Pas ankesës së Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe një herë masat fiskale të qeverisë duke shfuqizuar një vendim qeverie që përcaktonte paga referencë për efekt tatimi mbi fitimin dhe të sigurimeve shoqërore për profesionet e lira si avokatë, dentistë etj.
Nga Gjergj Erebara
Qeveria shqiptare doli sërish sot e pafat nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”.
Vendimi, i cili u prit me protesta më herët këtë vit nga disa grupime profesionistësh, autorizonte Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të zbatonte paga referencë për llogaritjen e detyrimeve për sigurime shoqërore apo shëndetësore si dhe tatim mbi të ardhurat personale në përpjekje për të luftuar me masa afrofe evazionin fiskal të perceptuar nga individë të ndryshëm të profesionistëve të lirë, të cilët aludohen se deklarojnë të ardhura mujore minimale duke kryer evazion fiskal.
Sipas vendimit 37 pagat referencë varionin nga 50 mijë në 88 mijë lekë në varësi të profesionit dhe qytetit ku ushtrohet profesioni. Një avokat në Tiranë detyrohej të paguante sigurime shoqërore dhe tatim mbi të ardhurat personale për pagën referencë të 73,800 lekëve ndërsa për avokatët e qyteteve të varfra, paga referencë ulej në afro 65 mijë lekë. Paga më e lartë referencë qe caktuar për programuesit e kompjuterëve, të cilët duhej të paguanin taksa për 89 mijë lekë pagë.
Qeveria pretendoi gjatë kohës që debateve mbi këtë masë se pagat referencë të përcaktuara janë pranë realitetit të të ardhurave të profesionistëve, ndërsa avokatët dhe farmacistët protestuan duke argumentuar se masa të tilla janë të paligjshme.
Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e pretendimeve të qeverisë dhe urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të vendimit në fjalë, i cili është një nga shumë masat e ndërmarra nga qeveria për të rritur të ardhurat buxhetore.
Arsyetimi i vendimit të gjykatës nuk është bërë ende publik.
Kjo është e disata herë që Gjykata Kushtetuese aktuale rrëzon masat e ndëmarra nga qeveria gjatë viteve të fundit si antikushtetuese. Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese pezulloi dhe më pas rrëzoi një paketë masash të cilat parashikonin gjoba drastike tatimore në dëm të biznesit për shkelje fare të vogla. Sipas gjykatës, masat ndëshkuese të shtetit duhet të ruajnë parimin e proporcionalitetit me dëmin e shkaktuar nga shkelja e taksapaguesit.
Qeveria aktuale nisi një fushatë të ashpërsimit të ndëshkimeve administrative dhe penale me argumentin se situata kishte dalë jashtë kontrollit në shumë drejtime dhe se masat ekstreme duhej të ndërmerreshin për të “bërë shtet”. Qeveria u kritikua vazhdimisht për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përdorim eksesiv dhe të panevojshëm të dhunës ndaj qytetarëve.