Ndryshimet në ligjin italian për industrinë Call Center nuk rrezikojnë asnjë prej kompanive që operojnë në Shqipëri me kapitale apo fonde private.
Blenard Daci, drejtor i një prej kompanive më të madha shqiptare Call Center thotë për Report TV se ndryshimet e ligjit në vendin fqinj kanë synim të disiplinojnë vetëm aktivitetin e kompanive që operojnë me fonde të dhëna nga shteti italian.
Sipas tij, kompanitë shqiptare kanë përshtatur prej kohësh rregulloret e ligjet e Bashkimit Europian që rregullojnë këtë treg, duke siguruar aktivitetin konform këtij legjislacioni.
“Këto ditë kam parë lajmet dhe njerëz të njohur ose jo pak të njohur, janë në pak sa i takon të ardhmes së këtij sektori. Në bazë të informacionit që kemi mbi ligjin, është një gjë që prek fare pak ose aspak punën tonë, konkretisht kompaninë tonë e cila është me kapital shqiptar. E thënë mbi atë që trajton ligji, bëhet fjalë për aktivitetin e atyre kompanive italiane të cilat marrin fonde apo subvencione nga shteti italian për punësimin, mund të ketë vështirësi për aplikim në momentin kur do fillojë zbatimi i këtij ligji. Kompanitë të cilat punojnë, normalisht nuk do të ketë asnjë lloj problemi”, u shpreh Daci.
Daçi thotë se alarmi fillestar për rrezikun e largimit të kompanive nga shqipëria erdhi për shkak të keqintepretimit të ligjit italian. Shkak për të cilin kompania e tij, ashtu si dhe të tjera, janë detyruar të sqarojnë punonjësit se aktiviteti do të vijojë normalisht e asnjë vend pune nuk vihet në rrezik.
“Njerëzve të kompanisë tonë ua kemi komunikuar edhe janë shumë të qetë nga kjo gjë, por sigurisht mund të thuhet edhe për personat e tjerë që s’janë pjesë e kompanisë tonë, që s’ka vend për panik, mund të vijojnë të punojnë normalisht”, thekson më tej sipërmarrësi i Call Center.
Vlerësohet se numri i shqioptarëve të punësuar në kompanitë që operojnë me fonde të shtetit italian është rreth 3 mijë, afërsisht 10% e totalit. Në total numri i shqiptar që punojnë në këtë sektor arrin rreth 25 mijë.