Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Ekonomia: A ka shpresa për ringritje?

$
0
0

17 Milva ikonomiMilva Ekonomi, ministrja e re e ekonomisë, thotë se puna është fokusuar në lehtësimin e burokracive për investitorët e biznesin dhe krijimin e strukturave digjitale të informacionit e marketimit. Identifikimi i tre motorëve që mendohet se mund të tërheqin ekonominë shqiptare dhe si do të mbulohet gropa e krijuar prej rënies së remitancave dhe ndërtimit…

Gropa e lënë prej remitancave dhe krizës në sektorin e ndërtimit, do të mbushej me një rritje të GDP me 6 për qind në vit, por ministrja e re e Ekonomisë Milva Ekonomi, e di që kjo nuk do të vijë shpejt. Parashikimet optimiste flasin për një rritje me 3.2-3.3 për qind gjatë këtij viti dhe siç thotë ministrja “do duhet kohë për të shkuar atje (rritja 6 për qind)”. Në një bisedë me MAPO, Ekonomi sidoqoftë këmbëngul se situata ekonomike nuk është pesimiste dhe se rritja e ngadaltë, por e qëndrueshme, do të vijojë dhe se është një prej elementeve pozitive.

E ulur në sallën e pritjes së Ministrisë së Ekonomisë, ku ndër të tjera gjen edhe një numër të vjetër të “The Economist” i lexuar me nënvizime me stilolaps të kuq në nja dy artikuj për naftën, Ekonomi vë në dukje se puna e saj është e fokusuar në lehtësimin e investitorëve të mundshëm.

Ministrja e re e Ekonomisë thotë se qeveria beson që lehtësimi i burokracive përmes kalimit të një pjese të madhe të informacionit në portale online dhe po ashtu strategjitë më të mira dhe legjislacionin e nevojshëm për rregullim në sektorë si turizmi, fasoneria e agrobiznesi që shihen edhe si motorët e rinj të mundshëm të ekonomisë shqiptare, do japin produktin e duhur.

Ekonomi, që la Ministrinë e Shëndetësisë ku ishte zëvendësministre, për atë të Ekonomisë, thotë se masa e parë dhe sipërmarrja më e rëndësishme e qeverisjes së re ishte “nikoqirllëku” i përdorimit të fondeve publike. “Gjëja e parë e mirë që bëmë ishte të lanim borxhet… Kur erdha te Ministria e Ekonomisë e kuptova që kjo përpjekje për të bërë konsolidimin fiskal ishte një përpjekje jashtëzakonisht e rëndësishme e gjithë sipërmarrjeve së qeverisë”, thotë Ekonomi, duke renditur po ashtu reformat në çdo pjesë të sistemit, të cilat thotë ajo, po e ndryshojnë atë.

Ministrja sidoqoftë është e vetëdijshme që ekonomia shqiptare nuk është në shpërthim dhe as pritet të ketë një të tillë së afërmi, por këmbëngul se “reformat, sado të vështira për një ekonomi ishin të domosdoshme dhe do të sjellin efektin e pritur”.

Sipas saj nuk ka qenë e vështirë të identifikohej problemi i ekonomisë shqiptare, që filloi të humbte ritmin e rritjes në 2009 me krizën botërore dhe vijoi në rënie deri në 2014 kur rritja sidoqoftë mbeti modeste.

“Shqipëria pati një bum, për arsye të kërkesës së brendshme. Erdhi duke u rritur konsumi, pasi kishte një uri për mallra dhe importuam më shumë mallra se sa eksportonim dhe këtë mbuluam me remitanca. Konsumi i brendshëm favorizoi ndërtimin që u shndërrua në motor të ekonomisë ndërtimi. Por ajo që pamë në regjistrimet e popullsisë edhe në 2001 edhe në 2011 ishte se kishim ndërtuar më shumë se sa kishte nevojë. Dhe sot një pjesë e këtyre ndërtimeve janë bosh”, thotë Ekonomi. Ministrja thotë se pas “rënies” së ndërtimit si motor ekonomik, vendi duhet të gjejë të tjerë lokomotiva. Qeveria është përqendruar në tre prej tyre. Fasoneria, bujqësia dhe agropërpunimi dhe turizmi. Ministra thotë se ka pasur një angazhim për të ndërtuar “frameworke” ligjore në të gjitha këto sektorë, për të mundësuar rregullimin dhe rritur mundësitë e ndihmës në këto pika të ekonomisë.

