Procedura e marrjes në dorëzim të 242 banesave pritet të zgjasë 3 deri në 4 javë. Fillimisht pritet miratimi i listës së përfituesve nga Prefekti dhe më pas plotësimi i dokumentacionit të nevojshëm
Të gjitha familjet që përfituan banesa sociale nga vendimi i dy ditëve më parë i Këshillit Bashkiak të Tiranës, do duhet të presin edhe afro një muaj për të hyrë në to.
Kjo për shkak të kohës që kërkon plotësimi i dokumentacionit të nevojshëm.
Më konkretisht, në këtë rast parashikohet që pas miratimit të vendimit në Këshill Bashkiak lista e aplikuesve shkon për miratim te Prefekti, në rastin konkret do shkojë te Sadi Vorpsi.
Ky nga ana e vet në bazë të ligjit ka 10 ditë kohë në dispozicion për ta miratuar listën në total. Çka në rastin konkret nuk ka asnjë arsye për tu shfrytëzuar e gjitha si kohë në dispozicion, për shkak se bëhet fjalë për një çështje të mbartur prej vitesh dhe për rrjedhojë të verifikuar nga disa duar.
Më pas, me miratimin e listës nga Prefekti, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit në bashkëpunim me Ndërmarrjen nr.3 të bashkisë hartojnë planin e shpërndarjes së banesave sipas listës së miratuar, duke parashikuar hapësirat e miratuara për metër katror dhe nevojat specifike që mund të kenë aplikuesit.
Hapi tjetër është plotësimi i dokumentacionit të aplikuesve që kanë fituar dhe konkretisht: depozitimi në Ndërmarrjen nr.3 të fotokopjes së kartës së identitetit dhe të një çertifikate familjare.
Në të njëjtën kohë plotësohet autorizimi (për dorëzimin e apartamentit) bashkë me iventarin e banesës, si dhe firmoset kontrata mes paleve. Kontrata do të ketë afat 1 vjeçar me të drejtë rinovimi në rast se aplikuesi nuk ka ndryshuar status (ndryshim i nivelit të të ardhurave).
Për rrjedhojë të gjithë këtyre procedurave dorëzimi përfundimtar i apartamentit mund të ndodh brenda 3 ose 4 javësh.
Dy ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me konsensusin e të dyja palëve vendimin për shpërndarjen e banesave sociale për 242 familje.
Në fjalën e tij para këshilltarëve, kryetari i Bashkisë, Veliaj shprehu kënaqësinë e tij që brenda një kohe të shkurtër arriti që të mbajë një premtim elektoral, për të shpërndarë banesat që ishin bllokuar prej disa vitesh nga administrata e bashkisë së shkuar.
Sipas tij, nga lista e përgatitur nga bashkia e mëparshme ishin larguar 8 aplikues, të cilët ai theksoi se nuk i plotësonin kushtet për banesat sociale.
Ai deklaroi se nga verifikimi i listës të përgatitur nga administrata e mëparshme për personat që do t’i shpërndahen banesat sociale rezultuan persona të cilët kishin apartamente dhe troje ndërtimi.
Por veç largimit të këtyre 8 aplikuesve, administrata e re e Bashkisë e pasuroi listën e mëparshme edhe me 40 familje të tjera që plotësonin kriteret ligjore, mes të cilave edhe 6 familje rome që dy vite më parë u hodhën në rrugë nga bashkia e mëparshme, te Pallati me Shigjeta.
Ndërkohë që mbeten për tu shpërndarë edhe 140 banesa të tjera sociale për familjet në nevojë, proçes i cili pritet të ndodhë brenda muajit tetor.