Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Gjunjëzimi i birrës “Made in Albania”

$
0
0

birreTregu i birrës po anon nga importi këtë vit, teksa prodhuesit vendas tregojnë se rritja e barrës fiskale prej taksave më të larta, kostove të pullës fiskale, tatimit në rritje të ambalazhit, çmimit të energjisë dhe parapagimit të akcizës po e bëjnë produktin vendase jokonkurrues në çmim. Birra “Made in Albania” frenon zgjerimin. Si po ndahet tregu 3.7 miliardë lekë ndërmjet katër kompanive dhe perspektivat

Nga Blerina Hoxha, Monitor

Nën presionin e tkurrjes së konsumit, humbjes së konkurrueshmërisë prej rritjes së taksave, kostove të larta të pullës së akcizës dhe çmimit të energjisë, tregu i birrës vendase është ngushtuar ndjeshëm këtë vit, duke u lënë hapësirë markave të huaja. Importet shënuan rritje me 34% me bazë vjetore për 5-mujorin, teksa prodhuesit më të mëdhenj në vend janë në dilemë për të vijuar prodhimin.

Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës së Prodhueseve të Birrës, njëkohësisht administrator i Birrës Stela, ndërmarrja e dytë e prodhimit të birrës në vend, tha se të gjitha llogaritë sot flasin në favor të importit. Të njëjtin shqetësim shprehin edhe aksionerët e Birrës Tirana. Luan Bregasi tha se tregu i birrës vendase po operon në një terren të vështirë. Fasha e taksimit për mbrojtjen e prodhimit vendas nuk po funksionon. Fabrikat që prodhojnë nën 200 mijë hektolitra paguajnë akcizë 14 lekë për litër, ndërsa ato që prodhojnë mbi këtë kufi paguajnë 32 lekë për litër. Në këtë mënyrë ruhet prodhimi vendas nga importi, pasi dihet se fabrikat nga importohen birrat në Shqipëri prodhojnë mbi këtë kapacitet. Por nga kjo situatë duket se po përfitojnë birrat që prodhohen në Kosovë. Kosova ka një taksim më favorizues se Shqipëria dhe duke shfrytëzuar fashën e taksimit nën 200 mijë hektolitra është duke hyrë agresivisht në tregun shqiptar.

 

Tregu 100 milionë euro, frenohet rritja

Vlera e birrës së konsumuar në treg arrin në 100 milionë euro sipas të dhënave nga Shoqata e Prodhuesve vendas të Birrës. Konsumi i saj dominohet gjysmë për gjysmë mes birrës së importit dhe asaj vendase. Por duke qenë se, birrat e importit në pjesën më të madhe të tyre ofrojnë çmime më të larta, për shkak të markave që përfaqësojnë, ato zotërojë edhe xhiron më të madhe.

Në çdo vend ballkanik, vlera e importit të birrës nuk i kalon 10% të konsumit.

Tregu vendas i birrës arriti një qarkullim vjetor prej 3.7 miliardë lekësh më 2014, me një rritje 3.8% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga bilancet e kompanive në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Luan Bregasi, një nga aksionerët më të mëdhenj të Birrës Tirana, tha se i njëjti treg mbetet pak a shumë edhe për 2015-n, duke pohuar vështirësitë serioze që kanë nisur këtë vit.

Prodhimi vendas i birrës pa një rritje të shpejtë pas vitit 2011, pasi qeveria vendosi masa proteksioniste për industrinë e vendase nëpërmjet akcizës. Në vitin 2013, qarkullimi vjetor i industrisë u rrit me 44%, duke arritur në 3.1 miliardë lekë, nga 2.1 miliardë lekë që ishte në vitin 2012. Bregasi shpjegon se rritja e kostos së pullave fiskale, parapagimi i akcizës, rritja e tatimit mbi fitimin, rritja e çmimit të energjisë dhe mosrimbursimi i solarit për prodhimin e kanë drejtuar në një terren të vështirë prodhimin e birrës në vend, e cila çdo ditë e më shumë po has në vështirësi për të konkurruar me importin.

Prodhimi në mbijetesë

Prodhimi vendas i birrës e ndan tregun ndërmjet katër kompanive. Prodhuesi më i madh vijon të mbetet Birra Tirana, e cila për vitin 2014 zuri 52% të tregut vendas, duke u ndjekur nga Birra Stela, e cila zotëroi 19% të tregut, Birra Korça me 17% të tregut dhe Birra Kaon me 11%. Stefan Pinguli i Birrës Stela, pohoi se tregu ka pësuar ndryshime në vitin 2014. Në treg janë shtuar operatorë të rinj. Kompania Agna ka nisur prodhimin e Birrës Elbar, por pozicioni i saj në treg pritet të qartësohet pas publikimit të bilanceve të 2015-s.

