Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Kreditë me probleme: Ekspertët debatojnë për rrugëzgjidhjet

$
0
0

civiciFlasin Ardian Civici President i UET; Zef Preçi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike; Arbër Agalliu, Drejtor i Shkollës Doktorale, UET…

 

Blerja e produkteve financiare me risk të lartë, forcimi i mbikëqyrjes bankare dhe skanimi i bankave, marrja e vendimet bazuar në një analizë të fortë të kosto-përfitim etj janë sugjerimet që japing disa ekspertë të ekonomisë, lidhur me uljen e kredive me probleme, që mbeten ndër më të lartat në rajon, në rreth 22%.

Prof. dr. Adrian CIVICI, President i UET

“BSH të fillojë të jetë aktive në treg për blerjen e produkteve financiare me risk të lartë”

Kreditë me probleme vijuan të mos zbuten me shlyerjen. Tashmë është pranuar gati zyrtarisht që kreditë me probleme nuk lidheshin shumë me shlyerjen e borxhit nga qeveria. Ndaj, pikëpyetja si të zgjidhet kjo çështje vijon të mbetet. Si mendoni se duhet vepruar?
Kreditë me probleme nuk janë thjesht problem bankar dhe aq më pak thjesht dhe vetëm problem financiar apo monetar. Në thelb, kreditë me probleme janë tregues i cilësisë dhe qëndrueshmërisë së zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi dhe disa degëve të saj në veçanti. Janë pjesë e kulturës dhe cilësisë menaxheriale të klasës së sipërmarrësve shqiptarë, po aq sa janë dhe pjesë e cilësisë së kredidhënies dhe standardeve të bankave në vlerësimin e riskut, vlerësimin e plan-bizneseve dhe kolateraleve, për të konkluduar me studimet dhe vlerësimin e shëndetit ekonomik të sektorëve për të cilët akordohet kredia. Në këtë këndvështrim, ishte pak utopike të mendohej se shlyerja e borxheve të prapambetura të biznesit do të jepte një reagim të tipit shkak-pasojë imediat në reduktimin e kredive të këqija, aq më tepër që në logjikën ekonomike, pagesat e prapambetura më shumë shkojnë në ekuilibrin e bilanceve të kompanive se sa në shlyerjen e kredive të këqija. Pavarësisht anëve shumë pozitive që pati dhe ka kjo masë e rëndësishme e shlyerjes së detyrimeve të shtetit ndaj kompanive, shumë prej këtyre kompanive vazhdojnë të mbeten problematike në raport me detyrimet e kredisë, çka tregon se faktorët e mësipërm me natyrë ekonomike e menaxheriale të tyre dominojnë mbi gropën e detyrimeve të prapambetura shtetërore.

A mund ta blejë shteti borxhin e keq? Si mendoni të ndodhë kjo?

Blerja nga shteti apo nga Banka e Shqipërisë e një pjese të borxhit të keq është një opsion i mundshëm, të paktën duke ju referuar dhe veprimeve të tilla që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin në shumë vende të botës në këtë aspekt. Por, në rastin e Shqipërisë, mendoj se një veprim i tillë duhej të kalonte të paktën nga dy vendime apo “filtra” të rëndësishëm.
Së pari, qeveria duhet të marrë vendim që një pjesë të të ardhurave të saj buxhetore t’i shpenzojë si blerje të borxhit të keq të disa kompanive, çka më duket e vështirë në momentin aktual, sepse në vetvete, blerja e borxhit të këtyre kompanive është një borxh i ri shtesë për qeverinë. A është e mundur në këto momente një gjë e tillë?!

Më duket e vështirë, aq më tepër që qeveria, të paktën edhe për një vit e gjysmë, ka ende detyrime të prapambetura për të paguar, ndërkohë që borxhi publik po rritet ndjeshëm duke u bërë barrë e rëndë për investimet publike dhe rritjen ekonomike e zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Së dyti, Banka e Shqipërisë duhet të fillojë të mendojë për ato që cilësohen si politika monetare jokonvencionale, të cilat nënkuptojnë një rol aktiv të Bankës së Shqipërisë në treg për blerjen e produkteve financiare e monetare me risk të lartë ose të falimentuara. Deri tani, në traditën e Bankës së Shqipërisë, kjo praktikë nuk është zbatuar asnjëherë, për më tepër, që zbatimi i saj kërkon përdorim të buxhetit dhe të ardhurave të Bankës së Shqipërisë për pastrimin e tregut bankar e financiar nga këto produkte problematike siç janë kreditë e këqija.

