Gjiganti ndërkombëtar i financave Moody’s e vlerësoi borxhin publik të Shqipërisë si të qëndrueshëm me notën B1 duke deklaruar se pozicioni financiar i vendit është përmirësuar falë disiplinës fiskale.
“Ecuria e fortë buxhetore mbështet parashikim tonë se në 2016-ën, deficiti do të zbresë në 2.5 përqind, më i ulëti në dy dekada”, thotë agjencia.
Sipas Top Channel, agjencia vlerëson se ndonëse borxhi i lartë publik mbetet një sfidë për vendin, ai tashmë ka filluar të ulet. Sipas saj, vitin e ardhshëm borxhi do të zbresë në 69 përqind, i ndihmuar edhe nga gjallërimi i aktivitetit ekonomik.
“Pas vitit 2014, rritja ekonomike ka qenë me bazë më të gjerë, e mbështetur si nga forcimi i konsumit ashtu dhe investimet private”, thuhet në raportin e Moody’s.
Sipas Moody’s, rritja ekonomike do të jetë 3.4 përqind këtë vit dhe do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.1 përqind gjatë dy viteve të ardhshme.
“Forcimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër informalitetit kanë rezultuar në një përmirësim për t’u theksuar në tregun e punës duke ulur 2.9 përqind papunësinë”, vlerësohet në raport.
Gjiganti ndërkombëtar vlerëson se reforma në drejtësi dhe ajo administrative do të përmirësojnë ndjeshëm klimën e biznesit duke dhënë edhe një datë për hapjen e negociatave me BE.
“Ne presim që zbatimi i reformave të fundit të rrisin mundësitë që Shqipëria të çelë formalisht negociatat me BE-në në fund të 2017-ës, por procesi i antarësimit do të jetë i gjatë”, thotë ajo.
Pas këtij lajmi reagoi edhe kryeministri Edi Rama.
“Korporata ndërkombëtare e vlerësimit financiar Moody’s në vlerësimin e saj për Shqipërinë, nënvizon se pozicioni financiar i vendit është përmirësuar falë disiplinës fiskale. Sipas raportit të Moody’s, ecuria e fortë buxhetore mbështet parashikimin se në 2016-ën, deficiti do të zbresë në 2.5 përqind, më i ulëti në dy dekada!
Moddy’s konstaton se borxhi ynë publik tashmë ka filluar të ulet dhe konfirmon qëndrimin e qeverisë se, vitin e ardhshëm borxhi do të zbresë në 69 përqind, i ndihmuar edhe nga gjallërimi i aktivitetit ekonomik. Gjithnjë sipas Moody’s, pas vitit 2014, rritja ekonomike ka qenë me bazë më të gjerë, e mbështetur si nga forcimi i konsumit ashtu dhe investimet private. Rritja ekonomike do të jetë 3.4 përqind këtë vit dhe do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.1 përqind gjatë dy viteve të ardhshme.
Raporti i Moody’s nënvizon se, forcimi i rritjes ekonomike dhe lufta kundër informalitetit kanë rezultuar në një përmirësim për t’u theksuar në tregun e punës duke ulur 2.9 përqind papunësinë!
Kjo nuk do të thotë aspak se gjërat po shkojnë fjollë, por padyshim do të thotë shumë për ata që duan të shikojnë, duan të dëgjojnë dhe duan të kuptojnë! Shqipëria vazhdon kthesën në drejtimin e duhur, përmes reformash rrënjësore që garantojnë të ardhmen,” shkroi Rama në FB.