Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Lame: Legalizimet s’kanë për të përfunduar asnjëherë

$
0
0

Foto Artan LameKreu i ALUIZNI-t është shprehur skeptik për përfundimin e procesit të legalizimeve. Sipas tij, kjo për vetë faktin se ende në Shqipëri ndërtohet pa leje. Ai ka bërë të ditur se do të miratohet një VKM për legalizimeve e apartamenteve stok në Tiranë

Procesi i legalizimeve në Shqipëri nuk ka për t’u mbyllur asnjëherë dhe kjo sepse ende edhe sot e kësaj dite vijojnë ndërtimet pa leje.

Ky pohim i fortë ka ardhur nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit të Zonave Informale, Artan Lame, gjatë një konference të mbajtur dje për mediat, ku ndërmjet të tjerave informoi edhe emigrantët mbi lehtësirat që ofron kjo agjenci gjatë gushtit për të kryer edhe ata procesin e legalizimit të banesave të tyre.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se kur procesi i legalizimeve do të konsiderohet i përfunduar, Lame në mënyrë të qartë bëri të ditur se ai nuk përfundonte dot asnjëherë.

Kjo pasi sipas tij, në Shqipëri do të ketë gjithmonë njerëz që do duan të legalizojnë shtesat apo ndërtimet që i bëjnë pa leje.

“Procesi i legalizimeve në Shqipëri nuk ka për të mbaruar asnjëherë. Gjithmonë në këtë vend do ketë njerëz që do duan të legalizojnë, për sa kohë që edhe sot për fat keq vijohet të ndërtohet pa leje në vende të caktuara. Ndaj një ditë edhe këta do trokasin në shtetin shqiptar për legalizimin”, – u shpreh drejtori i ALUIZNI-t.

Por është përpjekur të sqarojë se procesi duhet ndarë në dy grupe, ku sipas tij legalizimi i zonave masive informale do të mbarojë brenda këtij mandati të kësaj qeverie.

“Ta ndajnë procesin në dy pjesë: legalizimi i zonave masive rreth qyteteve mbyllet në këtë legjislaturë. Që do të thotë që Bathorja, Këneta e Durrësit, Fusha e Bradasheshit, rrethinat e Shkodrës, Kamza, Paskuqani, Kodra e Priftit, pra gjithë këto zona që rrethojnë qytetet tona, mbyllen me këtë mandat. Ndërsa pjesa tjetër e ndërtimeve brenda qyteteve do të vazhdojnë ato që janë në procese gjyqësore apo ato që ndërtohen rishtazi do të vazhdojë”, shtoi Lame.

Sa i përket procesit të legalizimeve masive, Lame tha shumë shpejt do të përfundojë procesi në tre qarqet e para, që janë Kukësi, Dibra dhe Fieri, ndërsa brenda mandatit qeverisës do të ketë përfunduar procesi edhe për pjesën tjetër.

“Për muajin  korrik u dhanë 5505 leje legalizimi, ndërsa në qershor ishte diku tek 4800, pra është një ritëm kolosal po të mendosh që në muaj janë rreth 5 mijë familje lejet e legalizimit. Sa i përket vijimit të procesit qarqet që do ta mbyllin të parat procesin e legalizimit dhe ka shumë gjasa që këtë garë ta fitojë qarku i Dibrës dhe ai i Kukësit dhe i ndjekur nga ai i Fierit”, – bëri të ditur Artan Lame.

Ai informoi gjithashtu se muaji shtator do të sjellë edhe disa lehtësira dhe mundësi të tjera për të gjithë ata që duan të legalizojnë banesat.

Kështu, sipas Lames do të nisë të zbatohet VKM-ja që ngarkon ALUIZNI-n që të ndjekë procesin e hipotekimit të ndërtimeve që legalizohen edhe ZRPP.

“Po ashtu ai bëri të ditur se në shtator do të miratohet nga qeveria edhe një VKM e posaçme që do mundësojë legalizimin e afro 4 mijë apartamenteve që kanë mbetur stok në kryeqytet. Jemi duke bërë edhe disa veprime të tjera dhe që ka të bëj me stokun e apartamenteve të pashitura. Në Tiranë ka rreth 4 mijë apartamente stok të cilat nuk shiten se janë të pahipotekuara. Në shtator mbyllet një VKM që mundëson legalizimin e tyre dhe për ta vënë në lëvizje këtë stok apartamentesh”, – tha drejtori i ALUIZNI-t.

Gjithashtu ai ka theksuar do të ketë dhe një VKM tjetër për ndërtimet në zonën e Gërdecit.

“Do na duhet të bëjmë një vendim qeverie më vete  për banorët e gërdecit  sepse dhe banorët e gërdecit edhe Saliu, pasi ua prishi shtëpitë dhe iu tha që do ja u bëj të reja jua la në mes  do detyrohemi ne të bëjmë një vendim qeverie për të gjetur mënyrën për ti legalizuar, shtëpitë e ndërtuara në Gërdec”, – shprehet Kreu i ALUIZNI-it Artan Lame.

 

ALUIZNI, sportele të posaçme për emigrantët

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave me Ndërtimeve Informale ka ftuar dje të gjithë emigrantët që të shfrytëzojnë kohën e pushimeve në Shqipëri për të mbyllur procedurat e legalizimit të banesave të tyre të ndërtuara pa leje.

Në një dalje të posaçme për mediat, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se gjatë muajit gusht do të favorizohen në proces të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit dhe që janë kthyer në Shqipëri për pushime.

Për këtë ai ka kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë që të favorizojnë këtë kategori.

“Ju bëj thirrje të gjithë atyre emigrantëve të interesuar që të përfitojnë nga këto muaj për të përmbyllur procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre. Të jenë të bindur që personelin e ALUIZNI-t do ta kenë në dispozicionin e tyre gjatë gjithë muajit gusht. Gjithashtu, pikërisht për shkak të kësaj mbingarkese momentale, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë për t’ju hapur udhë emigrantëve në këtë moment piku. Moment ky që përfundon pas mesit të shtatorit, kur emigrantët do të kthehen në vendet e tyre të qëndrimit. Largësia nga atdheu e vështirëson për ta ndjekjen e procedurave, ndaj le t’ju gjendemi pranë në këtë moment nevoje”, – tha Lame.

Ai shtoi se janë marrë masa për të siguruar sportele të veçanta pranë Drejtorive të ALUIZNI-t, për këtë masë të madhe qytetarësh shqiptarë që, gjatë qëndrimit në Shqipëri, të mund të kryejnë në mënyrë preferenciale procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663