Në të dyja aspektet, pra, si mundësi apo vullneti politik i blerjes nga shteti, apo si mundësi e praktikë e blerjes nga Banka e Shqipërisë, më duken thuajse tërësisht të pamundura në këto momente dhe në këtë situatë ekonomiko-financiare ku ndodhemi.

A mendoni se ka ardhur momenti të “rifreskohen” edhe bordet e miratimit të kredisë, të studiohen personat me shkelje në dhënien e kredive lehtësisht, për të shmangur atë që ndodhi dje, por po ndodh dhe sot, kredi me zero risk?

Po. Kjo është një masë apo politikë e vetë bankave tregtare që operojnë në Shqipëri në favor të përmirësimit të cilësisë së kredidhënies. Analizat specifike të mjaft prej dosjeve të kredive me probleme apo të këqija dëshmon se një pjesë jo e vogël e fajit apo shkakut pse ato janë bërë të tilla e ka burimin në cilësinë e dobët të procesit dhe standardeve të miratimit të kredisë. Shumë kredi, edhe në përmasa të mëdha, janë dhënë lehtësisht, pa studimet dhe garancitë e duhura, pa respektuar në mënyre strikte standardet për një kredidhënie cilësore, pa folur këtu edhe për klientelizëm apo amatorizëm në këtë proces. Dinamika dhe problematika e zhvillimit ekonomik e financiar të vendit, modelet dhe standardet e kredikërkuesve, specifikat e disa sektorëve e degëve të ekonomisë shqiptare si dhe koniunktura ekonomike ndërkombëtare janë në ndryshim e evoluim të vazhdueshëm. Kësaj problematike e dinamike duhet t’i përgjigjet dhe procesi i vlerësimit dhe miratimit të kredisë. Përvoja shqiptare e viteve të fundit, të paktën ajo e pas viteve 2004 – 2005 kur filloi dhe bumi i kredive në Shqipëri, dëshmon se faji për kreditë me probleme mund të ndahet ndërmjet kredimarrësve dhe vetë strukturave të dhënies së kredisë në bankat tregtare. Kjo bën absolutisht të domosdoshme rifreskimin apo kompletimin sa më cilësor të bordeve të miratimit të kredisë, oficerëve të kredisë nëpër degët e bankave, standardet e dhënies së kredisë, metodat e vlerësimit të riskut, etj.

Kompanitë problematike kanë rezultuar të jenë një grusht (60), por shumë të mëdha. Sipas jush, a duhen shpëtuar këto kompani, apo është më e drejtë të shkojnë drejt falimentit?

Në këtë situatë dhe për vetë specifikat e ekonomisë sonë, mendoj se duhet një kombinim i kujdesshëm i logjikës së shkopit dhe karotës. Një pjesë e këtyre kompanive aktualisht problematike, janë megjithatë eficiente dhe produktive, në sensin që zhvillojnë aktivitet dhe sigurojnë fitim, por që ky fitim është ndjeshëm më i vogël se sa detyrimet që ata kanë ndaj bankave. Në këtë rast, referuar dhe eksperiencave të kësaj natyre në disa vende të tjera, është i domosdoshëm negocimi dhe ristrukturimi i kredisë së tyre duke e zgjatur atë në kohë, duke ulur këstet mujore apo vjetore që ato duhet të paguajnë dhe duke i mbikëqyrur këto kompani nga përfaqësues të bankave apo të shtetit. Ndërsa në rastet kur këto kompani nuk japin asnjë garanci për qëndrueshmërinë apo aktivitetin e tyre, pasi e kanë përdorur pa eficiencë kredinë dhe investimet e tyre, për të mos thënë kanë qenë aventurore dhe amatore në planet e biznesit të tyre, zgjidhja më e mirë është falimentimi i shpejtë dhe ekzekutimi i menjëhershëm i kolateraleve të tyre. Në fund të fundit, falimentimi nuk duhet perceptuar si katastrofë sociale apo morale e pronarit të kompanisë, por si një përdorim i keq i kapitalit që duhet ndërprerë, për t’u zëvendësuar me një përdorim më eficient të tij. Në shumë prej vendeve të zhvilluara të BE-së, SHBA-së e më gjerë, niveli i falimentimeve konsiderohet si proces që e bën më të shëndetshme ekonominë dhe financat e një vendi. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të futet e njëjta logjikë, natyrisht e kombinuar me një sërë politikash zbutëse e mbështetëse për këto lloj kompanish problematike.

Zef Preçi, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike

‘Të skanohen bankat”

Si mendoni se duhet të zgjidhet çështja e kredive të këqija. A duhet t’i blejë shteti ato? Si duhet vepruar?