“Zgjidhja”, thotë ajo, “erdhi falë bashkëbisedimit me biznesin dhe konsultimit me modelet botërore”. Në një listim të punëve të qeverisë dhe asaj që po bëhet për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë, Ekonomi veçon lehtësimin e procedurave për biznesin krijimin e një sërë portalesh online, që mundësojnë komunikim më të shpejtë dhe më pak burokraci dhe njëkohësisht krijimin e skemave të decentralizuara të vendimmarrjes, që siç thotë ajo nuk i lënë investimet në dorë të dëshirave të një ministri. “Investitori shkon në Komitetin për Investimet Strategjike që vendos nëse është rentabël, nëse zona ka nevojë për të, nëse krijon punësim”, thotë Ekonomi.

Ministrja thotë se fokusi në tre sektorë i ka mundësuar qeverisë të marrë nismat ligjore dhe studimet për zona të caktuara dhe po ashtu të shohë mundësitë se si mund të ndihmohen ato. Kështu ajo thotë se përmes incentivave është rritur prodhimi nga serat, ndërsa është krijuar fondi i garancisë për fermerët në bashkëpunim me BERZH. Kjo u mundëson fermerëve të marrin kredi, të cilat do të mbulohen nga qeveria. Po ashtu, qeveria po shqyrton mundësitë për të ndihmuar agropërpunimin në varësi të zonave dhe kulturave që mund të prodhohen atje. Por nga ana tjetër, është e vetëdijshme se vendi duhet të rregullojë raportin “prodhues-grumbullues dhe eksportues”. “Për eksportin po shihet mundësia e zgjerimit të tregjeve përtej rajonit, duke parë vendet e Magrebit apo Azisë”. Kjo nga ana tjetër, kërkon një biznes më të përkushtuar te produkti, një paketim më të mirë, një etiketim më të mirë dhe një kontroll më të mirë të cilësisë. Po ashtu, ministrja e sheh dhe ka shembuj të investimeve të suksesshme në turizëm. “Kemi shumë mundësi të investojmë në turizëm…. në zona të dedikuara për të investuar me ide në turizëm, me projekte të struktura”, thotë Ekonomi.

Megjithatë ajo i kupton vështirësitë dhe mosbesimin në disa raste. Ndërsa ilustron me një projekt të doganave për zhdoganim nga magazina, ajo thotë se projekti ka filluar, por disa biznese duan të shohim se sa sukses do të ketë për t’u përfshirë në të. Të gjitha këto sipas saj janë përpjekje për të krijuar më shumë lehtësi ashtu si krijimi i zonave ekonomike e teknologjike në Vlorë, Durrës e Shkodër. Por thotë ajo, kërkohet më shumë punë, pasi gara e parë për të dhënë për investim një nga këto zona dështoi. Ministrja thotë se u vu re që parcelat (500 hektarë për krijimin e parqeve ekonomike e teknologjike) ishin më të mëdha dhe se një copëzim i tyre mund të tërhiqte më mirë investitorët.

Por ende sipas saj kërkohet punë për t’i marketuar këto zona, ndërsa këmbëngul se është momenti kur gjithçka për to duhet të jetë online dhe e digjitalizuar. Ministrja thotë se kjo është një nga pikat e forta të punës. Krijimi i faqeve të plota me informacion rreth mundësive ekonomike në këto zona dhe po ashtu informimi në kohë reale i investitorëve se çfarë duhet të bëjnë për të pasur një projekt fitues dhe që mund të aplikohet.

Qeveria thotë ajo, është angazhuar sepse është e qartë që për të pasur investitorë seriozë: “duhet ta lehtësosh atë, të ketë një komunikim serioz ku ai të kuptojë se çfarë duhet të paguajë, cilat janë detyrimet dhe çfarë lehtësirash ka e çfarë procedurash duhet të ndjekë”. Në këtë linjë është ndryshimi i Agjencisë për Investimet (AIDA), e cila sipas ministres do jetë një dritare e vetme për çdo investitor, ku ai mund të mësojë mbi mundësitë, projektet apo zonat ku mund të investojë.

Nga ana tjetër, Ekonomi është e bindur se mosbesimi dhe pesimizmi në punën e qeverisë dhe atë që po ndodh me ekonominë e vendit, nuk është i justifikuar. Sipas saj, investimet e huaja janë rritur në 2015 nga 866 milionë euro në 881 milionë euro, po ashtu edhe numri i bizneseve të huaja në vend dhe numri i të punësuarve në to. Sipas saj, edhe “paniku” i deflacionit nuk është i arsyetuar mirë, pasi në të njëjtën periudhë indeksi i tregtisë me pakicë tregon rritje. E pyetur për komunikimin me dhomat e biznesit dhe shqetësimet e këtyre të fundit, Ekonomi vë në dukje se qeveria ka krijuar ura komunikimi dhe se përmes këtyre tavolinave që në dhomat e tregtisë janë të pranishme janë kryer studime dhe po ashtu janë marrë angazhime për përmirësimin e atyre që ishin gjetur si probleme.

Megjithatë, ministrja e di se për të fituar besimin duhet që reformat e ndërmarra duhet të provohen të suksesshme. “Nëse ja dalim me sukses në luftën kundër informalitetit, a nuk është kjo shenjë besimi? Kthimi të konkurrenca e ndershme”, thotë ministrja. Ndërsa vë në dukje se po ashtu, besimi rritet nga përfshirja e teknologjisë në çdo detaj, për më shumë transparencë dhe për më shumë mundësi komunikimi.

 

Si të dalim nga pika kritike

Kadia: Qeveria Rama krijoi pasiguri në ekonomi. Reformat duhet të ishin ndërmarrë në pjesën e parë të mandatit. Liperi: Ekonomia, në pikë kritike. Të krijohet një komitet gjithëpërfshirës për të përcaktuar prioritetet

Ka një përplasje të vazhdueshme mes qeverisë dhe opozitës e një pjese të opinionit publik sa i përket asaj se ku ndodhet ekonomia e vendit. Ndërsa qeveria beson se vendi është në rrugën e duhur dhe se ritmet e rritjes megjithëse të ulëta janë të sigurta dhe se reformat e ndërmarra sigurojnë stabilitetin, vëzhgues të jashtëm të ekonomisë shohin probleme. “Qeveria duhet të ndërgjegjësohet dhe të pranojë realitetin, sepse ekonomia është në të vërtetë në një pikë kritike, siç e konfirmojnë të gjithë treguesit: rënia e konsumit, besimit të biznesit e individëve dhe tkurrja e kreditimit”, thotë Ornela Liperi kryeredaktore e të përjavshmes ekonomike Monitor.

Ajo beson se reagimi i parë duhet të jetë kthimi i besimit te biznest, individët dhe investitorët e huaj. Drejtori i FLE Besart Kadia thotë se për shkak të retorikës së qeverisë në vitet e para të saj “pasiguria juridike u përshpejtua duke bërë që Shqipëria të humbas 35 vende në një vit në “doing business” dhe duke e bërë Shqipërinë vendin e parafundit në rajon për invesitorët gjerman.

Ai po ashtu këmbëngul se qeveria Rama kishte “grace-period” dy vitet e para të ardhjes  e pushtet nga publiku dhe opinioni ndërkombëtar dhe mund të kishte marrë reformat e nevojshme, por e keqpërdori këtë mundësi “duke krijuar më shumë pasiguri në ekonomi me kontradita në politika ekonomike e reflektuar në mungesën e theksuar të profesionalizmit dhe të strategjisë të menaxhimit të ekonomis”.

Ai vë në dukje po ashtu përplasjen e qeverisë me dhomat e tregtisë thirjet e të cilave beson se u injoruan. “Thirrjet e dhomave të tregtisë për të mos rritur taksat u injoruan me shumë lehtësi dhe sot po vuan nga gabimet e bëra nga poltikat ekonomike të saj”, thotë Kadia.

