E përditshmja Shqiptarja.com ka publikuar një listë që tregon se si vendet më të mira të punës në shtet janë të zëna nga familjarët e politikanëve dhe gjyqtarëve.
Në Bankën e Shqipërisë, nëpër ministri, në ILDKP ose në organet e drejtësisë, gazeta shkruan se të gjithë e kanë një vend të mirë pune.
Por ndërsa kjo listë ka shkaktuar zemërim në rrjet, duke shtuar akoma më shumë dëshpërimin, radioja publike gjermane, DeutschlandFunk ka realizar një reportazh ku tregon se si mund të emigroni drejt Gjermanisë për të gjetur një punë të ligjshme.
“Shumë të rinj shqiptarë ëndërrojnë për një jetë në Gjermani, por shanset për azil janë shumë të pakta. Një program i ri synon që të kualifikojë infermieret dhe kujdestaret e të sëmurëve për të punuar në Gjermani. Shqipëria mund të përfitojë nga kjo,” shkruan DF.
Ata kanë vizituar qëndrrën “Inter Personnel” në Tiranë, ku trajnohen femra e meshkuj që duan të punojnë në Gjermani.
Shumë prej tyre vijnë pas punës në klinika ose spital për të marrë leksione për gjermanishten dhe jetën atje.
Leksionet i jep Endrit Mulaj.
25-vjeçari Justin Toraku thotë: “Unë punoj prej tre vitesh në spitalin universitar në Tiranë, por të ardhurat janë shumë të pakëta. Çdo muaj fitoi deri në 30 mijë lekë, pak a shumë 230 euro. Me kaq nuk mbijeton këtu. Natyrisht në Gjermani do kem më shumë mundësi”.
Drejtuesi i kësaj qendre, Musa Ahmeti, thotë se ata organizojnë gjithçka në bashkëpunim me partnerët gjermanë, deri edhe tek gjetja e banesa dhe mundësia e marrjes së familjarëve në Gjermani.
“Në Gjermani mungojnë çdo vit deri në 10 mijë vende pune si infermiere në spital. Ndërkohë në Shqipëri diplomohen çdo vit rreth 2500 infermiere dhe kujdestare për të moshuarit. Por vetëm 300 prej tyre gjejnë punë këtu, të tjerët janë pa punë. Në total në Shqipëri janë 20 mijë të papunë në këtë fushë. Në këtë mënyrë vrasim disa zogj me një gur. Ne u japim këtyre njerëzve një vend pune të mirë, por edhe ndihmojmë tregun gjerman të punës”, thotë Ahmeti.