Siç dihet, pesha specifike e kredive të këqija në vendin tonë prej 3-4 vitesh mbetet e lartë dhe madje nuk është zvogëluar, por është përkeqësuar, edhe pas pompimit të më shumë se 250 milionë eurove në ekonominë përmes shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit. Drejtoria për Ekonominë dhe Çështjet Financiare në KE publikoi këto ditë
vlerësimet për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si vende aspirante për anëtarësim. Në këtë raport theksohet fakti se Shqipëria ka nivel të lartë të kredive të këqija në Ballkan – 24%. Për rrjedhojë, kreditimi i ekonomisë reale është problematik, shumica e sipërmarrjeve kanë detyrime ndaj bankave tregtare dhe ndihet dukshëm mungesa e likuiditeteve prej tyre, ndërsa prirjet për kursim apo për të mos shpenzuar në radhët e familjarëve janë rritur së bashku me shtimin e depozitave në banka. Këto të fundit kanë investuar më shumë se 1/4 e aseteve të tyre në bonot e thesarit dhe mungon thuajse plotësisht konkurrenca ndërmjet bankave, gjë që shprehet edhe me pamundësinë e dallimit të avantazheve konkurruese dhe krahasuese midis tyre si dhe diferencën tejet të madhe (përveç Kosovës) në rajon midis normës shumë të ulët të interesit për depozitat që ato pranojnë dhe normës së lartë, herë-herë edhe dyshifrore, të interesit për huat që ofrojnë (spread-it), shumica e të cilave janë afatshkurtra dhe shoqërohen me kosto të fshehta, ndryshimin e interesave pa njoftuar klientin dhe vetëm në kahjen e rritjes, etj.
Nga pikëpamja e strukturës, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e kredive të këqija në shkallë vendi u përkasin vetëm 35 kompanive apo grupeve tregtare. Shtypi konfirmon se këto janë kompani shumë të njohura dhe pronarët apo aksionerët e tyre janë individë me influencë në jetën ekonomike dhe politike të vendit. Pas këtij përshkrimi mund të arrihet në përfundimin se gjendja shqetësuese e kredive të këqija reflekton njëkohësisht mungesën e vizionit nga qeveria kur vendosi të shlyejë rreth 500 milionë euro thjesht sipas rendit kronologjik dhe se vetëm një pjesë fare e vogël e kësaj shume pritet të shkojë në sistemin bankar për të zvogëluar kreditë e këqija (10-15%). Në të njëjtën kohë, kjo tregon se përzgjedhja e klientëve nga bankat është bërë në mjaft raste në mënyrë korruptive, falë lidhjeve politike të pronarëve/aksionerëve të kompanive, kundrejt kolateralit të mbivlerësuar qëllimisht, në sipërmarrje/aktivitete pa perspektivë rritjeje e zhvillimi, etj. Gjithashtu, në gjendjen e krijuar kanë ndikuar padyshim edhe procedurat ligjore të paqarta, shkalla e gjerë e korrupsionit në sistemin gjyqësor, etj.
Në këto kushte, mendoj se qeveria shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe misioni i FMN-së duhet të analizojnë programin e posaçëm që ofruan një vit më parë, me qëllim që të bëhen korrigjimet e rastit, të cilat, sipas meje, nuk duhet të parashikojnë blerjen nga shteti të kredive të këqija. Më konkretisht, mendoj se duhet të “skanohen” vetë bankat tregtare, duke mos përjashtuar edhe heqjen e licencës për një apo disa që nuk funksionojnë si të tilla e që deformojnë tregun apo merren me veprimtari të paligjshme. Domethënë forcimi i mbikëqyrjes bankare shërben si mjet për të rritur sigurinë e depozituesve dhe konkurrencën midis bankave për produkte dhe shërbime të reja, cilësore, konkurruese dhe që fusin në qarkullim ekonomik kursimet e popullsisë dhe kapitalet e bankave. Së dyti, mendoj se është i nevojshëm një rishikim, plotësim e përmirësim i kuadrit ligjor që rregullon procesin e likuidimit të kolateraleve për ta pastruar nga korrupsioni i nëpunësve të bankave e nga konflikti i interesave të vlerësuesve dhe/ose agjencive përmbarimore. Në këtë kontekst, mendoj se duhet ushtruar presioni i nevojshëm që bankat të rrisin kapacitetet menaxheriale për sa i takon analizës së biznesit, prirjeve që shfaq ekonomia në tërësi dhe degët specifike në veçanti, bashkëpunimit me autoritetet shtetërore sidomos ato fiskale për të nxitur biznesin legjitim dhe formal, dhe duke hequr dorë nga pranimi i shtëpive të banimit si kolateral dhe largimi kështu nga koncepti i bankës dhe roli i saj në një ekonomi tregu. Në këtë mënyrë edhe rregullimet ligjore sa i takon falimentimit do të bashkërendojnë aspektet fiskale me ato të detyrimeve ndaj bankave dhe do të mënjanojnë problemet sociale, politike e kushtetuese që lidhen me strehimin dhe përdorimin e shtëpisë së parë të banimit si kolateral bankar.
Nëse flitet për shitblerjen e kredive të këqija, ndoshta ky është një proces që duhet nxitur ndërmjet vetë bankave duke i dhënë kështu edhe një dinamizëm të ri rolit dhe peshës specifike të bankave të ndryshme në tregun shqiptar.

