Shifrat e ecurisë së ekonomisë në vend e rajon në 5 vitet e fundit. Krahasimi me fqinjët për rritjen ekonomike, punësimin, deficitin tregtar, deficitin fiskal dhe nivelin e borxhit publik.
Pesë vitet e fundit kanë qenë vite të një mjedisi ekonomik në krizë. Efektet e asaj që nisi që në vitin 2008 në SHBA, si kriza e ndërtimit, e që erdhi shumë shpejt në Evropë si një krizë financiare e buxhetore, ndryshe nga se mendohej zgjatën edhe më shumë. Madje ende është e paqartë se kur do të kemi një ringritje të ekonomive, të cilat vijojnë të vuajnë panikun e atyre që ndodhën në Greqi, Irlandë e Spanjë. Megjithatë duket se e keqja e madhe ka ikur dhe në raportet dhe analizat e institucioneve ndërkombëtare, perspektiva afatmesme për vendet e Europës Juglindore dhe Ballkanit, parashikohet të jetë pozitive. Sipas vlerësimeve të bëra nga këto institucione rajoni pritet të rritet deri në 3,6% në vitin 2018, kryesisht si rezultat i forcimit të kërkesës së brendshme dhe përmirësimit të eksporteve. Por mjedisi i jashtëm paraqitet edhe në vijim jo shumë i favorshëm. Situata jofavorizuese e krijuar në BE pas BREXIT apo edhe tensionet në Turqi, shikohen gjithë frikë. Megjithatë vendet e rajonit tonë po përmirësojnë treguesit e tyre të rritjes. Sipas BERZH, investimet do të jenë gjeneratori i rritjes sidomos në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Po si kanë ecur ekonomitë e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë në këto 5 vitet e fundit të krizës së përgjithshme. Si shumë drejtime të tjera edhe treguesit ekonomikë, ku më shumë e ku më pak tregojnë se të gjithë jemi nën ndikimin e zhvillimeve më të gjera europiane.
Rritja ekonomike
Treguesi i rritjes vjetore të ekonomisë është për ekspertët, vendimmarrësit dhe politikanët treguesi më kryesor i zhvillimeve të një vendi. Viti 2012 shënon rënien e madhe të ekonomive të të gjithë vendeve të rajonit. Është viti kur nga 7 vende të rajonit katër ranë në recesion. Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Bosnja patën tregues negativë të rritjes që shkonin nga -2.7 në Mal të Zi në -0.5 për qind në Maqedoni. Për Shqipërinë rënia më e madhe në rritjen ekonomike do të vinte një vit më vonë, kur ndërkohë fqinjët kishin nisur të ringriheshin. Me një rritje ekonomike 1.4 për qind në 2012 një vit më vonë rritja bie më poshtë por pa shkuar në nivele negative. Në një kohë që fqinjët e marrin veten më shpejt efektet e krizës në Shqipëri vijojnë të ndihen fort dhe në vitin 2015, ekonomia e vendit tonë shënon rritjen e dytë më të ulët në rajon me vetëm 2.8 për qind, duke u renditur pas Serbisë që rritjen ekonomike e pati vetëm 0.8 për qind. Për vitin 2016 ka vetëm një konfirmim gjysmak të treguesve të rritjes, por ajo çka bie në sy është se dukshëm, të gjitha vendet janë të mbërthyera në shifrat e ulëta të rritjes që ka ngecur ndërmjet dy e tre për qind në vit. E njëjta situatë pritet edhe për 2 vitet në vijim, ku sipas institucioneve rritja nuk parashikohet të kapërcejë limitin e katër përqindëshit.
