Çdo sezon që prodhimet bujqësore preken në masë nga sëmundje të ndryshme dhe fitimet e fermerëve nuk i arrijnë pritshmëritë, ndër të tjera ankohen edhe për çmimet e larta të inputeve bujqësore.
Armand Mala një kontabilist, që ka ndjekur për vite me radhë ecurinë e zinxhirit bujqësor nga prodhuesi të eksporti shpjegon për Monitor se si, skema aktuale për kompensimin e TVSH-së në bujqësi nuk po funksionon.
Ideja e kësaj skeme është që fermeri, i pajisur domosdoshmërisht me NIPT, do marrë në formë kompensimi 20% të vlerës së prodhimit bujqësor.
Fermeri duhet të dërgojë prodhimin bujqësor në grumbullues të licencuar dhe me pas grumbulluesi përgatit një faturë (faturë e përgatitur nga blerësi) ku vlerës së prodhimit bujqësor i shton edhe 20% dhe nëpërmjet sistemit bankar likuidon fermerin për vlerën e produktit plus TVSH.
Mala thotë se e parë përciptazi duket një skemë me e mirë se, por duket se edhe kjo skemë ka problemet e veta dhe nuk po funksionon aq mirë në terren.
Ai thotë se, grumbulluesit e licencuar kanë krijuar kushte monopoli dhe ushtrojnë presion për çmime më të uleta (nëse do të përfitosh TVSH-në duhet të pranosh një çmim më të ulët).
Gjithashtu ai shpjegon se janë krijuar vonesa në likuidimin e faturave të cilat kanë shkaktuar një ngërç likuiditeti në të gjithë zinxhirin e inputeve bujqësore.
Kjo përkthehet në plan afatgjatë, sipas tij, në rritje të mëtejshme të çmimit të inputeve si rezultat i kërkesës për marzhe më të larta nga ana e tregtarëve në një treg me qarkullim të ngadaltë të parasë.
Mala thotë se kjo skemë kompensimi ka zbatueshmeri minimale në praktikë.
“Duke qenë së heqja e TVSH-së për ilaçet trumbetohet si sukses përse të mos përdoret e njëjta skemë edhe për “ilaçet” e bimëve? Përgjigja me siguri gjendet tek efekti në buxhet”, shpjegoi ai.
Vazhdimisht qeveritë kanë pasur përpjekje të vazhdueshme për t’i ardhur në ndihme këtij sektori, ku një ndër to është heqja apo rimbursimi i TVSH-së së inputeve bujqësore.
Me gjithë skemat e ndryshme që janë miratuar e ç’miratuar, ajo cka mund të thuhet me siguri është që të gjitha kanë dështuar me sukses, tha Mala.
Kalvari nisi në fillim të vitit 2013, që ishte vit fushate, ku kryeministri i atëhershëm premtoi përjashtimin nga TVSH-ja të inputeve bujqësore.
Për fat të mire apo të keq, kjo nuk ngeli veç premtim por me Ligjin nr. 111/2013 ajo çka u tha u miratua dhe u botua në QBZ me 01.04.2013, ku si për ironi të fatit qëlloi ditën e gënjeshtrave, shpjegon kontabilisti.
Ligji solli një gëzim të përkohshëm tek palët e prekura pasi me në fund do kishte një reduktim të çmimit të inputeve bujqësore. Pasi pak ditë para se ligji të hynte në fuqi, konkretisht me 02.05.2013, me Ligjin nr. 114/2013 me veç një fjali të thatë, “Shfuqizohet ligji nr. 111/2013” ligji u “abortua” ende pa ardhur në jetë, shpjegon Mala.
“TVSH-ja për inputet bujqësore nuk do hiqet që në momentin e hyrjes ne dogana nga importuesit, por do të rimbursohet për çdo fermer që i blen ato pasi sipas kësaj skeme përfitimi shkon direkt te fermeri dhe se nga ky vendim përfitojnë rreth 350 mije fermerë”, nxitoi të sqaronte Ministria e Financave.
Më skemën e ripunuar të 2015 faturat do dorëzoheshin pranë drejtorive rajonale te Ministrisë së Bujqësisë dhe pas verifikimeve përkatëse, brenda pak muajve fermeri do të përfitonte rimbursimin në masën 20 % të TVSH-së. Opozita e atëhershme e kundërshtoi këtë propozim, me pretendimin e drejtë se linte vend për abuzime.
“Shqetësimi kryesor sot për biznesin është rimbursimi i TVSH-së pasi asnjëherë nuk kryhet si duhet dhe le vend për abuzime, si mund të menaxhohen kërkesat kur në total janë afro 350 mijë fermerë”, deklaronte deputeti i PS-së, Arben Malaj.
Por përfaqësuesit e maxhorances sqaruan dhe binden se rimbursimi në ketë forme ishte tërësisht i menaxhueshëm.
Rezultati?! Mjafton të pyesësh disa dhjetëra fermerë dhe e kupton sesa zbatim praktik gjeti skema. U largua qeveria e djathtë duke lenë në fuqi këtë skemë dhe duke i lënë vendin të majtëve, të cilët gjithashtu e shpallën bujqësinë një ndër prioritetet e tyre.
Me kuriozitet po prisnim ligjin e ri të TVSH-se i cili do i jepte fund një here e përgjithmonë këtij problemi, do gjendej një zgjidhje mjaft praktike.
Në ligjin e ri inputet bujqësore nuk u përjashtuan por ndryshoi skema e kompesimit./Monitor