Çfarë duhet bërë për të rritur sigurinë e kredidhënies dhe a është koha të marrin përgjegjësi bordet e miratimit të kredive, apo agjentët e kredisë?

Ky është një problem që lidhet sa me kapacitetet menaxheriale dhe të analizës së riskut të bankave tregtare, aq edhe me bashkëpunimin e tyre me komunitetin e biznesit dhe me qeverinë. Kur flasim për kapacitetet menaxheriale, fjalën e kam për të rritur shkallën e njohjes nga ana e tyre të ecurisë, problemeve, kapaciteteve të sipërmarrjeve dhe mbi këtë bazë edhe bashkëhartimin e prognozave sa më realiste për periudhat që vijnë si garanci për kthimin e kredive, por edhe për racionalizmin e shpenzimeve operative të tyre duke filluar me pagat e personelit qendror drejtues, të cilat, edhe pse janë në një ekonomi të lirë dhe në sektorin privat, për shkak të specifikave që ka sektori dhe të problematikës së akumuluar me kreditë e këqija, nuk do të ishte keq që të “normoheshin” për efekt taksimi, duke mundësuar kështu që të vihen tavane (vetëm për efekt taksimi) mbi këto paga. Kjo do të ndihmonte për të ulur kostot administrative të bankave si dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve dhe jo thjesht për mbartjen e të gjitha kostove te përdoruesi fundor i parave – klienti huamarrës i bankave.
Ndërsa sjellja në vend e përvojave të ndryshme duke përfshirë atë malazeze apo bordet e kredive, etj., duhet të mirëpritet, por pa harruar se në themel të huamarrjes qëndron nevoja për likuiditetet që përshpejtojnë zhvillimin dhe zgjerimin e sipërmarrjes në tregun përkatës dhe jo një vullnet kolektiv pa mbajtur edhe përgjegjësitë përkatëse ligjore dhe financiare…

Arbër Agalliu, Drejtor i Shkollës Doktorale, UET

“U dhanë pa kriter, shteti nuk duhet t’i blejë”

Kreditë me probleme vijuan të mos zbuten me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Tashmë është pranuar gati zyrtarisht që kreditë me probleme nuk lidheshin shumë me shlyerjen e borxhit nga qeveria. Ndaj pikëpyetja si të zgjidhet kjo çështje vijon të mbetet. Cila është alternativa juaj?