Punësimi
Rajoni ynë prej vitesh po vuan nga normë mesatare papunësie të lartë, që është mesatarisht në rreth 20 për qind. Është ky shkaku që nga rajoni e veçanërisht nga vendi ynë shkalla e emigrimit drejt vendeve të tjera të BE-së të jetë e lartë. Pamundësia për të gjetur një vend pune i shtyn mijëra njerëz drejt Gjermanisë, Anglisë dhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore. Por autoritetet shpresojnë se “r
(situata jo favorizuese nw BE, pasiguria nga BREXIT apo tensionet nw Turqi)w me njw rritje prej rreth 6%. tw partnerwve tanw nritja ekonomike, reformat strukturore dhe zhvillimet në tregun e punës do të vazhdojnë të mbështesin rritjen e punësimit në sektorin privat”. Pavarësisht kësaj shprese shifrat e pesë viteve të fundit tregojnë se ndryshimet në sektorin e punësimit janë të vështira. Bazuar në shifrat zyrtare rezulton që në vitin 2012, Shqipëria të ketë pasur normën më të ulët të papunësisë ndërmjet gjashtë vendeve të rajonit, me vetëm 13.6 për qind të papunë nga ata që konsiderohen fuqia punëtore e vendit. Kjo normë ishte mbi dy herë më pak se papunësia që atë vit u regjistrua në Kosovë, që ishte vendi me papunësinë më të lartë në rajon. Situata do të ketë ndryshime në vitet në vijim dhe në 2015 Serbia e Mali i Zi kanë bërë përparime të ndjeshme duke e çuar normën e papunësisë pothuaj në nivel të njëjtë me Shqipërinë, ku ndërkohë papunësia ka ardhur në rritje. Në të tria vendet norma e papunësisë sillet rreth 17.5 për qind, ndjeshëm më e ulët se në Kosovë, Bosnjë e Maqedoni ku papunësia shkon nga 25 deri në 32 për qind. Parashikimet flasin për shpresë të rënies së papunësisë, por gjithsesi asgjë nuk është e sigurt në një mjedis plot me zhvillime pesimiste.
Tregtia
Ndër sektorët ekonomikë më të prekur nga efektet e krizës ekonomike është tregtia. Rënia e eksporteve dhe konsumit të brendshëm ka sjellë më pak shkëmbime tregtare mes vendeve të rajonit ashtu edhe mes rajonit si i tërë dhe pjesës tjetër të botës. Autoritetet konfirmojnë se “Sektori jashtëm i rajonit mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në mjedisin e jashtëm, dhe për pasojë deficiti i llogarisë korrente rajonale mbetet në nivelet e 6.4% të PBB. Zgjerimi i deficiteve tregtare, rënia e remitancave apo dhe pagesat e dividentëve për investitorët jorezidentë, janë shkaktarët kryesorë të këtyre dinamikave për disa vende të rajonit”. Bazuar në shifrat zyrtare rezulton që eksportet e mallrave në Shqipëri, Kosovë dhe në Mal të Zi, janë ulur kryesisht si rezultat i rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Produkti bazë që e ka dhënë këtë efekt negativ ka qenë nafta. Nëse ka shifra pozitive në marrëdhëniet e rajonit me ekonomitë e tjera janë vetëm ato të importeve të lidhura me investimet dhe konsumin. Duke i parë konkretisht dhe krahasuar shifrat ndërmjet vendeve të rajonit rezulton se Shqipëria e Serbia janë vendet me bilancin më të mirë tregtar që varion ndërmjet vlerave minus 17 dhe 18 për qind të PBB. Por vendi ynë në ndryshim nga të tjerët nuk ka lëvizur as në përmirësim e as në përkeqësim në harkun kohor të pesë viteve të fundit. Ndërkohë ndryshime spektakolare ka bërë Serbia, e cila bilancin negativ tregtar në 2016 e ka përgjysmuar në -8.2 për qind të PBB. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vendet e tjera të rajonit, të cilat e kanë shtuar volumin e eksporteve të tyre duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar të mallrave dhe shërbimeve. Rasti i Shqipërisë është i vetmi ku luhatjet kanë qenë pothuaj të papërfillshme, paçka se autoriteteve u pëlqen të flasin për rritje të eksporteve.
