Faza e re e anti-informalitetit, më pak e bujshme për publikun, pritet të sjellë më shumë të ardhura, nëse do të funksionojë, në buxhetin e shtetit, ndërsa mund të vërë në pozitë jo të favorshme një numër biznesesh të mëdha, të cilat siç rezulton nga hetimi tatimor kanë fshehur të ardhurat dhe kanë manipuluar faturat
Kontrolli i hollësishëm që Tatimet janë duke kryer mbi 300 korporatat më të mëdha në vend, ka nxjerrë në pah skemat se si biznesi VIP fshihet nga taksat dhe bën evazion. Zëvendësministrja e Financave thotë se janë zbuluar disa raste të transaksioneve me kompani fantazmë, ndërsa kanë dalë në pah edhe forma të tjera të fshehjes. Faza e re e anti-informalitetit, më pak e bujshme për publikun, pritet të sjellë më shumë të ardhura, nëse do të funksionojë, në buxhetin e shtetit, ndërsa mund të vërë në pozitë jo të favorshme një numër biznesesh të mëdha, të cilat siç rezulton nga hetimi tatimor kanë fshehur të ardhurat dhe kanë manipuluar me faturat.
“Ka pasur biznese të mëdha që kanë bërë transaksione me biznese që rezultojnë pasive, që nuk kryejnë aktivitet ose janë të çregjistruara”, deklaron Irena Beqiraj, zëvendësministre e Financave.
Por transaksionet fantazmë nuk janë rruga e vetme. Edhe në veprimet mes kompanive aktive ka mospërputhje faturash mes biznesit që shet dhe atij që blen. Sipas zëvendësministres, këto fatura rezultojnë në disa raste jo të njëjta. “Jemi duke bërë rishikimin e faturave, nëse shitësi dhe blerësi e kanë deklaruar në të njëjtën kohë. Është fenomeni që faturat deklarohen nga njëra anë e transaksionit dhe nuk deklarohen në tjetrën”, nënvizon Beqiraj.
Kontrolli i dyfishtë i këtyre faturave do të nxjerrë zbuluar njërën ose të dyja kompanitë e përfshira në transaksion. Ky lloj kontrolli mund t’u kushtojë shumë bizneseve VIP, që kanë fshehur tatimet, nëse ndaj tyre aplikohen gjoba. Një pjesë e bizneseve që janë gjetur me shkelje pritet të kenë kontrolle të reja tatimore, për të zbuluar shkeljet.
Ndërkohë nga kontrolli del se mospërputhje ka edhe në transaksionet mes biznesit të madh dhe atij të vogël. Sipas Beqirajt, bizneset e mëdha deklarojnë shitje në vlera të konsiderueshme te bizneset e vogla, por këto të fundit nuk i pasqyrojnë në xhirot e deklaruara. “Kjo tregon që ose bizneset e mëdha po përdorin bizneset e vogla, ose të voglat janë duke mos deklaruar shitjet, duke mos prerë kuponin tatimor dhe kjo është për 2015-n”, shton Beqiraj.
Zëvendësministrja e Financave thotë se të gjitha bizneset e mëdha që kanë përdorur këto rrugë për të fshehur të ardhurat do të kalojnë në rivlerësim tatimor. Ndërkohë më herët, kur qeveria filloi aksionin anti-informalitet, ekspertë vunë në dukje se shteti mund të arkëtojë më shumë të ardhura, me më pak shpenzime administrative, sugjerojnë forcimin e kontrolleve për ata që janë në krye të piramidës fiskale. Ekspertët atëherë sugjeronin katër forma të përhapura të evazionit ndër bizneset VIP.
Nëpërmjet fshehjes së pagave reale dhe këtu hapësira për arkëtimeve është më shumë se 100 për qind. Biznesi VIP po ashtu mendohet, bën evazion fiskal nëpërmjet inventarëve. Në këtë mënyrë, ata shmangin TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin. Disa kompani, kryesisht ato që punojnë me mall të importuar dhe që e kanë të pamundur që në vendin e origjinës të “rregullojnë” vlerën e mallit, pasi deklarojnë në tatime fatura shitje malli me çmim më të ulët se ajo që realisht shesin, me qëllim që të shmangnin detyrime të tilla si TVSH apo Tatim Fitimi, duke përfunduar në pasqyra financiare të mbifryra artificialisht në zërin e detyrimeve.
Kjo duket se është një nga format e zbuluara nga tatimet së fundmi. Biznesi VIP bën gjithashtu evazion nëpërmjet procesit të importit të mallrave. Nëpërmjet elementëve të rëndë korruptivë, bizneset VIP, shpjegon eksperti i Fiskut, shmangin pagesat prej miliona eurosh. Kjo skemë vërtetohet tërësisht, duke krahasuar konsumin e disa mallrave të akcizës dhe rënien e importit të tyre. Biznesi bën mashtrim nëpërmjet tenderëve.
Rendimenti i buxhetit shkallmohet rëndë sipas ekspertit të tatimeve edhe nga korrupsioni me tenderët publik. Agjencia e Prokurimit Publik gjatë vitit 2014 ka zhvilluar 6794 procedura të suksesshme prokurimi, ku 31% prej tyre janë zhvilluar me negocim pa shpallje paraprake, çka e ka kufizuar së tepërmi konkurrencën në tenderë. Shkak është bërë përplasja ligjore ndërmjet ligjit të buxhetit dhe atij të prokurimit. KLSH raportoi se abuzimet në institucionet publike arritën në 16 miliardë lekë në fund të gjashtëmujorit me një rritje 30 %, në krahasim me një vit më parë.
Ekspertë të Fiskut thonë se përqendrimi i aksionit anti-informalitet në bizneset e mëdha sjell më shumë produktivitet dhe ka më pak kosto në krahasim me kontrollin mbi bizneset e vogla.