Më shume para për të varfrit, premtonte Edi Rama kur ishte në opozitë.
95% e shqiptarëve, sipas tij, në shtet apo në privat, do të përfitonin nga sistemi i ri i taksave nëse socialistët vinin në pushtet.
Për të qenë më i qartë, përfitimin nga ulja e taksave, Edi Rama e krahasonte me një pagë të trembëdhjetë.
Në këndvështrimin e Edi Ramës opozitar, taksa e sheshtë e vendosur që nga viti 2007 po ia merrte frymën shtresës së mesme, prandaj ai përbetohej për tjetër gjë.
Madje buxhetin e parë të qeverisë së tij e rendiste krah të varfërve.
Borxhin rreth 67% që trashegoi nga qeveria e djathtë, premtonte se do ta shlyente duke marrë një tjetër borxh, por kurrsesi t’i fuste duart në xhepa shqiptarëve.
Tashmë, ndërsa po bën dy vite në karrigen e kryeministrit, ndryshon tërësisht filozofinë e tij krah të varfërve.
Drafti i ri i qeverisë së drejtuar prej tij për një tjetër taksim të të ardhurave personale, godet direkt ata që kanë të ardhura minimale.
Punonjësit e thjeshtë do të preken të parët nga projekligji i ri për tatimet mbi të ardhurat.
Në Shqipëri mendohet se janë mbi 300 mijë punëtorë që paguhen deri në 30 mijë lekë në muaj.
Projektligji i ri i qeverisë synon të taksojë pikerisht këtë shtresë me një taksë të re.
Por 5% që qeveria do të marrë nga rroga e punëtorëve, do ta ndjejnë më shumë ajo pjesë që paguhen më pak.
Sipas të dhënave, këta janë rreth 166 mijë vetë, të cilët aktualisht paguhen me vetëm 22 mijë lekë në muaj.
Sipas projektligjit të ri, qeveria pritet t’i marre ketyre personave edhe 1100 lekë nga të ardhurat.
Flasim për punëtorët e fabrikave të veshjeve, këpucëve, industrinë përpunuese, në industrinë ushqimore, punëtorët e ndërtimit, punonjësit në dy sektorë të tjerë të gjerë si ai bar-hoteleve dhe punëtorët e thjeshtë në sektorin e tregtisë.
Prekja e shtresave më të varfra shtrihet edhe në institucionet buxhetore, ku më të prekurat janë pastrueset.
Sipas një njoftimi të Ministrise së Financave, projektligji i ri mbetet për t’u diskutuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Diskutimet do të nisin në shtator në një moment aspak favorizues për qeverinë shqiptare.
FMN ka mbetur e pakënaqur me mosrealizimin e të ardhurave nga doganat dhe tatimet.
Gjithsej 13 miliardë lekë munguan nga tatimet vetëm në 6 muajt e parë, një fakt që tronditi besimin e kreditorëve të huaj për Shqipërinë.
Për të rifituar besimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, duket se qeveria ka kthyer kokën nga punëtorët shqiptarë, të cilet nuk u taksuan nga tatimi mbi fitimin në dy vitet e fundit./ABC