Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

“Free Market Road Show” ndalet sot në Tiranë

$
0
0

free marketOrganizohet sot nga FLE, një nga forumet më të rëndësishme europiane për ekonominë, “Free Market Road Show”. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, shpalos platformën ekonomike të së djathtës

Liria ekonomike, taksat, investimet dhe politikat për zhvillimin e tregjeve e të tjera tema që prekin çështje ideologjike, do të jenë pjesë e një forumi të rëndësishëm në rang europian, i cili mbahet sot në Tiranë. “Free Market Road Show”, një forum që ngjall diskutime dhe debat në shumë vende europiane, ndalet në Tiranë, organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike, me pjesëmarrjen e dr. Barbara Kolm, një personalitet dhe aktiviste botërore liberale, Michel Williams, financier i njohur amerikan etj. Me interes pritet të jetë diskutimi që do të mbajë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili sipas gjasave mund të shfrytëzojë këtë forum për të shpallur platformën ekonomike të opozitës, që nga çështja e shumëdebatuar e taksave e deri te çështja e ndërhyrjes së shtetit te tregu.

Fondacioni për Liri Ekonomike, si partner i Atlas Network dhe Austrian Economics Center (AEC) është mikëpritësi i këtij forumi në Tiranë, i cili zhvillohet për herë të dytë në Shqipëri, në bashkëpunim me më shumë se 90 institute kërkimore (think-tanks) dhe universitete në Evropë, Kaukaz, e Izrael. Aktiviteti do të zhvillohet sot (e enjte, datë 7 Prill 2016), ora 09:00, në Hotel Tirana International.

Drejtori Ekzekutiv i FLE-s, Besart Kadia, e cilëson të rëndësishëm një debat për ekonominë për vendin tonë, si dhe për shkak të politikave të fundit qeverisëse në këtë drejtim.

“Shqipëria në këto vitet e fundit ka humbur renditje përsa i përket Lirisë Ekonomike të matur nga Heritage Foundation, si dhe 35 vende në renditje, për të bërë biznes. Këto të dhëna janë pa pikë dyshimi shqetësuese dhe vijnë si rezultat i rritjes së taksave në vend, si dhe për shkak të frymës së fortë etatiste të vënë re nga kjo qeveri. “Free Market Road Show” 2016 diskuton për harmonizimin e taksave në Bashkimin Europian dhe rrezikun që vjen prej kësaj qasjeje. Në këtë kuptim, ky lloj angazhimi çon në integrim edhe më të madh ekonomik e politik, që është një çështje delikate për shumë shtete, ku mund të përmendim dhe referendumin në Mbretërinë e Bashkuar këtë verë. Por nuk do të ndalemi gjatë në diskutimin europian, por do të analizojmë rreziqet që ka ekonomia shqiptare dhe çfarë mund të bëhet për të nxitur rritjen ekonomike. Folësit variojnë nga dr. Barbara Kolm, një personalitet dhe aktiviste boëtërore liberale, te Michel Williams, financier amerikan, deri tek ekonomistë spanjollë si Maria Blanco”, thotë Kadia.

Duke parë rëndësinë e këtij forumi, qëndrimi i së djathtës shqiptare ndaj çështjeve më të debatueshme të ekonomisë do të paraqitet nga zoti Basha. “Në dijeninë tonë edhe kryetari i opozitës do të diskutojë në këtë takim për alternativa konkrete e politika fiskale që do të lehtësojnë më tej sipërmarrjen në vend dhe të nxisë rritjen ekonomike”, shprehet Kadia për Mapo-n.

Tirana është një ndër 36 shtetet e vizitura nga ky Forum Europian. Ky forum është aq i veçantë dhe i rëndësishëm, sa Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, është shprehur për këtë forum se “Tregje të lira ndihmojnë mbi të gjitha për mirëqeverisje dhe demokraci, si dhe në luftë ndaj korrupsionit dhe mundësojnë transparencë dhe është e rëndësishme që ‘Free Market Road Show’ që viziton 35 qytete në Europë të diskutojë për lirinë”. Kjo qasje vjen dhe nga ministri i Jashtëm austriak, që thotë se “Ne duhet të krijojmë kushtet që mundësojnë kreativitetin e biznesit, shtyjnë investimet dhe mundësojnë teknologji inovative”.

Kadia thekson se “‘Free Market Road Show’ sapo ka përfunduar një forum të rëndësishëm në Berlin, ku diskutohet për taksat dhe politikat e rritjes ekonomike. Para pak ditësh me shpërthimin e skandalit të Panama Papers njëri prej folësve të ‘Free Market Road Show’ Daniel J. Mitchel ishte gjithashtu në emisionin e BBC Newsnight. Janë pra folës të rëndësishëm dhe mbi 70 në tërë Europën, që janë angazhuar në këtë debat. Ne urojmë që dhe në Tiranë të arrijmë të njëjtin nivel interesi dhe cilësie në diskutim”.

“Free Market Road Show” sjell së bashku dijetarë me një sfond teorik në rëndësinë e ekonomisë së shëndoshë dhe lirisë individuale, si dhe personave me sfond praktik e politik të nevojshëm për të zbatuar ato ideale në botën reale dhe sipërmarrës, të cilët kanë dëshmuar se janë të gatshëm të ndërmarin rreziqe dhe të konkurrojnë. “Free Market Road Show” është një mënyrë për organizatat nga e gjithë Evropa, që zakonisht nuk punojnë së bashku, të njohin, koordinohen, bashkëpunojnë dhe të ndajnë ide për të çuar përpara lirinë dhe zhvillimin ekonomik në vend, duke funksionuar si një centrifugë intelektuale, për të sjellë në pah organizata të reja dhe aktivistë, të cilët mbështetin idetë e reja inovatore dhe operojnë me to.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles