Pasi tentoi të justifikonte shoqëritë e sigurimeve për rritjen me 30 për qind të çmimit të siguracioneve të detyrueshme, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ka bërë një hap prapa duke deklaruar se po analizon procedurën e ndjekur nga shoqëritë për rritjen e çmimeve. I vënë në qendër të kritikave për favorizim të shoqërive të sigurimit në dëm të konsumatorëve, Autoriteti, duket se kërkon të zbusë reagimin e publikut.
“Bazuar në informacionin në dispozicion si edhe në përmbushje të misionit të tij rregullator, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duke i shërbyer mbrojtjes së konsumatorit është në ndjekje të situatës dhe po analizon mënyrën dhe procedurën e ndjekur nga shoqëritë e sigurimit në përcaktimin e tarifës së primit të sigurimit”,- deklaron AMF në një njoftim të dytë zyrtar për këtë çështje.
Ky është një qëndrim i ndryshëm nga ai që AMF ka mbajtur një ditë më parë për këtë çështje, ku në deklaratën e parë justifikonte shoqëritë e sigurimeve për rritjen e fortë të çmimeve pasi sipas saj kjo diktohej nga nevoja për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare të tregut.
Ndryshime në AMF?
AMF është kritikuar shpesh nga ekspertët për favorizim të shoqërive të sigurimit. Pas rritjes së fundit të tarifave për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, presioni i opinionit publik ka detyruar edhe institucionet e tjera, të cilat në fillim heshtën, të reagojnë ndaj kësaj çështje.
Një ditë më parë, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, i vënë përballë ankesave të qytetarëve, u detyrua të reagojë duke ja hedhur fajin për rritjen e çmimit AMF.
“Komisioni i Ekonomisë ka në proces analize raportin e punës së AMF-së për vitin 2015. Mospërmbushja e detyrimeve të vendosura në rezolutë nga Kuvendi për AMF, do të rëndojë shumë mbi institucionin”,- deklaroi Braçe në një postim në Facebook.
Nën zë flitet se qeveria mund të ndërmarrë ndryshime në menaxhimin e lartë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në përpjekje për të zbutur zemërimin e publikut.