Në krahun tjetër Banka e Shqipërisë por edhe Banka Botërore apo FMN i kanë “dhënë të drejtë” në një farë mase qeverisë duke vlerësuar stabilitetin financiar dhe po ashtu edhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike edhe pse kjo e fundit është riparë disa herë dhe korrigjuar me ulje.

Panairi i punës i hapur këto ditë është një shembull i qartë i kësaj kontradikte dhe dy realiteteve. Kërkuesit e punës e kanë të vështirë të gjejnë një vend aty. Pjesa më e madhe e tyre plotësojnë formularë pa qenë as vetë të bindur se do të thërriten ndonjëherë për tu intervistuar apo madje edhe me dyshimin nëse këto vende janë reale, pasi nuk është e vështirë të gjesh edhe biznese që thonë se janë në panair për marketing të markës apo kompanisë.  Agjencitë e ndërmjetësimit thonë se më shumë kërkesa ka për punë të ofruara në emigrim. Madje agjencitë që ofronin ndërmjetësim për punë në Emiratet e Bashkuara Arabe (prej funksioneve në shërbime ma paga 500 dollarë deri te inxhineria me paga të larta), Gjermani (infermierë dhe ndimësmjekë apo edhe muratorë, bojaxhij e të ngjashme) tek intershipet 1 vjeçare për studentë në Kanada apo SHBA e deri Australi kishin disa qindra aplikime më shumë se sa agjencitë e ngjashme apo biznesi vendas.

Alfred Mali, një investitorë vendas që po ndërton një fabrikë të re këpucësh në Lezhë nga ana e tij numëronte vetëm disa dhjetra aplikime për mbi 100 vende pune. Mali mund të shihet si shembull suksesi. Ai pretendon të prodhojë këpucë “Made in Albania” dhe të ketë mundësi të eksportojë me një investim të ri që i shkon deri në 1.3 miliard të vjetra, por e sheh të vështirë të gjej njerëz për vendet vakante. Ai thotë se shpesh pasi i ka trajnuar punonjësit i ndodh që ata t’i largohen, ndërsa thotë se shpreson që panairi po i  shërben të paktën si mundësi kontakti me shkolla profesionale që beson se do e ndihmojnë. Këtu ai kërkon ndërhyrjen e qeverisë. Ai thotë se është i gatshëm të trajnojë vetë punonjës nëse për këtë do të ketë lehtësira, përndryshe kjo kosto bëhet e rëndë për të. Situata që shpjegon Mali tregon edhe sa konfuz është tregu i punës. “Më shumë se 50 punonjës të mi kërkuan azil dhe tani u kthyen sërish”, thotë ai, duke treguar se ishte i gëzuar që u kthyen pasi zëvendësimi nuk do kishte qenë i lehtë. Nga ana e tyre punëmarrësit nuk gjejnë shumë mundësi në panair. Vendet e ofruara ndonjëherë kërkojnë specializim të lartë, ndërsa në rastet e tjera janë punë në “Call Center” dhe nuk japin shpresë për karrierë.

Liperi sugjeron se qeveria duhet të qartësohet se ku do të shkojmë. “Të krijohet një komitet gjithëpërfshirës, me ekspertë nga të gjitha fushat dhe të hedhë piketat për modelin ku do shkojmë në të ardhmen, konkretisht të përcaktohen sektorët prioritarë dhe si do nxiten ato”, thotë ajo për Mapo. Ndërsa vë në dukje se “jemi të rrethuar nga shtetet që janë mjaft konkurrentë në incentivat (lehtësitë) për tërheqjen e investitorëve duhet ndërhyrje urgjente për të rikthyer besimin e investitorëve ekzistues dhe tërheqjen e të rinjve”. Qeveria nga ana e saj beson se ka një plan strategjik dhe se reformat e dhimshme siç i ka cilësuar kryeministri do të funksionojnë edhe pse mendimi dhe besimi në to është i ndarë mëdysh.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles