Ata që kanë një zanat, si mekanik apo hidraulik, për të cilën kanë edhe një certifikatë mund të sigurojnë një vend pune në shtetin gjerman, i cili ka në dispozicion 50 mijë vende të tilla pune që nuk preferohen nga gjermanët.
“Unë jam elektroauto, për pjesët elektrike të automjeteve. Shpresoj që e ardhmja ime atje është më e mirë se këtu, sepse këtu kemi perspektivë pune por të ardhurat nuk janë edhe aq të mjaftueshme”,- tha Jetnor Lleshi, një prej të interesuarve për aplikim.
Në Zyrat e Punës në Tiranë, një nga sportelet i është vënë në dispozicion Qendrës gjermane të Informimit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë, për t’u shpjeguar të rinjve sesi të aplikojnë për këto vende pune.
“Shqipëria ka një numër të lartë papunësie dhe Gjermania ofron vende pune. Ne bashkëpunojmë me Agjencinë Federale të Punësimit në Gjermani. Ndaj, ata që do të duan të shkojnë për punë atje duhet të njohin gjuhën gjermane, të kenë një profesion. Ne do t’i këshillojmë sesi të aplikojnë në mënyrë të suksesshme”,- tha Bernahard Schattner.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi theksoi se rruga e vetme në tregun e punës është profesioni dhe ne po i orietojmë të rinjtë drejt arsimit profesional.
“Arsimi dhe formimi profesional nuk është një mundësi për t’i çuar të rinjtë jashtë, por është një mundësi për t’i mbajtur ata në Shqipëri, sepse në qoftë se një i ri apo e re shqiptare ka një profesion, është i denjë për në tregun vendas të punës, është një mekanik apo bujk i mirë, me pagën e denjë që mund të marrin në Shqipëri e kanë më të mirë jetën se në Gjermani”,- tha Klosi.
Që prej 1 janarit, në Gjermani janë punësuar 800 shqiptarë nëpërmjet këtij projekti./tch/