet me 6 rrota, kamionët e mesëm të kategorisë G, koeficienti është 3.25 dhe taksa për ta do të jetë sipas llogarive është rreth 16 euro. Për kamionët e rëndë të kategorisë H, koeficienti do të jetë 4.5, dhe ata do të paguajnë plot 23 euro.

Trau për të vjelë taksën është planifikuar të vendoset te tuneli i Thirrës, ku do të ndërtohet edhe një shesh i posaçëm për të dy drejtimet e rrugës. Sipas kontratës janë të përjashtuara nga pagesa e tarifës së rrugës vetëm mjetet e policisë rrugore, ambulancat, zjarrfikëset dhe mjetet e ushtrisë.

Nuk ka përjashtime për banorët megjithatë në kontratë është parashikuar një fond prej 120 mijë eurosh në vit, që do t’iu vijë në ndihmë banorëve në nevojë që jetojnë në këto zona. Bazuar në tarifat e mësipërme është parashikuar që sipas flukseve të trafikut të ardhurat minimale të planifikuara do të shkojnë nga 7 milionë euro në vitin e parë në 14 milionë euro në vitin e fundit të koncesionit. Ndërkohë të ardhurat maksimale janë planifikuar 9 deri në 17 milion euro nga viti i parë në vitin e tridhjetë.

Punimet

Koncesionari ka marrë përsipër që të kryejë disa nga punimet e lëna përgjysmë në rrugë, të tilla si ndërtimin e urës mbi Drin, ndërtimin e një ure për këmbësorë në Kukës dhe disa ndërhyrje të tjera. Në listën e punimeve janë të përfshira edhe ndërtimet e mbikalimeve në Kalimash, Mamëz, Gjegjan, Bardhoc, Morinë dhe Rexhal, rehabilitimin e urës ekzistuese mbi Drin deri në ndërtimin e urës së re, ndërtimi i sheshit të taksës në hyrje të tunelit të Thirrës, instalimin e sistemit të menaxhimit të trafikut si edhe ndriçimin e rrugës në të gjithë kryqëzimet. Por në planin e punimeve nuk është përfshirë dyfishimi i segmentit nga Miloti në Rrëshen. Po ashtu do të jetë përgjegjësi e koncesionarit edhe instalimi i pikave për matjen e trafikut./Mapo.al/

TAKSAT E RRUGËS SË KOMBIT
Automjetet                             Taksat
Mjetet me 3 rrota                       2.5 euro
Mjete me 4 rrota                        5 euro
Mjetet me 6 rrota, autobusët  11 euro
Mjetet e rënda, kamionët        26 euro
Mjetet e rënda, kategoria H    23 euro

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663