Birra Tirana pa një rritje të lartë të shitjeve në vitin 2013 me rreth 84%, por ritmet e rritjes shihet të jenë frenuar ndjeshëm në vitin 2014, ku zgjerimi i shitjeve nuk qe më shumë se 0.6%. Birra Tirana shënoi një qarkullim vjetor rreth 1,93 miliardë lekë në vitin 2014, por duket se gjatë këtij viti, ndërmarrja po vuan nga problematika që mbartin aksionerët e tjerë. Në vitin 2016, në ekstraktet e kompanisë në QKR janë dyndur kërkesat për sekuestro nga bankat tregtare.

Ndërsa Birra Stela, pas një rënie të shitjeve me mbi 43% më 2013, ka nisur të rikuperohet duke u rritur me rreth 8% në vitin 2014 sipas të dhënave nga bilancet. Qarkullimi vjetor i Birrës Stela arriti në 710 milionë lekë.

Gjithashtu, prodhuesi i tretë më i madh në vend, Birra Korça, shënoi një qarkullim vjetor me 642 milionë lekë në vitin 2014, por ritmet e rritjes ranë dukshëm me vetëm 9.1% nga rreth 25% që ishin ritmet e rritjes më 2013.

Teksa të gjithë prodhuesit kanë pësuar luhatje të vogla të pozicioneve në treg, kompania TEA me Birrën Kaon ka pësuar tkurrje. Sipas të dhënave të bilancit, kompania realizoi shitjet neto në 430 milionë lekë, duke pësuar rënie me mbi 12% në vitet 2013 dhe 2014.

Importet fitojnë terren, rritja 34% këtë vit

Importet e birrës kanë parë rritje të pazakontë këtë vit, teksa investimet në prodhimin vendas të produktit u shtuan në vitin 2015. Të dhënat fiskale nga Ministria e Financave tregojnë për rritje vjetore të importeve me 34% në janar-maj 2016. Në këtë 5-mujor u importuan mbi 10 milionë hektolitra birrë nga 7.9 milionë në të njëjtën periudhë të 2014-s.

Operatorë të tregut pohojnë se prodhimi vendas i birrës është në pozicion të vështirë për shkak të konkurrencës së Birrës Peja. Importi i saj është rritur me 20% për shkak se, sipas prodhuesve, Birra Peja paguan akcizë njësoj si birra vendase dhe për më tepër paguan akcizë njësoj edhe për prodhimin mbi 200 hektolitër, ndryshe nga birra vendase, duke ofruar kështu çmimin më të lirë për shkak të taksimit favorizues.

Stefan Pinguli, një nga prodhuesit më të hershëm të birrës vendase, Stela, thotë se edhe klia e biznesit është e rënduar. “Nuk ka qenë kurrë më parë kështu. Biznesi është në klimë tmerri. Barra fiskale është rritur 50%, por nga ana tjetër, kontrollet nga të gjitha llojet janë rritur me 100. Plus politikat e gabuara të qeverisë në disfavor të prodhimit vendas. Situata është alarmante, 40% e bizneseve në vend po falimentojnë”, tha Pinguli.

Barra e taksave duket se po i bën gjithnjë e më pak konkurruese prodhimet vendase në krahasim me ato të importit. “Më kushton shumë herë më lirë ta importoj nga jashtë produktin dhe ta shes në rrjetin e shpërndarjes që kam ngritur se sa ta prodhoj këtu. Puna është se kam të punësuar rreth 200 punonjës, pjesa më e madhe e tyre në fabrikën e prodhimit të birrës dhe e kam të rëndë t’i pushoj”, tha Pinguli.

Kostot në rritje të shpejtë

Teksa vendi synon të aderojë me të shpejtë në Bashkimin Europian, duhet të përqaset me rregulla të njëjta. Sot, vendi ynë, të paktën me rajonin, ka ngarkesë tatimore krahasimisht më të lartë dhe kjo vlen edhe për birrën, thotë Luan Bregasi, nga Birra Tirana. Ai tha se përveç taksave klasike, birrën e rëndojnë edhe disa pagesa të tjera, të cilat nuk përllogariten si taksa direkte. Të tilla janë kostot për pullën fiskale, parapagimi i akcizës dhe çmimi i energjisë elektrike.

Kostot për vënien e pullës janë të paktën 14 herë më të larta se në Kosovë. Vetëm Birra Tirana paguan 1.5 milionë euro kosto për pullën e akcizës, ndërsa e gjithë industria besohet se paguan rreth 5 milionë euro për pullën fiskale, praktikë kjo, më e shtrenjta në Europë.

Parapagimi i akcizës cilësohet absurditet. Tatimi paguhet në momentin e prodhimit dhe jo të shitjes, duke e vënë në vështirësi likuiditetin e kompanive. Gjithashtu energjia elektrike është shumë e lartë. OSHEE e faturon energjinë për biznesin me 16 lekë kilovatorin me gjithë TVSH për shkak të një konflikti ende të pazgjidhur mbi pronësinë e kabinave, teksa çmimi i miratuar nga ERE është 13 lekë (me TVSH). OSHEE ka kategorizuar në 2015-n shumë biznese si klientë që furnizohen nga Tensioni i Ulët (TU) pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM) pika e lidhjes.

