Teksa eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur më shumë se 40 për qind vitin që shkoi dhe nga ana tjetër shumë sektorë po diversifikojnë investimet në fusha dhe në blegtori, bujqësia në totalin e saj ka pësuar rënien më të fortë në tremujorin fundit të vitit për pestin tremujor radhazi.
Monitor
Ritmet e rritjes së sektorin kanë nisur të ngalësohen qysh në vitin 2013, porse që nga tremujori iu fundit i vitit që kaloi bujqësia ka pësuar një rënie sistematike. Në tremujorin e fundit prodhimi në bujqësi ra me 1.9%. Kështu kontributi negativ i bujqësisë në rritjen ekonomike për tremujorin e fundit të 2015 ka qenë 0.37% për qind.
Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve me 25% më 2015, totali i prodhimit bujqësor ka pësuar një rënie me 0.93% më 2015-s, sipas të dhënave të iNSTAT.
Në tremujorin e katërt forca e punës në bujqësi u tkurr me -3.1%, ndikuar nga emigracioni masiv i vitit të kaluar.
Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.
Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë së para vitev ‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut. Përkundrazi, masat e marra në vitet 1991 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.