Taksat
Mbledhja e taksave është një problem që shqetëson organet fiskale të të gjithë rajonit. Në asnjërin nga vendet tona buxhetet nuk arrihet të mbulohen nga të ardhurat e grumbulluara prej taksave. Përjashtim në këtë drejtim ka bërë vetëm Bosnja, e cila në vitin 2015 pati një bilanc fiskal pozitiv me 0.7 për qind të PBB. Vazhdimi i konsolidimit fiskal, në disa nga vendet e rajonit, ka ndihmuar në uljen e deficitit fiskal rajonal, i cili planifikohet që këtë vit të jetë 3.4 për qind nga 3.6 për qind që ishte në vitin 2015. Ndërkohë në harkun e pesë viteve nga vendet e rajonit vetëm katër e kanë përmirësuar treguesin e bilancit fiskal e ndër to është edhe Shqipëria, e cila nga -3.4 që e kishte treguesin në 2012 në 2016 e ka zbritur atë në -2.4, sigurisht larg shpresës që një ditë të ketë një bilanc pozitiv, pra suficit buxhetor. Ndërkohë që në Maqedoni dhe Malin e Zi situata negative në grumbullimin e të ardhurave nga taksat ka qenë edhe më e përkeqësuar. Të dyja vendet shkojnë drejt përkeqësimit të raportit të grumbullimit të taksave me prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Madje Mali i Zi nuk parashikon që edhe në 2 vitet në vijim të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm në këtë drejtim. Ndërsa vendi me përmirësimin më të dukshëm në këto vite është Serbia, ku deficiti fiskal është ulur me rreth tri herë, duke rënë nga -7.2 në vitin 2012 në -2.5 për qind të PBB në vitin 2016, duke treguar nga njëra anë se rajoni ka mundësi të mëdha të pashfrytëzuara në grumbullimin e të ardhurave nga taksat, dhe nga ana tjetër se ekonomia informale ende është në shifra të larta kudo në rajon.
Borxhi publik
Deficitet e larta në taksa kanë shtyrë qeveritë drejt rritjes së borxhit publik. Në vitet e krizës kjo ka ndodhur pa përjashtim në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria është vendi që ka përkeqësuar më së shumti vlerat e borxhit publik në raport me PBB, duke mbetur gjatë gjithë periudhës vendi me borxhin më të lartë. Kështu nga 62.2 për qind e PBB që ka qenë borxhi publik shqiptar në vitin 2012, në 2016 ai ka kapërcyer vlerën 72 për qind e PBB. Por vendi me përkeqësimin më të madh të borxhit është Serbia, e cila nga një nivel vetëm 49 për qind tashmë po i afrohet Shqipërisë. Organizmat ndërkombëtarë e konfirmojnë se “Pozicionet fiskale të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, priten të përkeqësohen duke sjellë norma të rritura të borxhit publik”. Megjithatë qeveritë programojnë që në dy vitet në vijim përgjithësisht ta ndryshojnë situatën. Në këtë drejtim qeveria shqiptare ka objektivin më ambicioz për ta zbritur nivelin e borxhit me rreth 5 pikë përqindjeje. Në përgjithësi qeveritë e mbështesin shpresën e tyre për përmirësime në ekonomi te treguesit pozitivë të kreditimit në sektorin privat. Megjithatë duhet theksuar se fakti që sistemi bankar rajonal është fitimprurës, likuid dhe i mirëkapitalizuar, ai po vuan nga barra e kredive të këqija që janë ende në nivele shumë të larta.
Tabela 5: Borxhi publik (% të PBB)
2012 | 2013 | 2014 | 2015 | 2016 | 2017 | 2018 | |
Shqipëria | 62.2 | 70.4 | 72.1 | 72.7 | 71.8 | 69.1 | 66.5 |
Bosnia dhe Herzegovina | 36.6 | 37.7 | 41.8 | 41.9 | 41.5 | 39.7 | 37.4 |
Kosovo | 8.2 | 9 | 10.6 | 13.1 | 14.3 | 15.9 | 17.3 |
Macedonia, FYR | 33.7 | 34.2 | 38.2 | 37.9 | 40.8 | 42.7 | 43.9 |
Montenegro | 53.4 | 57.5 | 59.9 | 57.3 | 62.0 | 66.5 | 69.2 |
Serbia | 49.2 | 52.6 | 64.1 | 69.9 | 71.4 | 70.9 | 72.7 |