Qeveria ka vendosur që në vitin 2017 të rrisë pensionet për 619 mijë pensionistët. Ministria e Financave ka vendosur ta çojë në 9 mijë ose 10 mijë lekë pensionin social që është dhe pensioni bazë. Ekspertët kanë disa muaj që po punojnë për të realizuar një formulë, e cila do të mundësonte shtesat në pensione, por puna ka qenë e vështirë pasi skema e re nuk lejonte deformimet
Qeveria ka vendosur që në vitin 2017 të rrisë pensionet për 619 mijë pensionistët. Burime konfidenciale për Vizion Plus, thonë se ka filluar puna për të bërë gati shtesën për të gjithë shpërblimin që marrin pensionistët çdo muaj, i cili nuk lidhet me masën 1% që rritet çdo vit, por do të jetë një rritje e pensionit bazë. Ekspertët e Ministrisë së Financave, kanë filluar punën për të bërë gati disa variante për masën se sa do të shtohet pensioni social. Sot, skema me të cilën paguhet një pensionist është Pensioni Social plus shtesën 1% të mesatares së kontributeve të tij. Është vendosur që të rritet pensioni social. Për 2017-n, sipas dokumentit të pensioneve, ai është 8 mijë e 400 lekë.
Këtë Ministria e Financave ka vendosur ta çojë në 9 mijë ose 10 mijë lekë. Akoma nuk është rënë dakord se sa do të jetë kjo masë, pasi do të llogaritet deficiti që do të krijojë në skemë kjo rritje. Megjithatë të njëjtat burime, konfirmojnë se vendimi do të merret brenda muajit tetor, në mënyrë që këto shpenzime të reflektohen në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ekspertët kanë disa muaj që po punojnë për të realizuar një formulë, e cila do të mundësonte shtesat në pensione, por puna ka qenë e vështirë pasi skema e re nuk lejonte deformimet. Ministria e Financave ka qenë në bisedime me atë të Mirëqenies Sociale, në mënyrë që të gjente një zgjidhje pa shkelur ligjin e pensioneve. Sot, pensioni minimal në qytet së bashku me kompensimet është 14.200 lekë, ndërsa maksimali është 25 mijë lekë.
Ngrirja e pensioneve
Nëse ka një indeks ku qeveria e majtë nuk mund të ketë asnjë justifikim është mosrritja e pensioneve dhe pagave që prej ardhjes në pushtet më 2013. Demokratët për 8 vite i rritën pagat dhe pensionet duke iu dhënë mundësi sidomos moshës së tretë që të ketë një të ardhur më të lartë në krahasim me atë që merrnin më parë, por ende larg të qenit e mjaftueshme për një jetë dinjitoze.
Ndërsa koalicioni qeverisës duke arsyetuar se gropa në buxhet do të thellohej vendoi së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar që ta ‘ngrinin’ rritjen e përvitshme të pensioneve dhe duke bërë vetëm indeksionin e tyre. Meqë 2017 është dhe një vit elektoral qeveria duket se ka menduar ‘të marrë me të mirë’ pensionistët që janë edhe një nga kategoritë të cilat votojnë më shumë të majtën./Mapo.al/