“Norma e rritjes prej 2,8% për 6 mujorin e parë ishte më e lartë se pritjet. Të dhënat indirekte të disponuara, sugjerojnë për norma të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko tha dje se, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se, gjysma e dytë e vitit mund të shënojë ritme më të ngadalta rritjeje, si pasojë e ndikimit të mundshëm negativ të ngjarjeve në Greqi. Megjithatë, marrëveshja e arritur në muajin korrik 2015, është pikënisje për normalizimin e situatës në vendin fqinj.
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se niveli aktual i normës bazë të interesit është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.0%.
Rritja ekonomike e vitit 2015 pritet të jetë më e lartë se ajo e një viti më parë, tha Sejko. Sipas të dhënave të Instat-it, tremujori i parë shënoi një rritje vjetore të aktivitetit ekonomik prej 2.8%. Kjo normë ishte më e lartë se pritjet tona dhe pasqyron kryesisht rritjen e investimeve dhe të eksporteve neto. Të dhënat indirekte të disponuara, sugjerojnë për norma të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë.
Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë dy viteve të ardhshme.
Inflacioni mesatar vjetor i tremujorit të dytë rezultoi në nivelin 1.8%. Luhatjet e inflacionit gjatë gjashtë muajve të parë të vitit kanë reflektuar ecurinë e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara. Këto të fundit kanë pasur luhatje të larta në periudhën shkurt – prill të këtij viti, edhe për shkak të përmbytjeve në disa nga zonat e ulëta të vendit.
Nga këndvështrimi makroekonomik, rritja e ngadaltë e çmimeve pasqyron efektin e një kërkese të dobët agregate si dhe çmimet relativisht të ulëta në tregjet botërore. Ndikimi i këtyre faktorëve do të vazhdojë të jetë i pranishëm në horizontin afatshkurtër. Inflacioni mesatar i vitit 2015 pritet të luhatet rreth nivelit 2%. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se inflacioni do të vazhdojë të rritet më tej gjatë dy viteve të ardhshme dhe të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin tonë prej 3%, rreth fundit të vitit 2017.
Kthimi i inflacionit në objektiv do të mbështetet nga një gjallërim gradual i ekonomisë në vitet në vijim.
Në masën më të madhe, parashikimi mbi ecurinë e inflacionit në dy vitet në vijim mbështetet në projeksionet tona për një rritje progresive të ekonomisë dhe për një shfrytëzim më të plotë të kapaciteteve prodhuese gjatë viteve të ardhshme. Për rrjedhim, efektet më të mundshme në Shqipëri do të përqendrohen në rënien e përkohshme të aktivitetit tregtar dhe të remitancave, pa cënuar aktivitetin e sistemit financiar. Si të tilla, këto efekte pritet të jenë kalimtare, sipas guvernatorit.
Nga këndvështrimi i politikës monetare, rëndësi të veçantë kanë projeksionet për rritjen ekonomike dhe inflacionin në një periudhë afatmesme. Ekonomia shqiptare parashikohet të ketë ritme më të larta rritjeje në dy vitet e ardhshme. Bilancet e sektorit bankar dhe privat, ambienti i jashtëm ekonomik dhe klima e përgjithshme e biznesit, pritet të përmirësohen në këtë periudhë. Këto zhvillime do të mbështesin zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe të jashtme.
Rritja ekonomike do të mbështetet edhe nga kushte të favorshme financimi.
Për një periudhë relativisht të gjatë kohe, kahu i politikës monetare ka qenë lehtësues. Ulja e vazhdueshme e normës bazë të interesit, përcjellja në publik e angazhimeve të Bankës së Shqipërisë për të qëndruar në këtë territor edhe në të ardhmen, reduktimi i pritur i primeve të rrezikut, si dhe përmirësimi i bilanceve dhe treguesve të shëndetit financiar të sistemit bankar, janë premisa për një lehtësim të mëtejshëm të kushteve të financimit të ekonomisë.
Tregjet financiare shqiptare vazhdojnë të karakterizohen nga një situatë e mirë likuiditeti. Normat e interesit të kredisë për ekonominë dhe normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë janë pranë minimumeve historike. Në përgjigje të tyre, kreditimi në lekë ka shënuar rritje ndërsa kostot e shërbimit të borxhit të sektorit privat dhe publik kanë shënuar rënie.
Zhvillimet e kreditimit shfaqen më pozitive në tremujorin e dytë. Kështu, kredia për sektorin rezident privat shënoi një rritje vjetore prej 2.4% në muajin maj, një normë rritjeje kjo më e lartë se ajo e regjistruar në fund të tremujorit të parë. Rritja e kredisë është mbështetur nga rritja vjetore me 7.5% e kredisë në lekë, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë ka rënë me 0.7%. Në aspektin sektorial, kreditimi i individëve vazhdon të shënojë norma më të larta rritjeje se kreditimi i bizneseve.
Banka e Shqipërisë pret një përmirësim gradual të kreditimit në pjesën e mbetur të vitit, por një përmirësim progresiv të tij në dy vitet e ardhshme. Ky përmirësim do të mbështetet nga rritja e kërkesës, nga normat e ulëta të interesit dhe nga reduktimi i rrezikut të perceptuar në tregjet e brendshme dhe të huaja financiare. Në veçanti, ulja e pritur e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm do të krijojë më shumë hapësira për rritjen e kreditimit të sektorit privat, tha Guvernatori.
Portofoli i kredive me probleme u reduktua me rreth 2 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, kryesisht në përgjigje të masave rregullatore që mori Banka e Shqipërisë në fillim të këtij viti. Ky është një sinjal inkurajues në drejtim të pastrimit të bilancit të sistemit bankar. Megjithatë, sipas planit ndërinstitucional të aprovuar të masave, ai duhet të mbështetet nga përmirësime ligjore dhe nënligjore, të cilat parandalojnë rritjen e kredive me probleme dhe mundësojnë një zgjidhje të shpejtë të tyre. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë sjell në vëmendje të të gjitha agjencive publike të përfshira në këtë projekt, nevojën për zbatimin e shpejtë dhe me rigorozitet të angazhimeve tona të përbashkëta, përfundoi guvernatorit.