Qeveria pranon se vjelja e të ardhurave në 6-mujorin e parë të këtij viti ka pësuar rënie.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi thotë se shkak janë bërë akcizat e mallrave.
Në një prononcim për Vizion Plus, numri dy i ekzekutivit thotë se kjo mungesë po analizohet nga qeveria.
Opozita nuk është aspak optimiste duke parë mungesën në arkën e shtetit të 134 milionë dollarëve. Edmond Spaho flet për dështim të qeverisë.
Një ndër zgjidhjet për të mbuluar këtë gropë financiare, sipas Peleshit është aksioni kundër evazionit, që pritet të nisë në shtator. Aksion të cilin opozita e vlerëson si kamzhik në kurriz të popullit.
Kriza e thellë financiare dhe ekonomike, sipas opozitës, do të gjejën zgjidhje vetëm me uljen me vendosjes së taksës së sheshtë, pas ardhjes së saj në pushtet. Dhe PD përsërit premtimin për një taksë të unifikuar prej 9%.
Rënie drastike e të ardhurave
Buxhetin e shpëtojnë të ardhurat jo tatimore dhe shitja e licencave 4G tek kompanitë celulare.
Për herë të parë, sytë e Ministrisë së Financave janë drejtuar në grumbullimin e parave në buxhet, të cilat mund të vijnë nga tarifat dhe zëra të tjerë.
Shkaku është i thjeshtë: Në 6 muaj, arkës së shtetit i mungojnë 134 milion dollarë nga tatimet dhe doganat. Alarmi më i madh vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Ajo është taksa, e cila jo vetëm që nuk është realizuar, por rezulton e mbledhur më pak edhe se një vit më parë me 20 milion dollarë minus. Po kështu edhe akciza e rritur për të dytin vit rresht, nuk është mbledhur në masën e 56 milion dollarëve. Taksa e qarkullimit rezulton me afro 30 milion dollarë më pak, ndonëse u rrit 50% më shumë.
Nisur nga kjo situatë e vështirë Ministria e Financave, ka parë rrugët se si mund të devijojë dhe të arrijë të realizojë planin në buxhet. Por me sa duket, nuk i ka dalë të mbushë gropën e madhe që është krijuar.
Nga shtesa që i ka bërë të ardhurave jo tatimore ka arritur të shtojë 40 milion dollarë, e po kështu rritja e pagës minimale ka bërë që të mblidhen disa para më shumë nga sigurimet shoqërore. Efekt pozitiv po jep dhe Tatimi mbi Fitimin, i cili i rritur ka arritur të shtojë 11 milion dollarë.
Por megjithë këto rregullime, të cilat nuk vijnë nga puna që duhet të bëjnë dy administratat e tatimeve dhe doganat, sërish ministria është përballur me faktin që totali i të ardhurave është minus 86 milion dollarë.
Të parët zëra të buxhetit që u prekën nga kjo performancë, ishin subvencioni për energjinë elektrike dhe ndihma ekonomike. Për të parën shteti nuk ka dhënë asnjë lek, ndërsa për tjetrën ka shkurtuar fondin me 30%.