Kreditë me probleme, sot janë kërcënimi kryesor i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të sistemit bankar, si dhe stabilitetit makroekonomik në vend. Numri i kredive të këqija është rritur që prej fillimit të krizës financiare–ekonomike. Me gjithë përpjekjet që po bëjnë bankat tregtare së bashku me Bankën Qendrore, kreditë e këqija janë përsëri në nivel shqetësues. Ndër sektorët të cilët shfaqen më problematikë në lidhje me kreditë mund të përmendim: “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë”, “Ndërtimi”, “Industria përpunuese” dhe “Hotelet dhe restorantet”. Gjithashtu vihet re se kreditë me probleme në valutë paraqiten më keq krahasuar me kreditë me probleme në lekë. Bankat në Shqipëri kanë diversifikuar deri diku destinacionin e dhënies së kredive, sikurse kanë diversifikuar edhe kredimarrësin, megjithatë ka disa kredimarrës të mëdhenj.
Është e vërtetë që qeveria ka filluar të shlyejë borxhet ndaj firmave dhe kompanive, të cilat pohonin se ishin të bllokuara nga mungesa e likuiditetit, megjithatë nuk kemi ndryshim të situatës. Kjo nënkupton se fakti që nuk ishin shlyer nga qeveria për shërbimet e kryera u përdor si justifikim për të mos paguar bankën për detyrimet e tyre.
Shumë studiues dhe ekonomistë e shohin krizën financiare–ekonomike si shkaktarin kryesor për rritjen e kredive me probleme. Kriza financiare–ekonomike realisht është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në lidhje me kthimin e kredive, por nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, të cilët kanë ndikuar jo pak në situatën e krijuar në sistemin bankar shqiptar. Në optikën time mendoj se faktorët e mëposhtëm kanë ndikim tepër të madh në cilësinë e portofolit të kredisë: Së pari, problemet ekonomike të kredimarrësit si pasojë e keqparashikimit për të ardhmen: Shumë biznese pranojnë se kanë gabuar në parashikimet për të ardhmen. Një fenomen i tillë ka ndikuar negativisht për sa i përket shlyerjes së detyrimeve që kanë ndaj bankave. Mungesa e saktësisë në parashikime lidhet edhe me fenomene të tjera, si probleme të tregut (kriza financiare–ekonomike) apo mungesa e kulturës ekonomike tek individët dhe moskonsultimi me ekspertët e ekonomisë. Pra, keqparashikimi mbi aktivitetin ekonomik ka bërë që tek individi apo njësia ekonomike të ketë probleme financiare–ekonomike, duke rritur në këtë mënyrë numrin e kredive të këqija.
Së dyti, abuzimi i kredimarrësit: Megjithëse të rralla, ekzistojnë raste kur një individ apo biznes merr kredi me idenë apo synimin për të mos e paguar atë. Ky fenomen është më tepër prezent në ditët e sotme, duke pasur parasysh edhe vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet konsumatori e biznesi shqiptar. Abuzimet me kredimarrjen kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e marrëdhënies klientë–bankë, pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve që e çojnë klientin në një veprim të tillë. Nga ana tjetër, bankat bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të evidentuar klientët, të cilët kanë prirje për të abuzuar me kredinë e marrë duke mos e paguar atë.
Së treti, abuzimi i analistit të kredisë dhe mosprofesionalizmi i tyre: Analisti i kredisë duhet të jetë investigues i mirë dhe duhet të dallojë qartësisht tri situata: Së pari, kur klienti abuzon. Së dyti, kur klienti nuk është në gjendje të paguajë kredinë, pavarësisht se ai mund të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të kërkuar nga banka. Së treti, kur klienti është në gjendje që të paguajë rregullisht detyrimet e tij. Analistët shpeshherë nuk investigojnë në mënyrën e duhur për të kuptuar më tepër rreth klientit dhe situatës së tij financiare. Problemi serioz qëndron në faktin se shpeshherë analistët e kredisë drejtojnë bizneset drejt falsifikimit apo modifikimit të bilanceve konfidenciale, në mënyrë që të përmbushin kushtet e vendosura nga banka për të marrë kredi. Problematik shfaqet edhe niveli i tyre profesional. Jo rrallëherë gjejmë analistë kredie pa shkollimin e duhur, duke e bërë të vështirë zhvillimin e një analize financiare të saktë të bizneseve dhe individëve që aplikojnë për kredi.
Së katërti, dhënia pa kriter e kredive, duke synuar maksimizimin e fitimit: Sistemi bankar shqiptar, deri në vitin 2008, ndiqte një politikë liberale lidhur me procesin e kreditimit. Duke qenë se deri në fund të vitit 2007 dhe fillim të vitit 2008 ekonomia botërore, e sidomos ajo shqiptare, njihte zhvillim si dhe bizneset vendase ishin në një situatë të mirë financiare, bankat nuk shihnin arsye përse kredimarrësit të mos e paguanin kredinë. Ky abuzim i vetë bankave nga dëshira për të fituar më tepër, por edhe për t’u pozicionuar më mirë në tregun bankar, do të kthehej në një “bumerang” për vetë sistemin bankar shqiptar. Raportet vjetore të Bankës Qendrore, si dhe të bankave tregtare, tregojnë se shumica e kredive me probleme janë të disbursuara pikërisht në këtë periudhë.
Së pesti, mosha e re e sistemit bankar shqiptar: Teorikisht pranohet se kreditë fillojnë të shfaqin probleme pas 1/3 së jetës së tyre. Gjysma e portofolit të kredisë, duke u bazuar në publikimet e Bankës së Shqipërisë, përfaqësohet nga kredia për shtëpi, të cilat kanë shtrirje kohore 15–25 vite. Pra, kreditë e marra kanë kaluar tashmë përgjithësisht 1/3 e maturimit të tyre.
Kështu që mbajtja parasysh e këtyre faktorëve gjatë procesit të kreditimit do të reduktonte ndjeshëm kreditë me probleme.

A mund ta blejë shteti borxhin e keq? Dhe nëse po, si?

