Specialisti i Ministrisë së Financave sqaron se nga amnistia fiskale përfitojnë të gjithë personat që duan të çregjistrojnë automjetet për të cilat nuk janë paguar taksa që prej 31 dhjetorit të vitit 2011. Po ashtu, falen detyrimet e pa paguara për automjetet që prej vitit 2010 deri në vitin 2016.
Një prej neneve të projektligjit për amnistinë fiskale pritet të çlirojë nga detyrimet e prapambetura të paktën 100 mijë pronarë mjetesh, të cilët nuk kanë paguar taksat që prej 31 dhjetorit të vitit 2011.
Ky nen fal detyrimet e prapambetura për automjetet, duke përcaktuar kriteret edhe kategoritë që përfitojnë nga kjo amnisti. Sipas një zyrtari të Ministrisë së Financave, nga ky projektligj përfitojnë edhe pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar detyrimet që prej vitit 2010 deri në vitin 2016.
Ndërsa ata që kanë paguar deri në vitin 2012 nuk përfitojnë nga ky projektligj.
“Ligji lejon çregjistrimin e të gjitha automjeteve, të cilat pas datës 31 dhjetor 2011, nuk janë paraqitur për të bërë pagesën e taksave në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit”, shpjegon Niko Lera nga Ministria e Financave.
Pra, kushti i vetëm për të përfituar nga falja e plotë është që detyrimet të kenë filluar para 1 janarit të vitit 2012.
Kjo do të thotë se një individ, i cili nuk ka paguar taksat e automjetit për periudhën nga viti 2010 deri në 2016-n përfiton, ndërsa një individ tjetër, i cili ka detyrime të papaguara nga viti 2012 deri në vitin 2016 nuk përfiton.
“Nëse ke kryer veprime dhe në 2012, nuk do të jesh objekt i kësaj klauzole, por duhet që të shkosh dhe të paguash taksat për vitet që nuk ke paguar, bashkë me penalitetet përkatëse”, thotë Lera.
Sipas draftit, afati i fundit i faljes është data 31 mars 2017.
Pas kësaj date, mjetet debitore do të çregjistrohen automatikisht ose me kërkesë të vetë përdoruesve pa asnjë pagesë.
Por si do të veprohet me ata individë që duan të mbajnë automjetet debitore?
“Nëse do ta mbajë përsëri mjetin, mund të shkojë dhe të paguajë vetëm taksën për 2012 e këtej dhe të mbajë mjetin në qarkullim”, deklaron Niko Lera.
Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare, përllogaritjet tregojnë se nga ky draft mund të përfitojnë 100 mijë automjete.
Çregjistrimi i mjeteve bëhet pa paguar detyrimet e prapambetura, si: taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të mjeteve të përdorura, taksën e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave e tarifave.
Tatimpaguesit/personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda datës 31.03.2017 të paraqiten pranë DPSHTRR për të kryer, pa pagesë, veprimet e çregjistrimit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij.
Personat të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së çregjistrimit të mjetit dhe mbajtjen aktiv të tij, u falen detyrimet tatimore për periudhat përpara Dhjetorit 2011 dhe duhet të kryejnë pagesat e të gjitha detyrimeve që i përkasin periudhave pas Janarit 2012 dhe u falen gjobat për këtë periudhë.
Nëse brenda datës 31.03.2017 personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë, çregjistrimin e mjeteve dhe shuan detyrimet tatimore për këto mjete.
Lista e mjeteve me targat përkatëse të çregjistruara sipas këtij ligji i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.