Për pasojë, çmimi i energjisë rezulton të jetë 48% më i lartë se në vitin 2014, ku biznesi faturohej 9 lekë për kilovatorë.

Veç kësaj janë rritur edhe tatimi mbi fitimin dhe ai mbi dividentin me 50%. Teksa rimbursimi i TVSH-së dhe i kostove të solarit mbeten misione të vështira që nuk po e lejojnë sektorin e prodhimit të birrës të përparojë drejt zgjerimit.

 

Pasojat rrezikojnë zinxhirin

Industria vendase e prodhimit të birrës në të gjithë zinxhirin e saj ka rreth 5 mijë të punësuar direkt dhe indirekt, pohojnë burimet nga tregu. Ndaj prodhuesit tregojnë se përveç fitimeve të veta, ata kanë përgjegjësi sociale. Stefan Pinguli nga Birra Stela pohon se, aktualisht ka më shumë leverdi të importojë se sa të prodhojë në vend, por e ka shumë të vështirë të lërë pa punë qindra punonjësit e lidhur me prodhimin e birrës. Gjithashtu, në sektor janë investuar rreth 80 milionë euro në dy dekadat e fundit, të cilat nuk po shfrytëzohen me kapacitete të plota. Bregasi pohon se prodhimi vendas duhet të stimulohet, pasi jep më shumë përfitime, si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë në tërësi, sidomos në punësim. Nga prodhimi vendas shteti merr përveç akcizës, edhe sigurime shoqërore dhe tatime mbi pagën për të gjithë të punësuarit në sektor. “Nëse ne do të importonim nga jashtë, fitimet tona nuk do të viheshin shumë më rrezik, por shoqëria do të humbiste shumë thotë”, Pinguli nga Stela.

 

Prodhuesit kërkojnë proteksionizëm

Prodhuesit e birrës kanë nisur të dëgjojnë gjithnjë e më shumë edhe nga polikëbërësit se i ka ikur koha proteksionit. Pasi për shkak të disa rregullave të OBT dhe marrëveshjeve detyruese me të, shteti nuk mund të jetë mbështetës për prodhimin vendas. Mirëpo Stefan Pinguli i vlerëson këto opinione naive. Ai shpjegon se, prodhimi shqiptar vuan pasi shpesh lëndët e para importohen në masë. Industri të tilla si ato agropërpunuese, të fasonit, etj., importojnë më shumë se 90% të lëndës së parë nga jashtë. Pinguli thotë se për prodhimet vendase nuk zbatohen as masat për balancimet e çmimeve ndërmjet prodhuesve të vegjël dhe atyre të mëdhenj. Konkretisht, në Bashkimin Europian, është vendosur marrëveshja që prodhuesit e mëdhenj, qoftë të birrës ose prodhimeve të tjera  i kanë të diferencuar nivelet e taksave, për të ekuilibruar kostot e larta të biznesit të vogël. Kjo direktivë e BE duhet shtrirë për të gjitha industritë, por mbi të gjitha ato ushqimore, për të cilat vendi ka instaluar pjesën më të madhe të industrisë dhe forcave të punës, sugjeron Pinguli.

Prodhuesit japin disa shembuj. Prodhuesit e produkteve ushqimore kanë elemente të rëndësishme të kostove, si shpërndarjen dhe konkretisht shpenzimet e naftës dhe të mjeteve të transportit, që kapin 15-20% të kostove. Në këtë rast, prodhuesit e birrës pohojnë se nuk njihet rimbursimi i akcizës, por gjithashtu nuk njihet as pjesa më e madhe e TVSH-së së naftës së përdorur. Më tej, ambalazhi, qelqi ose plastika e përdorur për prodhimin taksohet në 10% të kostos së tyre. Prodhuesit e birrës, pohojnë se kjo taksë e lartë mbi ambalazhet është vënë nën pretekstin e pastrimit, kur në BE kjo lloj takse nuk është më shumë se 0.5-1 e kostos së ambalazhit. Rimbursimi i naftës për industrinë shqiptare nuk ekziston, madje edhe për bujqësinë rezultoi një mision i pamundur.

 

Shqiptarët, pak birrëdashës

Sipas të dhënave nga Shoqata e Prodhuesve të Birrës, konsumi i birrës në vend për frymë i produktit nuk i kalon të 35 litrat në vit. Operatorët e tregut vlerësojnë se konsumi në Shqipëri mbetet i ulët, pa ndryshime të mëdha vit për vit, teksa konsumatorët shqiptarë preferojnë pije të forta alkoolike se birra. Në vendet e BE-së, birra konsumohet katër herë më shumë se në Shqipëri dhe në rajon dy herë më shumë.

Kosumatori më i madh i birrës në Europë dhe Botë është Çekia me 141 litra për frymë në vit. Birrën e konsumojnë në sasi të mëdha edhe Gjermania, Estonia, Austria, Polonia, etj, me rreth 100 litra për frymë në vit.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663