Nga pikëpamja teorike, ekziston mundësia që shteti të blejë portofolin e kredive të këqija, por kjo ndodh në një situatë tjetër nga kjo aktuale. Ndodh që kur kemi një situatë pothuaj të pashpresë lidhur me shpëtimin e sistemit bankar apo dhe në rastet kur kemi kredimarrës tepër të rëndësishëm apo që kanë investuar në një sektor strategjik. Momentalisht nuk e shoh të domosdoshëm blerjen nga shteti të borxhit të keq. Nga ana tjetër, edhe mundësitë financiare të qeverisë shqiptare për të blerë këto kredi janë kufizuara sidomos pas procesit të shlyerjes së detyrimeve që po bën ndaj bizneseve.

A mendoni se ka ardhur momenti të “rifreskohen” edhe bordet e miratimit të kredisë, të studiohen personat me shkelje në dhënien e kredive lehtësisht, për të shmangur atë që ndodhi dje dhe atë që po ndodh dhe sot, kredi gati pa risk?

Kjo është në dorë të vetë bankave. Bankat janë biznese private që operojnë sipas legjislacionit shqiptar, rregullave dhe procedurave të vendosura nga Banka Qendrore. Në këtë kontekst, ato kanë pavarësinë e plotë për të organizuar organigramën e tyre brenda hapësirave ligjore. Personalisht e shoh domosdoshmëri që jo vetëm bordet e miratimit të kredisë, por në përgjithësi lëvizja e stafit brenda institucionit, pra qarkullimi i tij në periudha periodike 5-vjeçare jep tjetër dinamikë zhvillimi. Normalisht që ruhen disa ekuilibra për të pasur qëndrueshmëri dhe vijueshmëri në njësitë përkatëse. Nga ana tjetër, duhet domosdoshmërisht që të mbahet qëndrim mbi abuzuesit dhe shkelësit e politikave dhe procedurave. Këtu mund të them se procesi i auditimit duhet të rikonceptohet dhe të marrë një tjetër rol në funksion të përmirësimit të situatës.

Kompanitë problematike kanë rezultuar të jenë një grusht (rreth 60), por shumë të mëdha. Sipas jush, a duhen shpëtuar këto kompani, apo është më e drejtë të shkojnë drejt falimentit?

Falimentimi i kompanive ka efekt tepër negativ në ekonomi. Ndaj, institucionet përkatëse shtetërore, por edhe ato bankare, duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që të mos kemi falimentim, qoftë dhe të ndërmarrjes më të vogël. Por, nga ana tjetër, nuk mund të kemi pafundësisht ndihmë për këto kompani. Vendimet që do të merren duhen bazuar në një analizë të fortë të kosto-përfitim, kostos oportune, duke zgjedhur alternativën më të mirë të mundshme.

Julian Çela, drejtor i Financës, Intesa San Paolo

“Rrugëzgjidhja nga bankat dhe qeveritë”

Cila mendoni se është rruga që duhet zgjedhur për të ulur nivelin e kredive me probleme?

Bankat duhet të përmirësojnë më tej praktikat aktuale të administrimit të riskut, në mënyrë që të ndalojnë prurjen e kredive me probleme.
Një fokus i veçantë duhet të tregohet ndaj administrimit të kredive me probleme, duke shtuar kapacitetet e caktuara në këtë aktivitet. Krahas kësaj, duhen eksploruar mundësi për një trajtim sistematik në aktivitetet e shitjeve të kredive me probleme. Duhet përmirësuar sistemi juridik për të përforcuar zbatimet ndaj detyrimeve, si dhe duhen riplanifikuar kreditë duke ndihmuar klientët, për t’u dhënë atyre mundësi të përballojnë ripagesën e kredisë.

Si mendoni se duhet të jetë e ndarë përgjegjësia mes privatëve, si bankat dhe klientët në një krah, e shtetit, publikut në krahun tjetër?

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me bankat dhe bizneset, duhet të nxisë rritjen e biznesit drejt sektorit të ekonomisë reale dhe potenciale të paeksploruar, duke identifikuar dhe duke kanalizuar sektorë të rinj investimesh, të cilat kanë perspektivë rritje të shëndetshme si agrobiznesi, infrastruktura, turizmi, energjia, etj. Gjithashtu, janë të mirëpritura veprime në aspektin ligjor, duke adresuar me vendosmëri të drejtat e pronës dhe duke përmirësuar procedurat e ekzekutimit të kolateralit.

Pano Sako, ekonomist

“Ndërhyrja e qeverisë zgjidh ngërçin e NPL-ve”

Kreditë me probleme, vijuan të mos zbuten me shlyerjen e borxheve të prapambetura. Tashmë është pranuar gati zyrtarisht që kreditë me probleme nuk lidheshin shumë me shlyerjen e borxhin nga qeveria. Ndaj pikëpyetja si të zgjidhet kjo çështje vijon të mbetet. Si mendoni se duhet vepruar?

Kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë.
– Nëse do të kryqëzonin emrat e kompanive që kishin detyrime të pashlyera nga shteti shqiptar dhe kompanive që kishin kredi të këqija nëpër banka, do të verifikohej shumë lehtë fakti që ato nuk kishin shumë lidhje me njëra-tjetrën. Pra, kompani të tjera ishin ato që kishin detyrime të pashlyera nga shteti dhe të tjera ato qe kishin kredi të këqija nëpër banka. Dhe besoj se Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë e kanë bërë një rakordim të tillë, duke parë që sipërmarrja për likuidimin e detyrimeve të prapambetura ishte një barrë borxhi, prej jo pak, por 500 milionë euro. Dhe studimi i impaktit ka qenë dhe kërkesë e kreditorit, në këtë rast Bankës Botërore, e cila detyrimisht ka kërkuar të dijë se çfarë impakti do të kishin në infrastrukturën makro-ekonomike lekët që ajo po jepte borxh.

Që të kthehem tek pjesa e dytë e pyetjes, në gjykimin tim ajo ç’ka po përjeton aktualisht ekonomia shqiptare, është një event i ngjashëm në miniaturë me krizën amerikane të borxheve të fundvitit 2008. Për të qenë korrekt, nuk janë të njëjta, por bëjnë rimë. Çështja është si të zgjidhet?

Në gjykimin tim zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të kalojë në disa etapa:

1)Evidentimi i saktë i masës së kredive të këqija. Çështja e kredive të këqija duhet të fillojë me evidentimin e saktë të masës së plotë të kredive toksike që disponojnë të gjitha bankat e nivelit të dytë. Pas një rënieje të moderuar pas shlyerjes së kësteve të detyrimeve shtetërore, kreditë e këqija, në njoftimin e fundit të BSH, pësuan përsëri një rritje të lehtë me afro 1 pikë përqindje. Kjo tregon që sasia e kredive toksike (pra potencialisht të këqija) është edhe më e madhe nga niveli aktual i kredive të këqija. Pra, me fjalë të thjeshta, në treg ka akoma “bomba” që s’kanë plasur ende por që do të plasin në të ardhmen. Dhe ky event i pritshëm e bën imediate kryerjen e një procesi të imtësishëm revizionimi nga BSH dhe M.F. (Drejtoria e Tatimeve, D. Doganave) të të gjithë portofolit të kredive me risk të lartë që kanë aktualisht të gjitha bankat, me qellim përcaktimin qartë të një shume se sa janë në nivelin optimal të gjitha kreditë si aktualisht të këqija dhe ato potencialisht të këqija me probabilitet mbi 50%.

2) Bordet e miratimit të kredive nëpër banka të pastrohen nga elementët që në të shkuarën kanë marrë vendimet e gabuara për dhënien e kredive të këqija, pasi dëmi që ata sjellin nuk është vetëm ai i asaj që kanë bëre në të shkuarën, por ai që po bëjnë aktualisht. Pra, dëmi më i madh nuk është se kanë dhënë kredi “të pista” në të shkuarën, problemi është se ata tani, të frikësuar dhe të intimiduar nga kompleksi i fajit, nuk po japin më kredi “të pastra” për biznesin e rregullt. Këtë po vuan ekonomia sot.

3)Pas evidentimit të masës së plotë të kredive të këqija dhe pas pastrimit të bordeve të miratimit të kredive nga elementët me të shkuar negative, në atë moment duhet hapur një debat publik mbi ndërhyrjen ose jo të shtetit, për të pastruar librat e llogarive të bankave dhe sjelljen e tyre në parametra optimale për rinisjen dhe një herë të funksionit të tyre si furnizues të ekonomisë me likuiditet. Por, ky duhet të jetë një debat teknik, politik dhe mbi të gjitha transparent për publikun e gjerë. Pra, çështja që do të shtrohet për debat do te jetë: A do të ndërhyjë shteti në rregullimin e anomalive që bankat kanë në librat e tyre të llogarive? Në ç’masë do të ndërhyjë? A do të blejë 100% të kredive të këqija? A do të provizionojë 100% të kredive toksike (potencialisht të këqija)? Apo do të qëndrojë dhe do të presë që sistemi të vetë-shërohet? Sa na kushton njëra dhe sa na kushton tjetra?
Të gjitha këto çështje do të shtrohen për diskutim të gjerë, nga i cili do të dilet në një përfundim në bazë të të cilit qeveria do të vendosë nëse do të ndërhyjë ose jo.

