Vullnetarizmi në Shqipëri tashmë është sanksionuar me ligj i cili ka hyrë në fuqi.
Hartimi për të nisi në fundin e vitit 2013 dhe kishte si qëllim nxitjen e vullnetarizmit dhe rregullimin e marrëdhënieve mes palëve.
Sipas ligjit do të jetë Shërbimi Kombëtar i Punësimit, institucioni që do të mbajë një regjistër të plotë të vullnetarëve.
Por, në ligj parashikohet edhe sigurimin e shëndetit për vullnetarin.
Kjo nënkupton që ofruesi i vullnetarizmit detyrohet të sigurojë vullnetarin në rast të aksidenteve apo sëmundjeve që ndodhin gjatë kohëzgjatjes së kontratës së vullnetarizmit, kur këto lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me vullnetarizmin e kryer.
Në ligj parashikohet që: “Ofruesi i vullnetarizmit është i detyruar t’i japë vullnetarit një kopje të kontratës së sigurimit të shëndetit dhe aksidenteve, brenda 3 ditëve nga firmosja e kontratës së vullnetarizmit”.
Po kështu në nenin 23 garantohet edhe shpërblimi për dëmet.
Ligji parashikon rastet kur dëmi kryhet me apo pa dashje, si dhe mënyrën e kërkimit të tij.
Vullnetarizmi, gjithashtu do të bazohet në një Kod, si dhe do të ketë një librezë e cila do të mbajë firmën dhe vulën e ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Nga ana tjetër çdo rast i vullnetarizimit do të kontrollohet nga inspektorët e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Koha e vullnetarizmit do të jetë e kufizuar. Sipas ligjit që ka hyrë në fuqi, kohëzgjatja ditore do të jetë jo më shumë se 5 orë në ditë dhe jo më shumë se 25 orë në javë.
Friedrich Ebert Foundation dhe Partners Albania realizuan dy studime të ndryshme për punën vullnetare në Shqipëri, ku është konstatuar se 1 në 5 të rinj të moshës deri në 35 vjeç, kryejnë punë vullnetare në Shqipëri./Monitor