Qeveria nuk mund të qëndrojë jashtë të gjithës kësaj. Forma dhe masa e ndërhyrjes është një çështje që ka nevojë për diskutim dhe debat dhe që detyrimisht do t’i nënshtrohet një negocimi të fortë më përfaqësuesit e bankave tregtare, por në parim nuk arrij dot ta shoh qeverinë indiferentë, jashtë të gjithës kësaj. Mungesa e kreditimit është shkaktari kryesor i anemisë ekonomikë që po përjetojmë që. Kjo çështje duhet të marrë një zgjidhje patjetër, sa më shpejt madje.

A mund ta blejë shteti borxhin e keq? Dhe si mund të ndodhë kjo?

Skenari i blerjes së borxhit të kompanive është e vetmja formë efektive që qeveria mund të ndërmarrë për zgjidhjen e kësaj nyjeje Gordiane. Çdo aventurë tjetër me paketa projektesh shpëtimi kompanish do të jetë thjeshtë një vrimë tjetër në ujë që do të kërkojë para e do të shtojë në tej borxhin. Pra, nëse qeveria do të ndërhyjë, do të jetë vetëm nëpërmjet blerjes së borxhit. Çfarë do të thotë blerje e borxhit?

Blerja e borxhit është marrja përsipër nga ana e qeverisë e shlyerjes se 100% ose më pak të principalit të këtij borxhi (në bazë të vendimit që do të merret nga parlamenti), sipas modaliteteve të përcaktuara në një marrëveshje me bankat e nivelit të dytë (pra, në sa këste, si etj).

Rruga sesi realizohet kjo do të jetë bazuar në legjislacionin shqiptar, kodin civil, ligjin për shoqëritë tregtare etj. Në mënyrë të përmbledhur rruga do të jetë pak a shumë e tillë. Me procedurë të përshpejtuar, në bazë të disa përcaktimeve ligjore ad hoc që parlamenti do të bëjë me këtë rast, gjykatat civile do të shpallin njohjen e ekzekutimit të kolateralit dhe me rast edhe falimentimin e kompanive. Pas sekuestrimit të pasurive dhe shitjes se tyre në ankand, sipas përcaktimeve të kodit civil, do të kryhet shlyerja e sasisë së borxhit që mund të shlyhet. Për pjesën tjetër të kredisë së pashlyer, qeveria në bazë të përcaktimeve ligjore që parlamenti do të ketë bërë me këtë rast, do të lidhë marrveshje me bankën dhe likuidimet e kësteve do të bëhen nga llogaria e thesarit të Ministrisë së Financave në llogari të bankave, nga një fond i buxhetit të shtetit që do të jetë miratuar enkas për këtë punë. Por, siç thashë dhe më lart, çdo gjë do të varet nga vendimi i qeverisë nëse do të dojë të ndërhyjë në këtë çështje dhe nëse po, në ç’masë do të vendosë të ndërhyjë.

Kompanitë problematike kanë rezultuar të jenë një grusht (rreth 60), por shumë të mëdha. Sipas jush, a duhen shpëtuar këto kompani, apo është më e drejtë të shkojnë drejt falimentit?

Në ndryshim nga kriza e borxheve në SHBA, këtu nuk kemi të bëjmë me një plan shpëtimi të kompanive, por pastrim të llogarive të bankave. E rëndësishme në gjithë historinë shqiptare të borxheve, është vetëm pastrimi i llogarive të bankave nga kreditë e këqija, sepse vetëm kështu mund të rregullohet kredidhënia në ekonomi. Kjo është e vetmja gjë e rëndësishme. Kompanitë do të pësojnë fatin që është përcaktuar të kenë sipas rregullave të tregut të lirë dhe s’ka asnjë dyshim për këtë.
Shqipëria, në ndryshim nga SHBA, nuk preket nga falimentimi i kompanive sado të mëdha të jenë këto. Pasi në Shqipëri nuk kemi tregje kapitalesh, jemi akoma në “primitivitet”. Dhe që për fatin tonë të mirë, ky primitivitet shërben dhe për mirë nganjëherë, pasi e imunizon ekonominë nga sëmundje të tilla siç janë ato që shkaktohen nga tregjet e integruara të kapitaleve, ku rrëzimi i një kompanie shkakton tsunami ekonomik. Tek ne, sado e madhe të jetë kompania, nuk e prek pjesën tjetër të ekonomisë, madje dhe vendi në treg i zëvendësohet sa hap e mbyll sytë./Albana Muçaj, Monitor


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663